Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Liza Gashi, ka deklaruar se mazhoranca ka treguar gatishmëri për bashkëpunim me partitë opozitare në procesin e zgjedhjes së presidentit, duke i konsideruar këto të fundit përgjegjëse për bllokadën institucionale.
Sipas saj, kryeministri Albin Kurti u ka bërë ftesë krerëve të partive opozitare për dialog dhe për të gjetur një kandidat konsensual për postin e presidentit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Kryeministri ju ka bërë ftesë partive opozitare për të dialoguar për çështjen e presidentit. Krerët e partive politike mund të afrohen dhe të bashkëpunojnë”, ka deklaruar Gashi.
Ajo theksoi se Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës u është kërkuar që nga fillimi të propozojnë një kandidat të përbashkët, por sipas saj një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
“PDK-së dhe LDK-së ju është kërkuar që nga dita e parë të vijnë me një rekomandim për një kandidat konsensual që do të ishte i përshtatshëm për të gjitha palët, por ata nuk kanë dorëzuar asnjë kandidat”, u shpreh deputetja.
Gashi shtoi se Lëvizja Vetëvendosje ka paraqitur disa propozime gjatë këtij procesi, duke përmendur fillimisht familjen Jashari.
“Ne si LVV kemi propozuar disa kandidatë. Fillimisht, kemi menduar për familjen Jashari, por Murat Jashari ka dalë publikisht dhe ka treguar se nuk do të jetë pjesë e këtij procesi”, tha ajo.
Sipas saj, si hap i dytë është konsideruar edhe emri i Andin Hotit, me idenë se një marrëveshje e mundshme me PDK-në do ta zgjidhte situatën.
“Si hap i dytë kemi menduar se zoti Andin Hoti mund ta gëzojë një pëlqim nga PDK-ja, me të cilën një marrëveshje do ta zgjidhte këtë çështje, ndërsa në fund Lëvizja Vetëvendosje vendosi për kandidaturën e Glauk Konjufcës”, ka theksuar Gashi.
Jakaj - deputetes Gashi: Miratuat ligje për pak minuta, andaj i ka kthyer Kushtetuesja
Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), i tha deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Liza Gashi se Gjykata Kushtetuese i ka kthyer ligjet për shkak se u miratuan për pak minuta.
“Ligjin për Lojërat Mesdhetare, ligjin e ka rrëzuar Gjykata Kushtetuese për çështje procedurale, sepse ai ligj është miratuar për katër minuta. Pastaj Ligji për Byronë, pastaj Vettingu. Ta zëmë për shembull, një ndër projektet më të rëndësishme, banimi social dhe i përballueshëm e ka rrëzu Gjykata Kushtetuese sepse është miratuar për gjashtë minuta”, tha Jakaj në “Tempus“ të KTV-së.
Sipas Jakaj, nuk ka qenë përgjegjësia tek partitë opozitare për dërgimin e ligjeve në Gjykatën Kushtetuese.
“Nuk ka qenë përgjegjësia tek partitë opozitare për dërgimin në Gjykatë Kushtetuese. A i ka partia opozitare, pala e autorizuar për me dërgu në Gjykatë Kushtetuese që secili ligj që e miraton, i dërgon materialet me kohë, komunikon me kohë, bën debat përmbajtjesor, dhe si ka ndodh më 5 dhjetor 2024?”- shtoi Jakaj.
Po ashtu, hulumtuesi tha se Strategjia për Sundimin e Ligjit është dashur të miratohet me kohë.
“Domethënë ju është dashur Strategjinë për Sundimin e Ligjit me e miratu me kohë, shiko Ligjin për KPK është miratu, është konfirmu nga ana e Gjykatës Kushtetuese, reforma po ndodh, e keni përshëndetë edhe ju, pas dy here por është konfirmu reforma, po vazhdon reforma dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës po e zbaton, a po?”- tha ai.
Sipas Jakajt, KPK-ja po e zbaton reformën në mënyrë të drejtë.
“Po e zbaton në mënyrë të drejtë. E pamë që u zgjedh kryesuesi i këtij Këshilli, zëvendëskryesuesi po ashtu. Tash duhet të shpallet konkursi për Kryeprokurorin e ri dhe një institucion po komunikon, po e zbaton një ligj të rëndësishëm që ka miratu Kuvendi i Kosovës”, theksoi Jakaj.
Andaj, sipas tij nuk qëndrojnë fjalët e partisë në pushtet në raport kur një ligj konfirmohet nga Gjykata Kushtetuese.
“Pra, po e shihni se fjalët e partisë së parë, Lëvizjes Vetëvendosje nuk qëndrojnë në raport kur një ligj konfirmohet nga Gjykata Kushtetuese se është në përputhje me standardet kushtetuese”, tha Jakaj.
Gashi nuk e konsideron dështim mospranimin në Këshillin e Evropës
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Liza Gashi, në emisionin “Tempus” në KTV, ka deklaruar se mospranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk duhet të konsiderohet si dështim institucional apo diplomatik.
Sipas saj, niveli i mbështetjes së marrë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës përbën një rezultat të rëndësishëm për Kosovën në krahasim me vendet e rajonit.
“Unë nuk e konsideroj Këshillin e Evropës dështim, sepse kemi marrë mbështetje mbi 82 për qind të deputetëve të Parlamentit. Nuk ka një shtet tjetër në rajon që ka arritur në procesin e anëtarësimit deri në këtë nivel të mbështetjes”, ka deklaruar Gashi.
Ajo theksoi se zhvillimet pas Marrëveshjes së Ohrit kanë ndikuar në dinamikat politike dhe diplomatike, duke përmendur edhe ngjarjet e sigurisë në veri të vendit.
“Pas Marrëveshjes së Ohrit kanë ndodhur një numër i madh i veprimeve, duke përfshirë edhe agresionin në Banjskë”, u shpreh deputetja.
Gashi shtoi se Republika e Kosovës ka paraqitur tri kërkesa kryesore në raport me Bashkimin Evropian, të cilat lidhen me procesin e dialogut dhe sigurinë rajonale.
“Karshi BE-së kemi pasur tri kërkesa: nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit, ekstradimin e terroristit Radoiçiq, si dhe çështjen e një shteti verior jomiqësor, i cili ka dorëzuar edhe një letër në EEAS”, ka theksuar Gashi.
Deputetja e VV-së: Mbetet që KGJK dhe KPK të reflektojnë masat karshi reformave, nuk mjafton vetëm ligji
Liza Gashi, deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, tha se mbetet që Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) të reflektojnë masat karshi reformave. Sipas saj, nuk mjafton vetëm ligji.
Një deklarim të tillë, Gashi e bëri në emisionin “Tempus” në KTV derisa po diskutohet për krizën politike dhe kritikat e BE-së.
Gashi tha se draft-raporti i Parlamentit Evropian nuk thotë se Kosova ka dështuar në sundimin e ligjit, por se janë marrë një numër reformash, por që sipas saj, ende mbetet aspekti prokurorial dhe gjyqësor të reflektojnë masat karshi reformave.
“Raporti nuk thotë se kemi dështuar në sundimin e ligjit. Raporti thotë se janë marrë një numër reformash, mirëpo ende mbetet që aspekti prokurorial edhe gjyqësor t’i reflektojë masat karrshi reformave që flasin për pjesën e zbatimit, domethënë nuk mjafton vetëm ta kemi ligjin në sirtar, por duhet që ky ligj të jetë i implementushëm”, u shpreh deputetja.
Gashi tha se masat duhet të jenë koherente me reflektimin e gabimit që sipas saj është bërë në këtë rrugëtim.
“Po ashtu, duhet që të jenë masat koherente me reflektimin e gabimit që është bërë në këtë rrugëtim. Kështu që unë mendoj se kjo është pjesë shumë e rëndësishme”, tha ajo.
Marmullakaj: Draft-raporti i PE-së thekson se edhe më 2026 mund të mos kemi institucione
Qemajl Marmullakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV, ka deklaruar se draft-raporti i Parlamentit Evropian për Kosovën ngre shqetësime serioze për funksionimin institucional në vend, duke paralajmëruar se edhe gjatë vitit 2026 ekziston rreziku i vazhdimit të ngërçeve politike.
Sipas tij, Kosova tashmë ka kaluar më shumë se një vit me humbje në funksionimin efektiv të institucioneve, ndërsa raporti vë në pah mundësinë që vendi të hyjë në një situatë të ashtuquajtur “zonë e kuqe”, ku rrezikohet mosfunksionimi i plotë institucional.
“Ne e kemi më shumë se një vit të humbur dhe raporti përmend edhe faktin që edhe gjatë vitit 2026 potencialisht mund të hyjmë në zonë të kuqe, kur rrezikojmë të kemi ngërçe dhe mosfunksionim të institucioneve”, ka deklaruar Marmullakaj.
Ai theksoi se sfidat institucionale mund të ndikojnë drejtpërdrejt edhe në zbatimin e reformave që lidhen me Planin e Rritjes, i cili parasheh mbështetje financiare deri në vitin 2028.
“Si e tillë, marrëveshja e Growth Plan është deri në vitin 2028 dhe shtrohet pyetja sa kanë institucionet tona kapacitet për absorbimin e mbi 880 milionë eurove për përgatitjen e reformave, kur edhe nëse do të kishim institucione funksionale dhe me një tempo të shpejtë në hartimin dhe miratimin e reformave, me shumë gjasë mund të mos arrihet afati i zbatimit”, u shpreh ai.
Sipas Marmullakajt, kjo situatë paraqet një nga aspektet kryesore që cenon kapacitetet e Kosovës në procesin e integrimit evropian.
Haliti: Aplikimi në BE sa për sy e faqe, për të marrë poena politik
Albina Haliti, gazetare në ATV, tha se aplikimi në Bashkimin Evropian është vetëm sa për sy e faqe, sipas saj, për të marrë poena politik.
“Sa për aplikimin e Kosovës, ai aplikim është në sirtar të BE-së, shumë ma shumë ka qenë ceremoniale dhe është bërë për poena politike e partiake. E kanë ditur besoj edhe ata që Kosova është ende larg anëtarësimit në BE”, tha Haliti në “Tempus“ në KTV.
Ajo tha se janë dy vende të rajonit që janë duke bërë progres të jashtëzakonshëm, por që Kosova sipas saj, nuk është duke marrë iniciativë.
“Ne kemi marrëveshje ndërkombëtare të cilat kanë dështuar në Kuvend. E kemi edhe Zyrën e BE-së në Kosovë që në vazhdimësi ka pasur kritika për formën e qeverisjes”, tha Haliti.
Gazetarja theksoi se Kosova nuk është shtet që mund të distancohet, apo edhe të kritikojë BE-në, por që duhet të kryejë detyrat e saj në raport me BE-në.
“Nuk mjafton kjo që këta gjithmonë të jenë kritik me BE-në. Ne nuk jemi shtet që mund të distancohemi apo mund ta kritikojmë BE-në, ne duhet të kryejmë detyrat tona në raport me BE-në, kryesisht marrëveshja e Ohrit, nënshkrimi i marrëveshjes së Ohrit, aneksi është kryetema e secilës politikë përfshirë edhe dialogun. Është kryetema e secilit diplomat që vjen në Kosovë”, u shpreh ajo.
Jakaj për draft-raportin e PE-së: 2025-ta me të drejtë thuhet se është vit i humbur
Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se gjetjet e draft-raportit të Parlamentit Evropian për Kosovën janë në përputhje me vlerësimet që IKD i ka bërë vazhdimisht për zhvillimet institucionale dhe politike në vend.
Sipas tij, raporti i hartuar nga raportuesi Riho Terras reflekton mungesën e vullnetit politik për bashkëpunim ndërmjet akterëve politikë, duke theksuar se kjo situatë ka ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e institucioneve.
“Ajo që thuhet në raportin e Terras është ajo që ne si IKD e kemi thënë vazhdimisht. Nuk ka diçka përtej asaj që ne kemi theksuar, fillimisht mungesa e vullnetit politik për bashkëpunim, veçanërisht nga Lëvizja Vetëvendosje”, ka deklaruar Jakaj në “Tempus“.
Ai shtoi se, sipas vlerësimit të tij, qasja e partisë në pushtet ka reflektuar më shumë perceptimin e pushtetit si privilegj sesa si përgjegjësi ndaj qytetarëve.
“Duket sikur kur mbërrihet në pushtet, kjo shihet më shumë si privilegj sesa si përgjegjësi e marrë nga populli”, u shpreh ai.
Jakaj theksoi se gjatë vitit 2025 ka pasur vështirësi në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, duke shtuar se edhe kur është bërë zgjedhja, ajo sipas tij, është shoqëruar me probleme kushtetuese.
Hulumtuesi përmendi gjithashtu mungesën e progresit në miratimin e Strategjisë kundër korrupsionit, mangësitë në zbatimin e politikave për sundimin e ligjit, si dhe shqetësimet lidhur me cenimin e lirisë së mediave.
Sipas Jakajt, sfida kanë shoqëruar edhe procesin e dialogut Kosovë-Serbi, ndërsa disa marrëveshje në kuadër të Planit të Rritjes, të dakorduara që në dhjetor të vitit 2024, nuk kanë arritur të zbatohen për shkak të krizës institucionale në Kuvend.
“Pra, kryesisht viti 2025 me të drejtë thuhet se është vit i humbur”, ka theksuar Jakaj.
Gashi: Bllokada e Kuvendit vjen nga opozita, mazhoranca ka treguar vullnet për tejkalim të sfidave
Liza Gashi, deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, në emisionin “Tempus” në KTV, ka deklaruar se bllokada njëvjeçare e Kuvendit të Kosovës ka ndikuar që një numër i madh institucionesh të mbeten pa kontrollin e duhur parlamentar.
Sipas saj, kjo situatë ka ardhur si rezultat i qëndrimit të partive opozitare dhe jo për shkak të mungesës së vullnetit nga ana e mazhorancës.
“Një numër i madh i institucioneve nuk e kanë pasur kontrollin e duhur nga Kuvendi i Republikës si rezultat i bllokadës njëvjeçare. Kjo bllokadë, siç duket, vjen nga opozita e Republikës së Kosovës, sepse nuk është mungesë vullneti nga mazhoranca”, ka deklaruar Gashi.
Ajo theksoi se shumica parlamentare ka treguar vazhdimisht konstruktivitet dhe gatishmëri për t’i tejkaluar sfidat politike dhe institucionale.
“Mazhoranca ka treguar vazhdimisht konstruktivitet dhe ka shprehur vullnet për t’i tejkaluar këto sfida”, u shpreh deputetja.
Gashi shtoi se edhe në rrethanat kur nuk është votuar qeveria, përfshirë ndryshimin e kandidatit të propozuar për kryeministër nga Albin Kurti në Glauk Konjufcën, opozita ka insistuar që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.
“Prapë opozita dëshiroi ta dërgojë vendin në zgjedhje, dhe ky dërgim në zgjedhje ka dhënë një rezultat që është më se i qartë për legjitimitetin e Qeverisë Kurti 3”, ka theksuar Gashi.