Shtojca për Kulturë

Vepra e Banksyt për dhunë në familje do të jetë pronë e 27 mijë vetave

Murali publik i pikturuar nga Banksy për dhunën në familje, i titulluar “Maskara e Ditës së Shën Valentinit” është kthyer në treg.

“Red Eight Galleries” me bazë në Londër është duke ndërmjetësuar marrëveshjen midis pronarit të pronës së shtëpisë së qytetit britanik të Margate, ku është pikturuar murali, dhe “Showpiece”, një platformë pronësie e pjesshme me shumë aksionar.

Murali ka një vlerë të vlerësuar prej 7.64 milion dollarësh përmes një vlerësimi nga Robin Barton i galerisë “Bankrobber”. Shitja e pjesshme e pronësisë së veprës do të bëhet më 22 gusht me një total prej 27 mijë aksionesh.

“Realisht, ne po kërkojmë të arrijmë midis 1 dhe 1,5 milionë funte,” ka thënë Usher.

Murali paraqet një amvise të stilit të viteve ‘50 me një sy të fryrë e të zi, një faqe të mavijosur, buzë të poshtme të fryrë dhe një dhëmb të këputur. Ajo mban vesh një fustan ngjyrë blu të ndezur, një përparëse dhe doreza të verdha.

Fillimisht ajo u shfaq duke qëndruar pranë një frigoriferi të hapur dhe një karrigeje plastike të përmbysur. Gruaja dukej se kishte hequr dorë nga një partner mashkull abuziv.

Drejtuesi i “Red Eight Galleries”, Julian Usher, ka treguar se instalimi i “pleksiglas” dhe heqja e frigoriferit ishin të dyja për arsye sigurie, duke përmendur koston e lartë të rojave për ta mbrojtur atë gjatë gjithë kohës.

Ndërsa Banksy konfirmoi se puna ishte e vërtetë nëpërmjet “Instagramit”, Usher tregoi se murali nuk ishte vërtetuar nga studioja e artistit Pest Control.

“Mungesa e vërtetimit do të thotë që ne nuk mund ta çojmë atë në një shtëpi ankandi”, ka treguar ai. “Ka një treg dytësor gri për këto pjesë, por në tregun aktual financiar, ata njerëz thjesht nuk janë atje".

Historikisht, Banksy dhe “Pest Control” nuk e pranojnë shitjen e ndonjë vepre të nxjerrë jashtë kontekstit të saj origjinal, me vetëm disa përjashtime. Edhe pa atë vulë miratimi, vajza në muralin “Crowbar” u shit për rreth 2.4 milionë dollarë te një blerës privat, pasi u nxor nga muri i një dyqani elektrik në nëntor 2021.

Aktualisht, murali është i ekspozuar në parkun argëtues Dreamland Margate dhe është arritur një marrëveshje me pronarin për ta shfaqur atje për të paktën 12 muaj. Usher ka treguar se ai kaloi dy muaj duke kërkuar ekspertë për të hequr siç duhet veprën nga ndërtesa, e cila u zhvillua në fund të prillit, me një kosto totale prej afro 250 mijë dollarë.

Plani është që vepra të qëndrojë e ekspozuar për të paktën 24 muaj në Dreamland Margate, ku ka qenë në pamje të përkohshme që nga qershori.

Disa nga të ardhurat e shitjeve të aksioneve të pronësisë së pjesshme do të shkojnë për vetë kauzën e përshkruar në vepër. “Showpiece” ka rënë dakord të dhurojë disa nga të ardhurat për bamirësinë në Mbretërinë e Bashkuar për dhunën në familje Refuge. Pronari i muralit ka premtuar gjithashtu një shumë gjashtëshirëse për Oasis, një bamirësi në Margate, e cila mbështet familjet që kërkojnë të largohen dhe të shërohen nga abuzimi në familje.

(ArtNews)