Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Osmani dekreton shpërndarjen e Kuvendit, VV-ja e çon në Kushtetuese

Vjosa Osmani - Arberie Nagavci Adnan Rrustemi

Foto-ilustrim: Driton Paçarada - KOHA

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të premten ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit. Në një konferencë për media, Osmani ka thënë se dështimi i të enjtes mbrëma i deputetëve të Kuvendit për të zgjedhur presidentin e ka shtyrë Kosovën në zgjedhje të reja. Lëvizja Vetëvendosje ka vlerësuar se dekreti i Osmanit për shpërndarje të Kuvendit bie ndesh me Kushtetutën. Kjo parti ka bërë të ditur se dekretin do ta çojë në Gjykatën Kushtetuese

Osmani nis konsultimet për datën e zgjedhjeve nga ora 13:00

7 muaj më parë / 6 mar 2026 11:20
v o

Photo: Driton Paçarada

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të nisë konsultimet me përfaqësuesit e partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve, sot në orën 13:00, konfirmuan nga Presidenca. 

Presidentja Osmani të premten ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.

Sipas Ligjit, zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen brenda 45 ditësh, por jo më herët se 30 ditë.

PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja kanë konfirmuar pjesëmarrjen në konsultime. 

Kurse, LVV-ja nuk do të marrë pjesë në takim, pasi anëtari i saj Adnan Rrustemi ka thënë në një konferencë për media se takimi i sotëm më partitë politike për datën e zgjedhjeve dhe vendimi eventual për datën e zgjedhjeve janë në kundërshtim me Kushtetutën. LVV-ja kundërkushtetues e ka quajtur edhe dekretin e presidentes për shpërndarjen e Kuvendit.

Kurti nuk deklarohet për media

7 muaj më parë / 6 mar 2026 11:13
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ka pranuar të deklarohet për media lidhur me vendimin e presidentes Vjosa Osmanit që të shpërndajë Kuvendin.

Pas homazheve në Prekaz te kompleksi memorial “Adem Jashari”, në nder të Epopesë së UÇK-së, Kurti ka thënë se për këtë do të flasë më vonë në Prishtinë. 

Osmani të premten ka njoftuar se ka nxjerrë dekretin për shpërndarje të Kuvendit pasi në seancën e mbajtur të Enjten deputetët nuk kanë arritur që të zgjedhin presidentin e ri. 

Çitaku: Ambicia e shfrenuar e LVV-së për kontroll total të institucioneve po e çon vendin në zgjedhje

7 muaj më parë / 6 mar 2026 10:17
Vlora Çitaku

Foto: Arkiv

Photo: Driton Paçarada

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se përgjegjësinë për dështimin e zgjedhjes së presidentit e ka Lëvizja Vetëvendosje. 

Ajo e ka akuzuar këtë parti për siç ka thënë, ambicie të shfrenuar për kontroll total të institucioneve. 

“Egot politike dhe ambicia e shfrenuar për kontroll total të institucioneve nga LVV po e lënë Kosovën sërish pa institucione dhe po e shtyjnë vendin drejt një cikli tjetër zgjedhjesh. Adresa e përgjegjësisë është e qartë kristal: refuzimi i LVV-së për marrëveshje dhe për dialog të sinqertë politik”, ka shkruar Çitaku në Facebook. 

“Sot, kur të shkojnë e të bëjnë homazhe aty ku pushojnë heronjtë tanë, duhet të ndihen të turpëruar. Është luftuar shumë dhe gjatë që qytetarët tanë të kenë të drejtën të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe të jetojnë të lirë. Kjo liri dhe kjo Republikë nuk guxojnë të shpërdorohen”, ka shkruar tutje Çitaku. 

Ambasadorët e QUNIT-it në Qeveri

7 muaj më parë / 6 mar 2026 09:44
quint-qeveri

Ambasadorët e vendeve të QUNIT-it kanë qëndruar të premten në ndërtesën e Qeverisë. 

Aty janë parë duke u larguar nga ndërtesa, ndërkohë që nuk ka pasur ndonjë njoftim për ndonjë takim, raporton EO. 

Vendet e QUINT-it janë Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Franca dhe Gjermania.

Ata kanë qëndruar në Qeveri në kohën ku presidentja Vjosa Osmani ka mbajtur konferencë dhe ka njoftuar se ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, pasi të enjten deputetët kanë dështuar ta zgjedhin presidentin e ri. 

Abdixhiku: Apetitet për kapje njëpartiake të të gjitha pozitave shtetërore parandaluan çdo kompromis

7 muaj më parë / 6 mar 2026 09:35
Lumir Abdixhiku

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se e mbështet dekretin e presidentes për shpërndarjen e  Kuvendit. 

Ai ka shprehur gatishmërinë për pjesëmarrjen në konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve. 

“LDK vlerëson përgjegjësinë dhe qartësinë kushtetuese të treguar në këtë vendim nga ajo, në mbrojtje të rendit kushtetues dhe funksionimit normal të institucioneve të Republikës. Dështimi politik, bashkë me tendencat e rrezikshme të imponimit e improvizimit, nuk mund të prodhojnë as debate artificiale politike e as zvarritje procedurale që do ta shndërronin Republikën tonë në një vend pa norma dhe pa rregulla”, ka shkruar ai në Facebook. 

Abdixhiku ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për tentim-kapje të pozitave shtetërore. 

“Zgjedhjet nuk ishin asnjëherë alternativa e preferuar e LDK-së. Përkundrazi, ato ishin krejt të panevojshme dhe lehtësisht të shmangshme. Fatkeqësisht, apetitet për kapje njëpartiake të të gjitha pozitave shtetërore parandaluan çdo kompromis eventual”.