“Ashtu si në gjyqin e parë, Ibrahimi e pranoi se e vrau Shçerbinën, sepse besonte se konsulli i ndjerë rus ishte shkaku i vdekjes së 300 shqiptarëve pranë qytetit të Mitrovicës dhe për faktin se ai e komandoi hapjen e zjarrit mbi shqiptarët gjatë rrethimit të qytetit. Ibrahimi gjithashtu e pranoi në gjyq se nuk e njihte të ndjerin Shçerbina, por kur e kishte pyetur tregtarin Ahmet Hyseni se si do ta njihte konsullin rus, ai ia kishte sqaruar se konsulli mbante kapelë zyrtare, se ishte nën përcjellje të përhershme të disa kozakëve… Duke e shfajësuar Ahmetin, Ibrahimi tha se ai nuk ia kishte zbuluar askujt qëllimin e tij dhe se vendimin për të vrarë konsullin rus e kishte sjellë vetë.
Si u vra Shçerbina?
Duke u ndërlidhur vetëm në rastin e vrasjes së konsullit rus në Mitrovicë, Grigori Stepanoviç Shçerbina (29 nëntor 1868 – 10 prill 1903), mund të vërehet qartë së në shtypin e kohës përshkrimi i rrethanave ishte klisheizuar. Kjo sidomos bie në sy tek shtypi rus, ndërsa ai serb thuajse vetëm e kopjonte atë.
“Sapo Shqipëria dëgjoi se Turqia kishte dërguar komisionerët e saj të posaçëm për t’i zbatuar reformat në Shqipëri, shqiptarët filluan të mblidheshin për të kuvenduar se si do ta refuzonin zbatimin e reformave. Kështu fiset shqiptare Shala dhe Krasniqi ia mësynë Mitrovicës. Megjithatë, fillimisht jo shumë larg Vushtrrisë u mblodhën një mijë e 500 shqiptarë dhe të armatosur ata u nisën drejt Mitrovicës”. Ky njëherësh ishte fitili i kryengritjes shqiptare.
“Nga Vushtrria deri në Mitrovicë numri i shqiptarëve u rrit në dy mijë e 500. Kur mbërritën pranë Mitrovicës, ata ndaluan para urës mbi Sitnicë, e cila përdoret për të hyrë në qytet. Kur konsulli rus Shçerbina, mësoi për qëllimin e tyre, ai shkoi menjëherë te komandanti Said Beu dhe nisi t’i bënte trysni që ai t’i ndërmerrte të gjitha masat për t'i luftuar shqiptarët. Ky i fundit iu bind Shçerbinës dhe menjëherë, pa hezitim, kaloi Sitnicën dhe shkoi drejt në kampin shqiptar duke iu bërë thirrje që të hiqnin dorë prej qëllimeve të tyre përndryshe do të sulmoheshin me ushtri. Shqiptarët u përgjigjën se nuk do të largoheshin edhe nëse të gjithë do të vdisnin. Said Beu u kthye, hapi dy istikame të mëdha përpara urës në hyrje të Mitrovicës dhe e pozicionoi ushtrinë aty. Mirëpo shqiptarët ishin këmbëngulës dhe nuk u tërhoqën. Ata besonin se ushtria turke nuk do t’iu bindej urdhrave të Said Beut”.
“Aty nisi beteja e vërtetë, në të cilën u vranë rreth 200 shqiptarë”
Pra, siç shihet, krerët e shqiptarëve ishin të bindur se shqiptarët në radhët e ushtrisë së Said Beut do të refuzonin të qëllonin mbi vëllezërit e tyre dhe duket se llogaritë e tyre nuk ishin të gabuara.
“Said Beu urdhëroi që të qëllohej me top drejt tyre, duke besuar se kjo do t’i trembte dhe se ata do të iknin, por kryengritësit thuajse u tërbuan prej këtij veprimi dhe me vrull e kaluan urën… Aty nisi beteja e vërtetë, në të cilën u vranë rreth 200 shqiptarë”, raportohej më tej dhe sipas përshkrimeve të detajuara në artikull thuhet se luftimet zgjatën tërë natën.
“I ndjeri Shçerbina e kaloi gjithë natën duke i përcjellë luftimet. Duke dëgjuar se shqiptarët po përgatiteshin të sulmonin anën tjetër të Mitrovicës, ai mori dy kalorësit e tij, dhjetë ushtarë të armatosur dhe shkoi personalisht në pozicionet e shqiptarëve. Ai kishte vendosur të shkonte te udhëheqësit shqiptarë për t’i pyetur: se cilat ishin qëllimet e kryengritjes. Gjatë rrugës e takoi një shqiptar të armatosur, i cili u përshëndet me të, por pasi konsulli ishte larguar së paku dhjetë apo dymbëdhjetë hapa, shqiptari qëlloi nga pushka e tij drejt Shçerbinës, duke e plagosur… konsulli u shemb në tokë, ushtarët qëlluan drejt vrasësit që më vonë u mor vesh se quhej Ibrahim…. Shçerbina i plagosur u dërgua në konsullatë…Ndihmën e parë konsullit ia ofruan mjekët ushtarakë. Vrasësi Ibrahim Haliti fillimisht nuk donte të pranonte arsyet që e shtynë të vriste Shçerbinën, por më vonë ai i pranoi të gjitha. Më herë një shqiptar e kishte bindur Ibrahimin se tërë kjo ushtri ishte sjellë në Mitrovicë me kërkesën e konsulli rus, prandaj edhe vëllezërit e tij shqiptarë në fakt ishin vrarë nga dora e konsullit… Kështu Ibrahimi ia dha fjalën këtij shqiptari se do ta vriste konsullin rus dhe e mbajti atë. Tani ka indikacione se Ibrahimi do të varet në vendin ku u plagos Shçerbina….”, ishte versioni që më së teprimi kishte gjetur vend në faqet e shtypit të kohës në ditët e para pas ngjarjes.
Shqiptarët kërkojnë vendosjen e protektoratit austriak
Ndërkohë nuk dihej se ku do të varrosej konsulli rus. Fillimisht qarkulluan informacione se do të varrosej në Graçanicë, pranë varrit të Dionisit, mitropolitit serb apo në Manastirin e Deçanit. Më në fund erdhi një urdhër nga Rusia për ta transferuar trupin në Çernigov, ku kishte lindur i ndjeri dhe ku ishin pronat e tij. Fillimisht u mendua se udhëtimi do të bëhej nëpërmjet Serbisë, por më pas, me kërkesë të konsullit Mashkov, erdhi përgjigjja se transferimi do të bëhej me tren nëpërmjet Shkupit në Selanik dhe prej andej me avullore në Kostandinopojë dhe në Rusi.. Prandaj shtrohet pyetja se pse nuk u zgjodh Serbia kur ai njihej si përkrahës i çështjes serbe dhe zgjerimit territorial të Serbisë.
Megjithatë duhet vënë re se vrasjes së konsullit në Mitrovicë në opinionin rus nuk iu kushtua “vëmendja e merituar”
“V. S. Dragomirski, një mik i ngushtë i Shçerbinës, deklaroi për gazetën ‘Новости 44’ të Petrogradit se “i ndjeri Shçerbina e fliste gjuhën shqipe në mënyrë të përkryer saqë përkthente poezitë ruse në shqip. Ai (Shçerbina) fillimisht kishte shkruar nga Mitrovica se atje gjithçka ishte e qetë, se nuk kishte vënë re ndonjë trazirë serioze etj. Në letrën e dytë ai tashmë ankohej se pozicioni i tij po bëhej i padurueshëm për shkak të intrigave. Spiunët, shkruante ai, e ndiqnin në çdo hap, i kapnin letrat që ai ia dërgonte ambasadorit rus në Kostandinopojë…. Megjithatë nga letrat e tij nuk ishte e mundur të hetohej se a i kanosej atij ndonjë rrezik personal. Shçerbina i ndante shqiptarët në dy kampe, myslimanë dhe katolikë. Myslimanët jetonin kryesisht në fshatra dhe konsulli i ndjerë ishte gjithmonë në paqe me ta. Ndërsa shqiptarët katolikët i konsideronte si burimin kryesor të së keqes. Dhe në fund prapë tërhiqej vërejtja se “shtypi gjysmëzyrtar rus e priti vrasjen e Shçerbinës me qetësi të pazakontë. A mund të supozojmë se kjo është e sinqertë?!”.
Ndërsa gjakrat ende nuk ishin qetësuar, erdhi edhe kërcënimi i radhës i mitrovicasve dhe prizrenasve.
“Nëse ushtria turke vazhdon të në shtypë, atëherë do ta ngremë flamurin ‘austriak’ dhe do të tregojmë se protektoratin e kujt e duam”.
Megjithatë kërkesat e Rusisë duket se e diktonin situatën brenda Turqisë evropiane e sidomos në tokat shqiptare.
Fillimisht autoritetet turke e dënuan Halit Ibrahimin me vdekje dhe pritej dita kur ai do të varej, ndërsa “Rusia, përveç 1.200.000 frangave që i kërkonte nga Turqia si kompensim për familjen e të ndjerit Shcherbina, gjithashtu këmbëngulte në kërkesën që Turqia të dërgojë 20.000 ushtarë nga Anadolli në Kosovë dhe këto forca duhej t’i mbanin shqiptarët nën mbikëqyrje të vazhdueshme”.
Ahmet Hyseni – inspiruesi i vrasjes së konsullit rus
Më 12 prill të vitit 1903, pas trysnive të pareshtura të Rusisë që erdhën në konsideratë nëpërmes Konsullatës ruse në Shkup, u organizua procesi i sërishëm gjyqësor rreth rastit të vrasjes së konsullit Shçerbina.
“Vendimi kundër atentatorit Ibrahim Haliti (i cili u dënua me 15 vjet burg) u hodh poshtë pas protestës së konsullit rus Mashkov dhe u urdhërua një hetim i ri. I dërguari rus në Mal të Zi, të cilin Porta e Lartë zyrtarisht e njoftoi për vendimin, në një deklaratë e theksoi se për vrasjen të cilën vetë Ibrahim Haliti e ka rrëfyer duhet të dënohet me vdekje”. Megjithatë, akuza në procesin e ri ishte zgjeruar dhe në Mitrovicë tashmë ishin arrestuar edhe tetë shqiptarë për të cilët dyshohej se e kishin ndihmuar atentatorin.
“Në orën 12 të mesditës në Shkup filloi një gjyq i ri kundër vrasësve të konsullit Shçerbina” – raportonte gazeta novosadase “Zastava” prej Selaniku.
“Në juri ishte kryetari i gjykatës, i ndjekur nga katër gjyqtarë. Tribunat e poshtme ishin të zëna nga avokatët e të akuzuarve, turq. Pas gjyqtarëve ishte konsulli rus, i cili e kontrollonte gjyqin. Midis konsujve të huaj ishin konsulli serb Kurtoviq, zëvendëskonsulli Ivaniq, dragomani i Konsullatës austriake, korrespondenti i “New York Tribune”, i “Budapest Hirlap”, publicisti danez Z. Jensen, aty ishin edhe dy zonja dhe një audiencë e konsiderueshme, kryesisht turq. Në sallën e gjyqit kishte shumë xhandarë turq. Së pari u mor në pyetje Mehmeti, një shqiptar i ri, me sy të kthjellët dhe një sjellje të matur, por nga të folurit dhe fizionomia e tij ishte e qartë se ai ishte bashkëfajtor. Pas tij në sallën e gjyqit u soll atentatori Ibrahim Haliti një shqiptar shumë i ri, shtatshkurtër, biond, i dobët dhe i sëmurë. E kishte të lidhur dorën e majtë, pasi ishte plagosur nga kozaku i të ndjerit Shçerbina. Ibrahimi ishte me uniformë ushtarake. Pyetjeve të gjykatës iu përgjigjej me qetësi. Ai e pa me ankth audiencën, gjyqtarët dhe konsullin rus. As ai por edhe tregtari mitrovicas, Ahmet Hyseni, nuk ishin të lidhur me zinxhirë, gjë që iu ra në sy të pranishmëve. Ashtu si në gjyqin e parë, Ibrahimi e pranoi se e vrau Shçerbinën, sepse besonte se konsulli i ndjerë rus ishte shkaku i vdekjes së 300 shqiptarëve pranë qytetit të Mitrovicës dhe për faktin se ai e komandoi hapjen e zjarrit mbi shqiptarët gjatë rrethimit të qytetit. Ibrahimi gjithashtu e pranoi në gjyq se nuk e njihte të ndjerin Shçerbina, por kur e kishte pyetur tregtarin Ahmet Hyseni se si do ta njihte konsullin rus, ai ia kishte sqaruar se konsulli mbante kapelë zyrtare, se ishte në përcjellje të përhershme të disa kozakëve… Duke e shfajësuar Ahmetin, Ibrahimi tha se ai nuk ia kishte zbuluar askujt qëllimin e tij dhe se vendimin për të vrarë konsullin rus e kishte sjellë vetë. Mirëpo gjatë pjesës tjetër të marrjes në pyetje në Mitrovicë, Ibrahimi e kishte pranuar se e njihte Ahmetin se kishte biseduar me të edhe me Zeqir Kirixhinë, i cili po ashtu ia kishte dhënë Ibrahimit informacionin e nevojshëm për lëvizjet e konsullit”. Më tej thuhej se Halit Ibrahimi në procesin e fundit u dënua me vdekje; por vendimi ende nuk ishte zbatuar, sepse është bërë e qartë se ai nuk është fajtori i vetëm. Ndërsa sipas gazetës “Вечерње новости” të datës 25 prill, raportohet se “edhe pse nuk dihen arsyet se pse cari rus e fali Ibrahim Halitin – megjithatë Sulltani e dënoi atë me burg të gjatë ku edhe e gjeti vdekja”.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë