Murali, i pikturuar në një mur në Margate, Kent, përshkruan një amvise të viteve ‘50, veshur me doreza të verdha që përdoren për të pastruar dhe përparëse blu, e cila është duke e futur burrin e vet brenda frigoriferi. Gruaja shfaqet e buzëqeshur pavarësisht se ka një sy të mavijosur dhe i mungon një dhëmb. Banksy ka konfirmuar se vepra është e tija, duke postuar në llogarinë e tij në Instagram tri formate të saj, të cilat theksonin syrin e mavijosur, të shoqëruara me mbishkrimin: “Grimi i Ditës së Shën Valentinit”. Në fotografi, përpara veprës së artit, shihen mbeturina, përfshirë një karrige kopshti të thyer, një arkë blu, një shishe birre bosh dhe frigoriferi. Krejt këto janë hequr nga autoritetet, pasi Bansky njoftoi se ishte vepër e tij.
Spekulimet rreth postimit sugjeruan se përmes këtij murali, artisti i lindur në Bristol dëshironte që në ditën e Shën Valentinit të vinte në pah luftën kundër dhunës ndaj grave.
Vitet e fundit, pas vrasjes së Sarah Everard dhe Sabina Nessa, dhuna ndaj grave dhe vajzave ka qenë në krye të kryetitujve të gazetave.
Në dhjetor, Banksy njoftoi se kishte realizuar 50 vepra që do të shiteshin për të mbledhur fonde për popullin e Ukrainës.
Në nëntor, artisti anonim konfirmoi se kishte krijuar disa murale në qytetin Borodianka të Ukrainës. Njëri nga muralet përshkruante një burrë i cili i ngjante presidentit rus, Vladimir Putin, dhe një djalë të ri që e hidhte atë përtokë, gjatë një ndeshjeje xhudoje. Në një tjetër shfaqeshin dy fëmijë duke përdorur një kurth metalik tanku në vend të sharrës.
Muajin e kaluar u raportua se një ankand online që Banksy kishte hapur për të mbledhur para për ta ndihmuar Ukrainën ishte vënë në shënjestër të mijëra “sulmeve armiqësore” brenda Rusisë.
Edhe
Banksy godet politikanin arrogant me shtatore në Londër
Duke shpjeguar arsyet pse ai zgjodhi të bashkëpunojë me Fondacionin “Legacy of War” për të mbledhur fonde që mbështetnin “miqtë tanë në Ukrainë”, Banksy shkroi: “Në Ukrainë, pashë një ekip të ‘Legacy of War’ që përfshinte dhe ofronte kujdes mjekësor, ngrohëse, ujë të freskët dhe një fytyrë miqësore për disa njerëz shumë të dëshpëruar, në një ndërtesë të bombarduar. Ata më huazuan gjithashtu një nga ambulancat e tyre, e cila doli të ishte jashtëzakonisht e dobishme kur një babushka e zemëruar më gjeti duke pikturuar në ndërtesën e saj dhe thirri policinë. Ndiej se më e pakta që duhet të bëj është të mbledh para të mjaftueshme për të zëvendësuar targat e ambulancës”. (Përktheu: Mirjetë Sadiku)