Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gërvalla: Jam habitur nga dekreti i presidentes, ishte i nxituar

Donika Gervalla

Zëvendëskryeministrja e ministrja e Drejtësisë që është edhe bashkëkryetare Guxo-s, parti në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, tha se është habitur nga dekreti i presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e legjislaturës së dhjetë të Kuvendit.

Ajo tha se vendimi i nxjerrë në 08:00 të mëngjesit i është dukur i nxituar.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Presidentja është së pari juriste, së dyti me një eksperiencë të madhe në jetën politike, së treti presidentja është shumë e kujdesshme në vendimet që merren. Unë jam habitur. Mua më është dukur i nxituar ai veprim në 08:00 të mëngjesit. Unë jam e fundit që përmes mediave dua t’i japë këshilla presidentes se duhet ta kishte bërë apo çfarë duhet të kishte bërë. Kemi një situatë kushtetuese momentalisht, një Kuvend që nuk mund t’i ushtrojë detyrat e tij, që janë mbledhur jo vetëm marrëveshje ndërkombëtare. Për të kaluar në fushën time unë kam dorëzuar në Qeveri ligjin për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme që e rrëzoi gjykata dy herë, ne përsëri e kemi përgatitur  dhe e kemi proceduar në Qeveri, tani ku është Kuvendi që ta miratojë më tej?” - tha ajo në intervistë për transmetuesin publik. 

Gërvalla ka treguar se si ka ardhur deri te propozimi i Glauk Konjufcës si kandidat i Vetëvendosjes për postin e presidentit.

“Propozimi ynë erdhi veç në fund, pasi paraprakisht ishim përpjekur të siguronim president konsensual, pasi që në fillim të procesit të gjetjes së një emri na është bërë e ditur se presidentja Osmani nuk e gëzon mbështetjen e Parlamentit, pra nuk mund të sigurohen 80 apo 81 persona të pranishëm në sallë. Kemi filluar të bisedojmë edhe me PDK-në edhe me LDK-në me shpresën dhe me synimin që të gjejmë një president konsensual. Ideja fillestare ishte që Murat Jashari, i cili është një person jo vetëm i dinjitetshëm, jo vetëm emër i një familje të madhe, por si profesor i së Drejtës Kushtetuese, edhe një person që i plotëson të gjitha kushtet për të qenë personifikimi i presidentit që qëndron mbi partitë”, tha ajo.

Por, kur kjo gjë, sipas saj nuk mundi të realizohej dhe pastaj dolën me emrin e Konjufcës.

“Nuk patëm sukses dhe prandaj u desh të dilnim me një emër nga radhët e koalicionit tonë. Jo me një emër dosido, jo me një emër që provokon, një emër që bashkon. Njeriu që është i dyti në Kosovë me numrin më të madh të votave qytetare të marra ndonjëherë në historinë e vendit. Ne, mendojmë që edhe kur nuk arritëm të merreshim vesh me opozitën për një president konsensual, prapë se prapë emri i Glauk Konjufcës është i tillë që do të mund të kishte ofruar mundësinë edhe për deputetët të opozitës që do të mund të qëndronin në sallë e të mos na ballafaqojnë me bllokada të mëtejme”, tha ajo.

Gërvalla tha se përgjegjësia për bllokadën rreth zgjedhjes së presidentit të ri të shtetit është e qartë, tek ata që, sipas saj, atë natë nuk ishin në sallën e Kuvendit të Kosovës.

“Pas muajve e muajve me radhë në vitin 2025 ku u bë një teatër i jashtëzakonshëm dhe një bllokadë fillimisht me zgjedhjen e kryetarin e Kuvendit e më pas me mos zgjedhjen e Qeverisë dhe shkuarjen e vendit në zgjedhje, me rezultat të qartë për koalicionin tonë dhe me mesazh të qartë për partitë opozitare. Nuk kam dashur të besoj në asnjë moment që një situatë e tillë mund të na përsëritet. Por, ja që ndodhemi tani në këtë situatë ku përsëri Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë se si ecin proceset përpara", tha Gërvalla.

Kjo sipas Gërvallës, tregon për një papjekuri të jashtëzakonshme.

“Zgjedhja e presidentit duhet të jetë një ditë feste e jo një ditë bllokade. Pse ndodhemi në këtë situatë është për qytetarin e pakuptueshme, sepse çfarë duhet të bëjë qytetari më tepër. Qytetari ka dalë hy herë në zgjedhje, dhe përsëri po ballafaqohet me rrezikun që të dalë edhe njëherë të tretë”, tha ajo.


 

Gërvalla kritikon Ramën për editorialin e përbashkët me Vuçiqin në FAZ

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka kritikuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, lidhur me një editorial të përbashkët që ai ka publikuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung.

Ajo tha se krijohet përshtypja se sa herë që Vuçiq gjendet nën presion nga Bashkimi Evropian, Rama del në mbështetje të tij.

“Nga ana e kryeministrit Rama, i cili i tejkalon edhe ato kur kemi mbyllur njërin sy në të kaluarën, është artikulli i fundi i publikuar së bashku me Vuçiqin në gazetën prestigjioze gjermane. Unë mendoj që qytetarët e Kosovës nuk kanë për t’ia falur atë artikull kryeministri Rama. Sepse krijohet përshtypja herë pas herë që gjithmonë atëherë kur Vuçiqin BE-ja, Evropa e mbështetë me shpatulla për muri, del Edi Rama dhe e nxjerrë nga ajo situatë. Nuk duhet të ketë për Shqipërinë alternativa me Serbinë që nuk kalojnë nëpër Kosovë. Rruga nga Tirana nëpër Beograd qon nëpër Prishtinë, edhe gjeografikisht, edhe ekonomikisht edhe në çdo aspekt. Kështu, secili kryeministër apo president shqiptar që e harron këtë ta dini që afatgjatë ka për të bërë gabime të mëdha që kanë për ta dëmtuar kombin tonë më shumë”, tha ajo.

Kjo deklaratës e Gërvallës vjen pas një editoriali të përbashkët të kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq të publikuar në gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung.
Në këtë editorial, Rama dhe Vuçiq propozojnë që Shqipëria dhe Serbia të mund të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian edhe pa të drejta vetoje, pa komisionerë shtesë dhe pa ndryshime në strukturat vendimmarrëse të unionit.