Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Arti i Banksyt në pullat postare të Ukrainës

(BBC) – Ukraina ka paraqitur në pulla postare muralin e artistit të njohur britanik të grafiteve, Banksy, për të shënuar përvjetorin e parë të invazionit nga Rusia.

Murali paraqet një burrë që i ngjan presidentit rus, Vladimir Putin, duke garuar me një djalosh të ri gjatë një ndeshjeje xhudoje.

Vepra origjinale është në një shtëpi që u shkatërrua nga bombardimet ruse në qytetin Borodynka, afër kryeqytetit, Kiev.

Një frazë me shprehjen e shkurtuar që i drejtohet udhëheqësit rus është shtuar në pjesën e poshtme në anë të majtë të pullave.

Putini është me rripin e zi të xhudos dhe adhurues i artit marcial.

Shumë ukrainas e shohin muralin e Banksyt si metaforë të rezistencës së palëkundur të Ukrainës ndaj pushtimit rus, që filloi më 24 shkurt 2022.

U raportua për radhë të gjata të banorëve të premten në Kiev të cilët nxitonin të blinin pullat e reja nga zyra kryesore e postës “Holovposhtamt”.

“Është gjest shumë i duhur që bota të kuptojë Ukrainën, se ne mbetemi në qendër të vëmendjes”, ka thënë 26-vjeçarja, Maxime, për agjencinë e lajmeve “AFP”.

Ajo ka shtuar se ishte e kënaqur të shihte “pullën e parë nga një prej veprave të Banksyt”

Banksy ka realizuar vepra arti në shumë ndërtesa të disa qyteteve të Ukrainës që kanë qenë ndër më të goditurat e luftës që po vazhdon.

Borodyanka ishte kapur nga trupat ruse në ditët e para të pushtimit. Pasi qyteti u rimor në pranverë, zyrtarët ukrainas akuzuan rusët për kryerjen e krimeve masive të luftës atje.

Ngjarjen e pasuan gjetjet e qindra trupave të civilëve ukrainas në varrezat masive në zonat rreth Kievit. Disa nga ta i kishin duart e lidhura dhe ishte e dukshme se ishin qëlluar nga afër.

Rusia e mohon se ka vrarë civilë dhe – pa ofruar asnjë provë – thotë se Ukraina i ka inskenuar skenat.

Artikuj të ngjashëm