Fituesi absolut i ceremonisë “Oscar” për sivjet është “Oppenheimeri” për babanë e bombës atomike, që rrëmbeu shtatë çmime trofe. Kjo qe një lloj fitoreje e paralajmëruar. “Ne realizuam film për njeriun që e krijoi bombën atomike, dhe për të mirë a për të keq, të gjithë po jetojmë në botën e Oppenheimerit. Kështu që unë do të doja t’ua kushtoja këtë çmim paqebërësve kudo në botë”, ka thënë Cillian Murphy, i cili mori trofeun për aktorin më të mirë. Anash shkëlqimi i një ceremonie të tillë, jehona që la pas janë mesazhet për paqe në botë
Drama e regjisorit Christopher Nolan, “Oppenheimer”, që trajton historinë e krijimit të bombës atomike, ashtu siç u parashikua, e dominoi edicionin e 96-të të ceremonisë “Oscar” të dielën mbrëma, duke fituar shtatë trofe nga gjithsej 13 kategoritë ku ishte nominuar. Ndër çmimet e fituara gjatë mbrëmjes ishin edhe ato kryesoret, “Filmi më i mirë” dhe “Regjisori më i mirë”.
Filmi, i cili mori vëmendje të shtuar në një kohë konfliktesh ndërkombëtare, gjithashtu fitoi çmime akademike për performancën e aktorit protagonist, Cillian Murphy, si J. Robert Oppenheimer dhe aktorin dytësor, Robert Downey Jr., i cili në ekran e portretizon një burokrat hakmarrës.
“Ne realizuam film për njeriun që e krijoi bombën atomike, dhe për të mirë a për të keq, të gjithë po jetojmë në botën e Oppenheimerit. Kështu që unë do të doja t’ua kushtoja këtë çmim paqebërësve kudo në botë”, tha Murphy para të pranishmëve në sallë.
Jehona e mesazheve jashtë shkëlqimit të sallës
Pak metra larg vendit ku ishte shtruar tapeti i kuq i ceremonisë “Oscar” ishin mbledhur qindra protestues, të cilët bënin thirrje për armëpushim në luftën Izrael-Hamas në Gaza, ndërsa fituesit e mbrëmjes përdorën fjalimet e tyre për ta dënuar krizën humanitare në atë rajon, së bashku me atë të shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës. Demonstratat pro-palestineze në zemër të Hollywoodit penguan trafikun rreth teatrit “Dolby”, duke bërë që festa prestigjioze e filmit të fillojë me vonesë.
Për regjisorin e shquar amerikan, Nolan, shpërblimet e fituara erdhën pas një historie të ngatërruar me Akademinë e Filmit dhe Shkencave. Ai ishte nominuar disa herë në të kaluarën, përfshirë kategorinë “Regjisori më i mirë” për filmin e vitit 2017, “Dunkirk”, dhe punën e mrekullueshme në filmat “Memento” dhe “Inception”. Por votuesit e Akademisë e shpërfillën hitin e tij më të madh të vitit 2008, “The Dark Knight”, në kategoritë “Filmi më i mirë” dhe “Regjisori më i mirë”, veprim ky i cili provokoi zemërim te publiku dhe bëri që organizata ta rriste numrin e filmave të nominuar për më të mirin e vitit, nga pesë në dhjetë sish.
Duke qenë se më në fund arriti të fitojë trofeun e tij personal, regjisori i bëri homazhe formës së artit që ai pëlqen.
“Filmat janë pak më shumë se 100 vjet të vjetër. Ne nuk e dimë se ku po shkon ky rrugëtim i jashtëzakonshëm i kinematografisë, por kur e di që ju mendoni se unë jam një pjesë domethënëse e saj, kjo do të thotë gjithçka për mua”, ka thënë ai.
Nolan, po ashtu, e ka shkruar skenarin përderisa ka edhe rolin e bashkëproducentit të filmit “Oppenheimer”.
Origjinaliteti dhe befasitë në kategorinë e aktorëve
Shtatë vjet pasi mori çmim akademik për filmin “La La Land”, Emma Stone arriti ta marrë trofeun e dytë në kategorinë “Aktorja më e mirë”, kësaj radhe për perfomancën e shkëlqyer në “Poor Things”. Në këtë projekt Stone e luan rolin e Isabella Baxter, një krijesë në trupin e gruas por me mendjen e një fëmije, që përpiqet ta kuptojë patriarkatin kufizues të botës përreth saj dhe më pas vazhdon ta çmontojë atë. Gjatë fjalimit në skenë ajo e falënderoi regjisorin, Yorgos Lanthimos, me të cilin ka bashkëpunuar dhe në filmin e kaluar “Kinds of Kindness”, derisa gjithashtu reflektoi mbi natyrën bashkëpunuese të kinemasë.
“Pjesa më e mirë e bërjes së filmave është që të gjithë ne bëhemi bashkë për të krijuar”, ka thënë ajo. “Jam shumë e nderuar ta ndaj këtë çmim me çdo pjesëtar të kastit, me çdo anëtar të ekipit, me çdo person të vetëm që investoi dashurinë, kujdesin dhe shkëlqimin e tyre në realizimin e këtij filmi”.
“Oppenheimer” ishte një ndryshim pozitiv edhe në karrierën e yllit 58-vjeçar, Robert Downey Jr., i cili i kaloi dy dekadat e fundit duke e portretizuar superheroin Iron Man në filmat e studios “Marvel”. Me të dalë në skenë për ta pranuar çmimin “Aktori më i mirë në rol dytësor”, ai u shpreh falënderues që iu dha mundësia për t’u bërë pjesë e projektit.
Da’Vine Joy Randolph u shpërblye në kategorinë “Aktorja më e mirë në rol dytësor”, për portretizimin e një menaxhereje të pikëlluar kafeterie që përballet me vdekjen e djalit të saj në filmin, “The Holdovers”. E pushtuar nga emocionet dhe e përlotur, Randolph falënderoi votuesit që “e kanë parë atë”, duke shtuar tutje: “Për një kohë të gjatë kam dashur të jem ndryshe dhe tani e kuptoj se thjesht duhet të jem vetvetja”.
Sikurse Randolph, regjisorët Cord Jefferson dhe Justine Triet arritën të triumfojnë në nominimet e para të karrierës. Jefferson u vlerësua në kategorinë “Skenari më i mirë i adaptuar” për filmin “American Fiction”, një satirë që eksploron racizmin dhe artin, ndërsa Triet fitoi për skenarin origjinal për dramën e saj të fundit, “Anatomy of a Fall”.
Edhe fituesit e tjerë të mbrëmjes e shfrytëzuan kohën e tyre në skenë për të bërë deklarata politike. Jonathan Glazer, regjisori i filmit më të mirë ndërkombëtar, “The Zone of Interest”, ka thënë se e dënon reagimin ushtarak të Izraelit, si dhe sulmet terroriste të nisura nga Hamasi vjeshtën e kaluar.
“Do të doja të mos e kisha realizuar këtë film...”
“20 Days in Mariupol” i regjisorit Mstyslav Chernov është një kronikë rrëqethëse e ditëve të para të pushtimit rus në Ukrainë. Regjisori tërhoqi vëmendjen e publikut për kostot njerëzore të pushtimit të Rusisë – një mesazh që vjen ndërsa mbështetja e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën po lëkundet.
“Rusët po vrasin dhjetëra mijëra bashkëkombës të mi”, ka thënë Chernov, para se të vazhdonte fjalimin duke thënë: “Ky është çmimi i parë ‘Oscar’ në historinë e Ukrainës. Jam i nderuar për këtë. Ndoshta do të jem regjisori i parë në këtë skenë që thotë: ‘Do të doja të mos e kisha realizuar këtë film’. Më shumë se këtë trofe, do të dëshiroja që Rusia të mos e kishte sulmuar kurrë Ukrainën dhe të mos i pushtonte qytetet tona”.
Billie Eilish bëri histori duke u bërë fituesja më e re e shpërblyer dy herë me çmim “Oscar”. Ajo triumfoi në kategorinë “Kënga më e mirë” me baladën e realizuar për filmin “Barbie”, “What Was I Made For?”. Këngën të cilën edhe e interpretoi në ceremoninë e së dielës, 22-vjeçarja e ka bashkëshkruar me vëllanë e saj, Finneas O’Connell. Të dy patën triumfuar edhe në vitin 2021 me kolonën zanore të filmit “No Time to Die”. Në anën tjetër, regjisori japonez Hayao Miyazaki u bë fituesi më i moshuar i çmimit “Filmi më i mirë i animuar”, për punën e mrekullueshme në filmin “The Boy and the Heron”. Mjeshtri 83-vjeçar i animacionit në të kaluarën kishte marrë “Oscar” për filmin e vitit 2002, “Spirited Away”.
Ceremonia në Hollywoodin e trazuar
Edicioni i 96-të i ceremonisë “Oscar” erdhi në një moment të trazuar për Hollywoodin. Industria më e madhe e filmit nuk kishte shumë për të festuar gjatë dymbëdhjetë muajve të kaluar. Studiot e mëdha e kaluan pjesën më të madhe të asaj kohe të mbyllura, për shkak të mosmarrëveshjeve me sindikatat kryesore të aktorëve dhe skenaristëve. Ky bllokim i punës rezultoi në dy greva të kushtueshme që pezulluan prodhimin e filmave dhe serialeve.
Jimmy Kimmel për herë të katërt u kthye në rolin e prezantuesit të ngjarjes më prestigjioze të kinematografisë në botë, e cila u transmetua live në kanalin ABC. Ceremoninë e hapi me një monolog që e vlerësonte Hollywoodin si “një qytet sindikatash”, që lidhet me grevat e vitit të kaluar të aktorëve dhe skenaristëve. Mori ovacione të shumta nga yjet e pranishëm në sallë, në momentin që ftoi në skenë ekipin e punëtorëve të prapaskenave të ceremonisë, e cila u mbajt në teatrin “Dolby” në Los Ageles.
Këta punëtorë, shumë prej tyre anëtarë të Aleancës Ndërkombëtare të Punonjësve të Skenës Teatrore, po negociojnë marrëveshjen e tyre me studiot filmike. Nëse bisedimet prishen, ata mund të hyjnë në grevë këtë verë, duke çuar në një periudhë tjetër mbylljeje të prodhimit dhe protestave.
Marrë nga “Variety”. Titulli dhe mestitujt janë të Redaksisë. Përktheu: Edona Binaku