Shtojca për Kulturë

Beteja për “Oscar”: “Oppenheimeri” dhe favoritët e tjerë

Drama historike e Christopher Nolanit mori vulën e suksesit qysh në arkat filmike – duke fituar mbi 950 milionë dollarë në nivel global – përpara se të triumfonte në secilën ceremoni në fillim të sezonit të shpërblimeve në Hollywood. Kjo ka mjaftuar që të shndërrohet në zgjedhjen e dukshme të kritikëve dhe gazetarëve, si filmi favorit për ta rrëmbyer trofeun e artë. Ata vlerësojnë se asgjë nuk mund ta ndalojë triumfin e “Oppenheimer” në këtë kategori

Në prag të edicionit të 96-të të ceremonisë prestigjioze kinematografike “Oscar”, e cila mbahet sonte (e diel) në teatrin “Dolby” në Hollywood, ekspertët e industrisë i kanë prezantuar parashikimet e fundit për fituesit potencialë të disa prej kategorive kryesore të mbrëmjes.

Dominimi i filmit “Oppenheimer” në ngjarjet e fundit “SAG Awards” dhe “BAFTA”, ngjitja e ngadaltë, por e qëndrueshme e filmit “Anatomy of a Fall”, nga shpallja fitues i “Palmës së Artë” në Festivalin e Cannes e deri te bërja pretendent serioz për ta marrë trofeun e artë “Oscar”, janë disa prej momenteve që pritet ta karakterizojnë ceremoninë, ku në rolin e prezantuesit të shout edhe një herë vjen Jimmy Kimmel.

Gjatë një nate plot glamur, ku marrin pjesë yje të shquara të skenës, me performanca muzikore të profilit të lartë të këngëve të nominuara këtë vit, sytë e publikut do të jenë te pretendentët e mëdhenj, si: Christopher Nolan, Lily Gladstone, Cillian Murphy, Da’Vine Joy Randolph, Robert Downey Jr. dhe të tjerë.

Çuditërisht, beteja për çmimin “Filmi më i mirë” përfundoi relativisht shpejt, pasi u shpallën fituesit për pararendësit kryesorë. Drama historike e Christopher Nolanit mori vulën e suksesit qysh në arkat filmike – duke fituar mbi 950 milionë dollarë në nivel global – përpara se të triumfonte në secilën ceremoni në fillim të sezonit të shpërblimeve në Hollywood. Kjo ka mjaftuar që të shndërrohet në zgjedhjen e dukshme të kritikëve dhe gazetarëve, si filmi favorit për ta rrëmbyer trofeun e artë. Ata vlerësojnë se asgjë nuk mund ta ndalojë triumfin e “Oppenheimer” në këtë kategori, madje as drama historike e vlerësuar lart e Martin Scorseses, “Killers of the Flower Moon”. Projektet e tjera në garë për t’u shpallur filmi më i mirë i vitit janë: “American Fiction”, “Anatomy of a Fall”, “Barbie”, “The Holdovers”, “Maestro”, “Past Lives”, “Poor Things” dhe “The Zone of Interest”.

Titani në industrinë e filmit

Në anën tjetër, personi prapa filmit “Oppenheimer” është pikërisht ai për të cilin Hollywoodi ka nevojë tani. Një filmbërës i kategorisë A, që gëzon admirimin e aktorëve, kolegëve regjisorë dhe publikut po ashtu. Christopher Nolan është një titan në industrinë e filmit, i cili vetëm bazuar në emrin e tij shet bileta rekord nëpër kinema, pavarësisht yjeve të cilët i angazhon në filma. Ndikimi i tij në industri shtrihet përtej Hollywoodit – kap përmasa globale të kinematografisë – prandaj votuesit e Akademisë votuan në favor të dramës “Oppenheimer”, duke e nominuar në 13 kategori për çmim “Oscar”. Këto bënë që Nolani ta kryesojë listën e konkurrentëve për çmimin “Regjisori më i mirë”, të përbërë nga, Justine Triet, Martin Scorsese, Yorgos Lanthimos dhe Jonathan Glazer.

Aktorët pretendentë

Në një moment të caktuar pati ndryshim në narrativën në dukje të pashmangshme se, Cillian Murphy mund të shpallej aktori më i mirë protagonist, kjo pasi filmi i tij “Oppenheimer” rrëmbeu vëmendjen e pothuajse të çdo votuesi në fillim të garës, por dalëngadalë në mesin e favoritëve u fut edhe aktori Paul Giamatti, për rolin në filmin “The Holdovers”. Siç duket personazhi i tij si një profesor i turpshëm që kujdeset për një student problematik gjatë pushimeve verore kishte arritur të komunikonte më mirë me shikuesit krahasuar me personazhin e vrazhdë dhe të tërbuar të cilin Murphy e luan në “Oppenheimer”. Por, përfundimisht ai u kthye në listën e favoritëve për ta fituar çmimin “Oscar”, pas triumfit të padiskutueshëm në ngjarjet e kaluara “SAG” dhe “BAFTA”. Të nominuar në këtë kategori janë edhe aktorët Bradley Cooper me filmin “Maestro”, Colman Domingo me “Rustin” dhe Jeffrey Wright me “American Fiction”.

Gara atipike midis aktoreve

Duke vazhduar me traditën, kategoria “Aktorja më e mirë” është ndoshta gara më interesante e vitit – falë pretendentëve atipikë që konkurrojnë për çmimin kryesor. Ajo këtë vit zhvillohet mes yjeve Annette Bening me filmin “Nyad”, Lily Gladstone me “Killers of the Flower Moon”, Sandra Hüller me “Anatomy of a Fall”, Carey Mulligan me “Maestro” dhe Emma Stone me filmin “Poor Things”. Por sipas ekspertëve të industrisë është Lily Gladstone ajo që konsiderohet favorite për t’u shpërblyer. Ajo tashmë ka bërë histori si aktorja e parë indigjene amerikane e nominuar në këtë kategori, si dhe ka rrëmbyer të njëjtin çmim në ceremonitë “SAG” dhe “Globi i Artë”.

Rolet dytësore

Po aq i njohur sa është “Oppenheimer” për publikun, ashtu konsiderohet edhe performanca e aktorit Robert Downey Jr. në këtë film. Akademia pëlqen një aktor të shquar që ndryshon pamjen – veçanërisht kur është për një rol të bazuar në një figurë historike të jetës reale. Këtu, ylli i filmave të “Marvelit” lë pas famën që i ndjek superheronjtë e ekranit, për ta luajtur një admiral të moshuar. Shumë njerëz kanë vlerësuar se ai shfaqet pothuajse i panjohur në këtë rol, e kjo me sa duket ishte e mjaftueshme që votuesit e industrisë ta përcaktojnë rrugën e tij drejt fitores së çmimit të parë “Oscar”, një vlerësim i vonuar prej kohësh për një nga rolet më të vogla në filmografinë e tij mahnitëse. Në kategorinë “Aktori më i mirë në rol dytësor”, ai garon krahas emrave të shquar të Hollywoodit, si: Sterling K. Brown, Robert De Niro, Ryan Gosling dhe Mark Ruffalo.

Ndërsa për çmimin “Aktorja më e mirë në rol dytësor”, siç duket mendimi i kritikëve, gazetarëve dhe publikut është i ndarë te një person i vetëm. Ajo është Da’Vine Joy Randolph, e cila po konsiderohet zemra e filmit të Alexander Payne, “The Holdovers”. Në këtë sezon të shpërblimeve ajo ka dominuar me çmimet e fituara në këtë kategori, në ceremoni të tilla si “Globi i Artë”, “Critics Choice Awards”, “BAFTA” dhe “SAG Awards”. Kjo bën që fitorja e saj në mbrëmjen e së dielës të jetë e pashmangshme dhe e merituar plotësisht, ani pse garon krahas emrave të mëdhenj të industrisë së filmit, si: Jodie Foster, Emily Blunt, America Ferrera dhe Danielle Brooks.

“Skenarët” për skenarin më të mirë

Parashikimet për kategorinë “Skenari më u mirë origjinal” e favorizojnë filmin, “Anatomy of a Fall”, krahas atyre “The Holdovers”, “Maestro”, “May December” dhe “Past Lives”. Në kategorinë “Skenari më i mirë i adaptuar” besohet se do të triumfojë filmi “American Fiction”, edhe pse është në garë të ngushtë me projekte të mëdha, si “Barbie”, “Oppenheimer”, “Poor Things” dhe “The Zone of Interest”. Për kategorinë ku në të kaluarën ka synuar të nominohet edhe Kosova, atë “Filmi më i mirë i huaj”, sivjet garojnë filmat: “Io Capitano” nga Italia, “Perfect Days” nga Japonia, “Society of the Snow” nga Spanja, “The Teachers’ Lounge” nga Gjermania dhe “The Zone of Interest” nga Britania e Madhe. Sipas listës së portalit “Entertainment Weekly”, ky i fundit vlerësohet si favorit për të marrë trofeun e artë.

“20 Days in Mariupol” në pritje të triumfit

“20 Days in Mariupol” parashikohet se do ta fitojë çmimin “Dokumentari më i mirë”, kurse “Spider-Man: Across the Spider-Verse” besohet se triumfon në kategorinë “Filmi më i mirë i animuar”. Favoritja kryesore për kategorinë “Kënga më e mirë origjinale” vlerësohet pop-ylli amerikan, Billie Eilish, me “What Was I Made For?”, kolonë zanore e filmit hit në arkat filmike, “Barbie”.

Marrë nga “Entertainment Weekly”. Përgatiti Edona Binaku