Artisti i njohur i grafitit, Banksy, ka zbuluar veprën e tij më të fundit në një ndërtesë të shkatërruar nga granatimet në Ukrainë.
Bansky ka postuar një foto të muralit në Instagram. Në të shihet një gjimnast që qëndron në dy duar përderisa gjendet në mes të gërmadhave, në Borodyanka.
Muralet të cilat u panë në kryeqytetin e Ukrainës dhe rreth tij kishin çuar në spekulime se artisti anonim po punonte në vendin e shkatërruar nga lufta.
Një tjetër, e padeklaruar zyrtarisht, paraqet një burrë që ngjan me Vladimir Putinin, duke u mundur në xhudo nga një fëmijë.
Menjëherë pas pushtimit të 24 shkurtit, Borodyanka ishte një nga vendet më të goditura nga bombardimet ruse të Ukrainës.
Edhe
Arti i Banksyt në pullat postare të Ukrainës
Ushtarët rusë pushtuan qytetin – i cili gjendet 48 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit të Ukrainës, Kiev – për javë të tëra në fazën fillestare të luftës, përpara se të çlirohej përfundimisht nga Ukraina në muajin prill.
Pasi u rimor qyteti, redaktori i lajmeve ndërkombëtare në “BBC News”, Jeremy Bowen, një korrespondent veteran i luftës, ka thënë se shkatërrimet nga granatimet ruse në Borodynaka ishin më të këqijat që kishte parë në Ukrainë gjatë asaj kohe.
Disa dëshmitarë kanë thënë se trupat ruse ndaluan përpjekjet e tyre për t’i nxjerrë të mbijetuarit nga ndërtesat e shkatërruara duke i kërcënuar me armë.
“BBC News” ka dëgjuar gjithashtu edhe historinë e një polici lokal, i cili kishte humbur gjashtë anëtarë të familje së tij – nënën e tij, babanë, vëllain, gjyshen, gruan dhe të bijën një vjeçe – në një goditje të vetme.
Vepra e tretë, e cila duket se është realizuar nga Bansky, paraqet një valltare të gjimnastikës, e cila mban një qafore ortopedike duke performuar me një fjongo. Vepra gjendet në krye të një vrime të madhe të hapur në mur, në skaj të një ndërtese në Irpin.
Edhe
Banksy konfirmon muralin e tij për Shën Valentin
Qyteti, i cili gjendet në periferi të Kievit, ishte vendi i një masakre famëkeqe ku qindra civilë mbetën të vrarë nga trupat pushtuese ruse.
Një vepër e katërt, e cila gjithashtu shfaq shenjat identifikuese të stilit dhe mënyrës se si pikturon Bansky, paraqet dy fëmijë të cilët rrinë ulur në një gyp metalik tanku, të cilën e përdorin si luhatëse. Vepra gjendet e pikturuar në një bllok betoni në Kiev.
Banksy është njëri ndër artistët më të famshëm në botë – megjithëse vazhdon të mbetet plotësisht anonim.
Ai u bë i famshëm me dizajne shablloni, të cilat i punoi rreth Bristolit në fillim të viteve 1990. Por, me kalimin e viteve shembuj të punës së tij janë shfaqur edhe në Paris, New York dhe Park City, në Utah.
Edhe
Muralet e Banksit u shpëtojnë grabitësve në Kiev
Shpesh i përshkruar si “i pakapshëm” dhe “i fshehtë” nga shtypi, “artisti gueril i rrugës” ka një legjion fansash që përfshin të famshëm të listës A.
Marrë nga BBC. Përktheu: Mirjetë Sadiku