Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të premten ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit. Në një konferencë për media, Osmani ka thënë se dështimi i të enjtes mbrëma i deputetëve të Kuvendit për të zgjedhur presidentin e ka shtyrë Kosovën në zgjedhje të reja. Lëvizja Vetëvendosje ka vlerësuar se dekreti i Osmanit për shpërndarje të Kuvendit bie ndesh me Kushtetutën.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAbdixhiku shprehet i gatshëm për zgjedhje: Kurdo që presidentja e vlerëson
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku pas takimit me presidenten Vjosa Osmani tha se nuk është caktuar datë zyrtare për zgjedhjet, megjithatë deklaroi se LDK-ja është e gatshme.
“Patëm diskutime zyrtare për datën e zgjedhjeve. Kurdo që Presidentja e vlerëson, në afatin kushtetues të rregullt brenda parashikimeve kushtetuese”, tha Abdixhiku, raportoi EO.
Kryetari i AAK-së paraprakisht dha tri data të mundshme për zgjedhjet që janë diskutuar në takim. Si opsion ka dhënë datat prej 5-12-19 prill, por që mund të ketë edhe datë tjetër.
Hamza: Osmani veproi me përgjegjësi, por edhe vendimi i Kushtetueses i pranueshëm për PDK-në
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, pas takimit që e ka zhvilluar me presidenten Vjosa Osmani, ka thënë se me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit ka vepruar në përputhje me përgjegjësitë dhe obligimet e veta, por se ka shtuar se megjithatë për PDK-ja do të pranojë çdo vendim që Gjykata Kushtetuese do të nxjerrë për këtë çështje.
Pas takimit të thirrur Osmani, për caktimin e datës së zgjedhjeve Hamza, ka deklaruar se nuk ka pasur vullnet nga VV-ja që vendit t’i japë president.
“Ne e shprehem qëndrimit tonë, ne e dimë që janë dërguar disa shkresa, se a do t’i trajtojë Gjykata Kushtetuese si të pranueshme apo të papranueshme, çdo vendim që merret nga Gjykata Kushtetuese ka qenë gjithmonë i respektuar dhe i zbatuar nga PDK-ja. Besoj që presidentja i ka analizuar mirë veprimet e veta, ka vepruar në përputhje me përgjegjësitë dhe detyrimet e veta, megjithatë vendimi i Kushtetueses është i pranueshëm për PDK-në”, ka theksuar Hamza.
Ai ka thënë se zgjedhja e presidentit historikisht në Kosovë ka ndodhur me marrëveshje politike
“Shpreh keqardhjen qe kemi ardhur deri këtu, nuk ka pasur asnjë arsye, ka pasur më shumë se një alternativë, përgjegjësia i bie normalisht partisë fituese, partisë më të madhe sepse ka mundur t’i japë vendit president ... Ne si PDK kemi qenë mjaftueshëm konstruktiv dhe të hapur dhe kemi bërë të gjitha përpjekjet që vendit t’i japim president, nuk kam vendosur vija të kuqe ndaj asnjë subjekti”, ka deklaruar Hamza.
VIDEO: Deklarata e plotë e Hamzës dhe Haradinajt pas takimit
Haradinaj: 5, 12 ose 19 prilli datat e mundshme për zgjedhje
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit me presidenten ka dhënë tri data të mundshme për zgjedhjet.
“Janë opsion datat prej 5-12-19 prill, mund të ketë edhe datë tjetër”, ka thënë ai para mediave.
Ai ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për mospjesëmarrje në takim, ashtu si edhe adresimin e kësaj partie në Gjykatën Kushtetuese për dekretin e presidentes për shpërndarjen e Kuvendit të premten.
“Ndjesi e keqe ishte mospjesëmarrja e VV-së. Është e pakuptimtë mospjesëmarrja e tyre. Mosardhje e tyre sot është një lloj fyerje për vendin, institucionet. Kurtit iu kanë përgjigjur në takime kryetarët e partive opozitare një nga një dhe shumë herë ka pasur konsulta. Mosardhja e tyre sot nuk është në rregull. Adresimi në Gjykatë Kushtetuese është një fyerje në vete, tallje, hajgare me proceset”, ka theksuar Haradinaj.
VIDEO: Deklarata e plotë e Haradinajt dhe Hamzës pas takimit me Osmanin
Gjermania: Për përparim në integrime evropiane, Kosovës i duhen institucione të qëndrueshme
Gjermania e ka theksuar rëndësinë e konstituimit të të gjitha institucioneve për rrugën integruese të Kosovës.
Në një përgjigje Ambasada gjermane në Kosovë ka deklaruar se për të arritur përparim Kosovës i duhen institucione të qëndrueshme.
“Gjermania vazhdon të jetë mike dhe partnere e fuqishme për rrugën e Kosovës drejt integrimit euroatlantik. Për të arritur përparim në këtë rrugë, na duhen institucione plotësisht të konstituuara dhe të qëndrueshme në Kosovë”, thuhet në përgjigje.
Ambasada e Italisë: Shpresojmë në zgjidhje të shpejtë dhe konstruktive për çështjen e presidentit
Ambasada e Italisë në Kosovë ka shprehur shqetësimin për zhvillimet e fundit në vend sa i përket presidentit.
Nga kjo ambasadë është thënë se shpresojnë që të gjendet një zgjidhje e shpejtë për ta tejkaluar bllokadën aktuale politike.
“Po i ndjekim me vëmendje të madhe zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe me disa shqetësime, veçanërisht dështimin për të zgjedhur presidentin e Republikës. Shpresojmë sinqerisht që të gjendet një zgjidhje e shpejtë dhe konstruktive, duke i lejuar vendit të ecë përtej ngërçit aktual dhe të rifokusohet në avancimin e reformave shumë të nevojshme dhe prioriteteve të përbashkëta”, thuhet në reagimin e ambasadës për KOHËN.
Nis takimi i presidentes me krerët e partive politike, s'merr pjesë VV-ja
Ka nisur takimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me përfaqësuesit e partive politike, të cilin ajo e ka thirrur për caktimin e datës së zgjedhjeve.
Në takim kanë shkuar krerët e partive politike PDK, LDK e AAK. Vetëvendosja ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë pasi e ka vlerësuar kundërkushtetues dekretin e Osmanit për shpërndarjen e Kuvednit, rrjedhimisht edhe takimin për caktimin e datës së zgjedhjeve.
Presidentja Osmani të premten ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.
Sipas Ligjit, zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen brenda 45 ditësh, por jo më herët se 30 ditë pas shpërndarjes së Kuvendit.


VV: Shpërndarja e Kuvendit, kundërkushtetuese
Lëvizja Vetëvendosje e ka vlerësuar kundërkushtetues dekretin e presidentes për shpërndarjen e Kuvendit, derisa ka insistuar se që nga mbrëmja e 5 marsit ka hyrë në fuqi afati 60-ditor që përcaktohet në Kushtetutë për zgjedhjen e presidentit.
Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se shpërndarja e Kuvendit bie ndesh me Kushtetutën, derisa njoftoi se sot, 6 mars, LVV do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.
“Nuk ka asnjë arsye se pse duhej të ndodhte një akt i tillë sot në mëngjes. Me kërkesën e Qeverisë sot në 14:00 ka qenë e ftuar një seancë për shqyrtimin e marrëveshjeve ndërkombëtare me vlerë rreth 100 milionë euro projekte me interes të qytetarëve”, ka thënë ajo në konferencë për media.
Nagavci ka shtuar se Vetëvendosja ka bërë çfarë ka pasur në dorë për të shmangur edhe një palë zgjedhje.
“PDK-ja insistonte se posti i presidentit u takon atyre ndonëse kishin 22 vota në Kuvend. Kur u pyetën për emrin, nuk e bënë publik. Edhe PDK edhe LDK kanë refuzuar të propozojnë kandidat të tyre. Edhe presidentja Osmani nuk pranoi nënshkrimet e LVV duke kërkuar që kandidatura e saj të bëhej vetëm me garantim të rezultatit dhe votave të gjithë deputetëve tanë”, potencoi ajo.
Ndërsa nuk ka përmendur emër konkret, Nagavci ka thënë se “ne kemi qenë të vetëdijshëm që ka shumë palë dhe grupe të interesit që u ka penguar mbështetja e madhe e qytetarëve për LVV-në dhe Kurtin”.
Ndërsa Adnan Rrustemi ka thënë se Osmani mandatin e saj 5-vjeçar po e mbyll më shkelje të rëndë kushtetuese.
“Kuvendi i Kosovës ka pasur plotësisht bazën kushtetuese për t’u përpjekje për ta zgjedhur presidentin në përputhje me procedurën që ka filluar mbrëmë, edhe 59 ditë, për më shumë kemi edhe 59 ditë, data më e hershme eventuale për shpërndarje të Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshëm do të ishte 4 maji”, është shprehur Rrustemi.
Sipas tij kjo parashihet në nenin 82, paragrafin 3 të Kushtetutës.
“Madje paradoksalisht siç e thotë edhe dekreti i presidentes për të shpërndarë Kuvendin në bazën kushtetuese në krye të aktit, i referohet paragrafit 3 të nenit 82, që thotë se Kuvendi shpërndahet nëse dështon të zgjedh presidentin e Republikës brenda 60 ditëve nga nisja e procedurës”, ka theksuar Rrustemi.
Ai ka thënë se presin që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshëm, par siç ka theksuar, ndaluar dhe kufizuar pasojat e këtij dekreti.
Fetahu: Dekreti i Osmanit kushtetues, zgjedhjet duhet të mbahen brenda 45 ditësh nga shpallja e tyre
Avokati Faton Fetahu, ka vlerësuar se është “fakt i pakontestueshëm se ka dështuar zgjedhja e presidentit brenda afatit prej më së voni 30 ditëve para përfundimit të mandatit të presidentes aktuale”.
Po ashtu, sipas Fetahut, që ka qenë përfaqësues i PDK-së në të gjitha rastet që kjo parti i ka dërguar në Kushtetuese, është fakt i pakontestueshëm se afati 60-ditor për zhvillimin e procedurës për zgjedhjen e Presidentit, sipas nenit 82 (3), “ka filluar të rrjedhë nga data 5 janar dhe ka përfunduar dje, më 5 mars 2026”.
“Presidenti nuk është zgjedhur dhe, për pasojë, në mënyrë automatike vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Prandaj, dekreti i Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit, si rezultat i dështimit për ta zgjedhur Presidentin sipas afateve të mësipërme, është plotësisht kushtetues”, ka shkrua Fetahu në Facebook.
Sipas tij zgjedhjet duhet të mbahen brenda 45 ditësh nga shpallja e tyre.
Surroi: Vetëm Kushtetuesja vendos për zgjedhje të parakohshme, dekreti i Osmanit i nxituar
Publicisti Veton Surroi ka reaguar pasi që presidentja Vjosa Osmani të premten ka nxjerrë dekret për shpërndarje të Kuvendi dhe ka ftuar partitë politike në takim për të caktuar datën e zgjedhjeve.
Sipas Surroit Kosova mund të mos shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Ai ka thënë se nëse kjo mundësi është e madhe, e vogël apo fare e papërfillshme, kjo është çështje që mund ta përcaktojë vetëm Gjykata Kushtetuese e Kosovës. “Asaj i takon të vendosë nëse Kuvendi i Kosovës është ende në proces kushtetues të zgjedhjes së Presidentit apo nëse afati për këtë proces tashmë ka përfunduar”, ka shkruar Surroi.
Ai ka thënë se përderisa ekziston kjo paqartësi juridike dhe përderisa gjykimin përfundimtar e ka vetëm Gjykata Kushtetuese vendi nuk ka nevojë për vendime impulsive.
“Më 5 mars në mbrëmje Kuvendi i Kosovës u mblodh në një seancë urgjente për të diskutuar ndryshime kushtetuese, pas procedimit të papritur dhe urgjent që Presidentja e vendit ia bëri Kryetares së Kuvendit. Ndryshimet kushtetuese kërkojnë më shumë kohezion shoqëror dhe konsensus politik se çdo vendim tjetër që merr Kuvendi, përfshirë edhe zgjedhjen e Presidentit. Trajtimi me urgjencë i amendamenteve kushtetuese, të dakorduara para njëmbëdhjetë vjetësh, tregoi mungesë serioziteti për një çështje të një rëndësie të veçantë”, ka shkruar ai.
Ai e ka vlerësuar të nxituar dekretin e Osmanit për shpërndarje të Kuvendit.
“Dekreti për shpërndarjen e Kuvendit në mëngjesin e 6 marsit mbetet një veprim i nxituar përderisa ekziston një çështje pranë Gjykatës Kushtetuese që mund të përcaktojë nëse procesi për zgjedhjen e Presidentit është ende brenda afatit kushtetues. Në situata të tilla, prudenca institucionale do të kërkonte që të pritej sqarimi juridik”, ka shkruar Surroi.
Ai ka thënë se Gjykata Kushtetuese nuk kishte as obligim dhe as mundësi reale të mblidhej gjatë natës për të dhënë një qëndrim paraprak mbi kërkesën e parashtruar nga Lëvizja Vetëvendosje, qoftë për pranueshmërinë e saj apo për mundësinë e vendosjes së një mase të përkohshme. “Megjithatë, dekreti për shpërndarjen e Kuvendit mund të kishte pritur së paku përfundimin e orarit të punës së Gjykatës. Në këtë mënyrë, vendimi mori pamjen e një akti të nxituar”, ka shkruar Surroi.
Ai ka vlerësuar se kurdo që të merret vendimi i Gjykatës Kushtetuese për këtë lëndë apo për ndonjë çështje tjetër që mund të shtrohet rreth kësaj materieje, vendi do të ketë qartësinë juridike të nevojshme.
“Nëse Gjykata konstaton se ende ekziston hapësirë kushtetuese për të mos shkuar në zgjedhje, atëherë përgjegjësia bie mbi partitë politike që të krijojnë kohezionin dhe konsensusin e nevojshëm për zgjedhjen e Presidentit brenda afatit që do të përcaktojë Gjykata. Në të kundërtën, duhet të fillojnë përgatitjet për zgjedhje të parakohshme”, ka shkruar ai, duke shtuar se cilido që të jetë përfundimi juridik i kësaj çështjeje, Presidentja e vendit dhe partitë politike do të ndihmonin situatën duke shmangur një fjalor që thellon më tej polarizimet politike dhe shoqërore.
Osmani nis konsultimet për datën e zgjedhjeve nga ora 13:00
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të nisë konsultimet me përfaqësuesit e partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve, sot në orën 13:00, konfirmuan nga Presidenca.
Presidentja Osmani të premten ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.
Sipas Ligjit, zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen brenda 45 ditësh, por jo më herët se 30 ditë.
PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja kanë konfirmuar pjesëmarrjen në konsultime.
Kurse, LVV-ja nuk do të marrë pjesë në takim, pasi anëtari i saj Adnan Rrustemi ka thënë në një konferencë për media se takimi i sotëm më partitë politike për datën e zgjedhjeve dhe vendimi eventual për datën e zgjedhjeve janë në kundërshtim me Kushtetutën. LVV-ja kundërkushtetues e ka quajtur edhe dekretin e presidentes për shpërndarjen e Kuvendit.
Kurti nuk deklarohet për media
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ka pranuar të deklarohet për media lidhur me vendimin e presidentes Vjosa Osmanit që të shpërndajë Kuvendin.
Pas homazheve në Prekaz te kompleksi memorial “Adem Jashari”, në nder të Epopesë së UÇK-së, Kurti ka thënë se për këtë do të flasë më vonë në Prishtinë.
Osmani të premten ka njoftuar se ka nxjerrë dekretin për shpërndarje të Kuvendit pasi në seancën e mbajtur të Enjten deputetët nuk kanë arritur që të zgjedhin presidentin e ri.
Çitaku: Ambicia e shfrenuar e LVV-së për kontroll total të institucioneve po e çon vendin në zgjedhje
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se përgjegjësinë për dështimin e zgjedhjes së presidentit e ka Lëvizja Vetëvendosje.
Ajo e ka akuzuar këtë parti për siç ka thënë, ambicie të shfrenuar për kontroll total të institucioneve.
“Egot politike dhe ambicia e shfrenuar për kontroll total të institucioneve nga LVV po e lënë Kosovën sërish pa institucione dhe po e shtyjnë vendin drejt një cikli tjetër zgjedhjesh. Adresa e përgjegjësisë është e qartë kristal: refuzimi i LVV-së për marrëveshje dhe për dialog të sinqertë politik”, ka shkruar Çitaku në Facebook.
“Sot, kur të shkojnë e të bëjnë homazhe aty ku pushojnë heronjtë tanë, duhet të ndihen të turpëruar. Është luftuar shumë dhe gjatë që qytetarët tanë të kenë të drejtën të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe të jetojnë të lirë. Kjo liri dhe kjo Republikë nuk guxojnë të shpërdorohen”, ka shkruar tutje Çitaku.
Ambasadorët e QUNIT-it në Qeveri
Ambasadorët e vendeve të QUNIT-it kanë qëndruar të premten në ndërtesën e Qeverisë.
Aty janë parë duke u larguar nga ndërtesa, ndërkohë që nuk ka pasur ndonjë njoftim për ndonjë takim, raporton EO.
Vendet e QUINT-it janë Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Franca dhe Gjermania.
Ata kanë qëndruar në Qeveri në kohën ku presidentja Vjosa Osmani ka mbajtur konferencë dhe ka njoftuar se ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, pasi të enjten deputetët kanë dështuar ta zgjedhin presidentin e ri.
Abdixhiku: Apetitet për kapje njëpartiake të të gjitha pozitave shtetërore parandaluan çdo kompromis
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se e mbështet dekretin e presidentes për shpërndarjen e Kuvendit.
Ai ka shprehur gatishmërinë për pjesëmarrjen në konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve.
“LDK vlerëson përgjegjësinë dhe qartësinë kushtetuese të treguar në këtë vendim nga ajo, në mbrojtje të rendit kushtetues dhe funksionimit normal të institucioneve të Republikës. Dështimi politik, bashkë me tendencat e rrezikshme të imponimit e improvizimit, nuk mund të prodhojnë as debate artificiale politike e as zvarritje procedurale që do ta shndërronin Republikën tonë në një vend pa norma dhe pa rregulla”, ka shkruar ai në Facebook.
Abdixhiku ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për tentim-kapje të pozitave shtetërore.
“Zgjedhjet nuk ishin asnjëherë alternativa e preferuar e LDK-së. Përkundrazi, ato ishin krejt të panevojshme dhe lehtësisht të shmangshme. Fatkeqësisht, apetitet për kapje njëpartiake të të gjitha pozitave shtetërore parandaluan çdo kompromis eventual”.