Në filmin biografik të vlerësuar me çmime prestigjioze, regjisori Christopher Nolan fokusohet në një nga fizikanët më kontrovers në historinë moderne, i njohur gjithashtu si “babai i bombës atomike”
Filmi “Oppenheimer” i Christopher Nolan dominoi “Golden Globes” të dielën, duke marrë pesë çmime, përfshirë dramën më të mirë, regjinë më të mirë për Nolanin, rezultatin më të mirë, si dhe çmimet për aktorët Cillian Murphy dhe Robert Downey Jr.
Emma Thomas, producente e filmit dhe bashkëshortja e Nolan-it, vuri në pah se epika triorëshe për “një nga zhvillimet më të errëta në historinë tonë” është “ndryshe nga çdo gjë që bën dikush tjetër”.
Historia e “babait të bombës atomike”
Julius Robert Oppenheimer u lind në New York më 22 prill të vitit 1904. Ishte një fizikan amerikan dhe një figurë kyç në projektin “Manhattan”, programi top-sekret që ishte përgjegjës për zhvillimin e bombës atomike gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në disa raste, rreth 150 mijë njerëz u përfshinë drejtpërdrejt ose tërthorazi në të.
Oppenheimer, djali i prindërve hebrenj gjermanë, u rrit në një familje të pasur dhe zhvilloi një interes të jashtëzakonshëm për shkencat natyrore që në moshë të re. Ai studioi fizikë në Universitetin e Harvardit dhe mori doktoratën në Universitetin e Göttingenit në vitin 1929.
Në vitet ‘30, Oppenheimer punoi në institucione të ndryshme shkencore e dha kontribut të rëndësishëm në fizikën teorike. Në hulumtimin e tij ai u përqendrua veçanërisht në mekanikën kuantike, në fizikën bërthamore dhe teorinë e yjeve neutron.
Projekti “Manhattan”
Në fund të viteve ‘30, disa shkencëtarë hebrenj që kishin ikur nga Evropa besonin se ndarja bërthamore mund të përdorej nga nazistët për të ndërtuar bomba. Ata e bindën fizikanin më të famshëm të kohës, Albert Einstein, i cili gjithashtu kishte emigruar në Shtetet e Bashkuara, t’i shkruante një letër presidentit të atëhershëm të SHBA-së, Franklin D. Roosevelt, për ta paralajmëruar atë. Duke pasur parasysh raportet e inteligjencës dhe ndoshta edhe letrën e Einsteinit, u mor vendimi për të nxitur zhvillimin e një bombe atomike. Gara kundër Gjermanisë naziste filloi.
Në vitin 1942, J. Robert Oppenheimer u emërua drejtor shkencor i projektit “Manhattan”. Ai mblodhi një ekip shkencëtarësh që punuan ditë e natë për të zhvilluar këtë teknologji të re.
Baza kryesore e projektit “Manhattan” ishte laboratori kombëtar “Los Alamos” në New Mexico. Atje, Oppenheimer koordinoi punën shkencore mbi bombën atomike dhe kapërceu sfida të shumta teknike përmes njohurive të tij të gjera për këtë temë.
Dilema morale
Më 16 korrik 1945, prova e parë e shpërthimit bërthamor u krye me sukses pranë Alamogordo, New Mexico. Oppenheimer ishte i pranishëm në këtë ngjarje historike. Madhësia e fuqisë shkatërruese të bombës atomike “të tij” e tronditi dhe e preku thellë. Më vonë ai citoi një varg nga poema indiane “Bhagavad Gita” (Kënga e vetes së lartësuar): “Tani jam bërë vdekja, shkatërruesi i botëve”.
Oppenheimer kishte rol vital në ndërtimin e bombave që u hodhën në Hiroshima dhe Nagasaki në fund të luftës në vitin 1945, duke shkaktuar vdekje dhe shkatërrim të gjerë. Por ai ishte aq i tronditur nga pasojat e punës së tij shkencore, sa filloi të ngrinte zërin kundër zhvillimit të mëtejshëm të bombave. Në fakt, pas luftës ai u bë një nga kritikët më të ashpër të politikave të armëve.
Prometeu amerikan
Oppenheimer ishte një figurë brilante dhe kontroverse që ka frymëzuar biografi, dokumentarë, seriale e madje edhe një operë.
Filmi i ri “Oppenheimer”, i shkruar, bashkëprodhuar dhe drejtuar nga regjisori i famshëm Christopher Nolan i njohur edhe për filmat “Inception”, “Dunkirk” dhe “Tenet” bazohet në librin fitues të çmimit “Pulitzer” “American Prometheus: The Triumph and Tragedy of J. Robert Oppenheimer” nga Kai Bird dhe i ndjeri Martin J. Sherwin.
Nolan nuk është i panjohur në prodhimin e filmave me buxhet të lartë. Filmat e tij kanë fituar më shumë se 3 miliardë euro në mbarë botën dhe kanë marrë gjithsej 11 çmime “Oscar” dhe 36 nominime, përfshirë dy për filmin më të mirë.
“Ajo që doja të bëja ishte të merrja audiencën në konsideratë dhe përvojën e një personi që ishte në qendrën absolute të ndryshimit më të madh në histori”, ka thënë Nolan në një deklaratë për “Universal Pictures”.
“Ai krijoi botën në të cilën jetojmë – për të mirë ose për të keq. Dhe historia e tij duhet parë për t’u besuar. Është plot me kontradikta dhe telashe etike, dhe këto janë ato gjëra që më interesojnë gjithmonë”.
Nolan donte të tregonte historinë e dikujt që ishte përfshirë në ngjarje shumë shkatërruese që nga këndvështrimi i personit ndodhën për arsyet e duhura.
Një film me yje
Cillian Murphy i njohur nga roli i tij në serialin “Peaky Blinders” dhe në filmin “Inception” e luan J. Robert Oppenheimer dhe Emily Blunt e luan rolin e gruas së tij, biologen dhe botanisten Katherine (Kitty) Oppenheimer.
Matt Damon e luan rolin e gjeneralit Leslie Groves Jr, udhëheqësit të projektit “Manhattan”. Robert Downey Jr. portretizon Lewis Strauss, një anëtar dhe më vonë kryetar, i Komisionit të Energjisë Atomike të SHBA-së. Florence Pugh, Josh Hartnett, Rami Malek dhe Kenneth Branagh e përmbushin kastën e yjeve.
Mbi të gjitha, Nolan krijon një kryevepër vizuale duke përdorur disa nga kamerat filmike me rezolucionin më të lartë që ekzistojnë. Ndjenja është e një filmi 3D pa pasur nevojë për syze. Skenat e treguara nga këndvështrimi i Oppenheimerit u shfaqën me ngjyra, ndërsa ato që fokusohen në mosmarrëveshjen e tij më vonë me Lewis Strauss janë bardhezi.
I persekutuar në epokën e McCarthyt
“Oppenheimer” tregon gjithashtu historinë e SHBA-së të pasluftës, me shkencëtarin që më vonë u angazhua për të promovuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe mbrojti çarmatimin bërthamor.
Gjatë Luftës së Ftohtë ai ishte në shënjestër të FBI-së dhe të senatorit Joseph McCarthy. Në një nga skenat kryesore të filmit, Oppenheimer citohet para Komitetit të Energjisë Atomike të Senatit të SHBA-së për pikëpamjet e tij politike dhe lidhjet e tij në të kaluarën me simpatizantët komunistë, bazuar në ngjarje të vërteta në vitin 1954.
Nuk kishte asnjë provë që ai ishte fajtor. Dhe megjithëse Oppenheimer nuk përbënte asnjë rrezik sigurie, atij iu hoq leja e sigurisë, gjë që çoi në përjashtimin e tij nga komuniteti shkencor.
Oppenheimer vazhdoi të punojë si fizikan dhe profesor pas viteve 1950. Në vitin 1963 ai mori çmimin “Enrico Fermi” për kontributin e tij në fizikën teorike të programit të energjisë atomike si kompensim për diskriminimin që kishte përjetuar në kohën e McCarthyt, Lewis Strauss dhe presidentit Eisenhower. Deri në atë pikë ai ishte kthyer në një simbol të konfliktit midis moralit, shkencës dhe politikës.
Gjatë gjithë jetës së tij Oppenheimer mbeti një figurë me ndikim në fizikë. Pozicioni i tij përfundimtar ishte si drejtor i Institutit për Studime të Avancuara në Princeton, New Jersey, ku vdiq më 18 shkurt të vitit 1967. Trashëgimia e tij mbetet e diskutueshme edhe sot e kësaj dite.
Filmi biografik i Nolanit eksploron konfliktet e brendshme të një prej figurave më përcaktuese të shekullit XX, arritjet shkencore dhe reflektimet morale të së cilës kanë formësuar mënyrën se si kuptohen armët bërthamore dhe ndikimi i tyre në shoqëri.
Philipp Jedicke
Marrë nga “Deutsche Welle”. Përktheu: Gonxhe Konjufca