Kulturë

Sekretet e muralit të fundit të Banksyt misterioz

Me një mural të ri që u shfaq në Londër të dielën dhe që merr kuptim vetëm kur soditet nga distanca, artisti i pakapshëm britanik tani përmes kësaj vepre të re ka zgjedhur të luajë me perspektivën

(BBC) – Në një rrugë gri të Londrës Veriore, të hënën njerëzit u mblodhën pa ndonjë motiv, duke drejtuar telefonat e tyre në një mur. Megjithatë, nga afër, ajo se çka ata po fotografonin në mur, nuk kishte shumë kuptim. Ajo është vepra më e fundit e Banksyt, e cila kërkon distancë. Kur tentoni të bëni një selfie pranë saj, duket sikur po qëndroni vetëm përpara një spërkatjeje jeshile të rëndomtë.

Banksy – i cili ende nuk e ka zbuluar identitetin e tij, por është një nga artistët më të famshëm në botë – konfirmoi se ishte krijuesi i një murali që u shfaq të dielën në Finsbury Park, Islington, pas një peme qershie prapa një banese.

Pavarësisht se ekzistojnë disa parqe pak rrugë më larg, nuk ka shumë natyrë për të parë në këtë pjesë të Hornsey Road. Është një lagje urbane, në atë që kreu i saj (dhe ish-udhëheqësi laburist) Jeremy Corbyn e përshkroi si “zona elektorale më e dendur në vend”.

Sa më larg të shkosh nga murali i Banksy, aq më shumë duket se vjen në pah elementi i natyrës përmes të gjelbrës. Duke u afruar nga rruga “Crouch End”, në një moment pema duket të jetë plot gjethe. Ndërkaq kur shikohet nga një distancë nga një bllok më larg, shfaqet një version vizatimor i utopisë në N19. Megjithatë, nga afër shfaqen degë të zeza me gishta në një mur me ndërhyrje të gjelbra, që përfundojnë me një figurë nga një shabllon, tipike për veprat e Banksyt.

Image
Bansky i kishte mbivendosur disa vizatime të aeroplanëve ushtarakë në një shenjë ndalimi të komunikacionit në dhjetor të 2023-tës, e cila ishte vjedhur një orë më vonë

Tani është bërë një ngjarje më vete sa herë që një vepër e re e Banksyt shfaqet në një rrugë urbane të qytetit, edhe pse ka një rrezik evident gjithmonë sa u përket veprave të artistit – një rrezik që James Peak, i cili krijoi serinë e BBC Radio 4 The Banksy Story, e ka shpjeguar si një problematikë e cila rezulton në problem sa herë që njerëzit përpiqen të vjedhin veprën e tij.

Një shenjë e ndalimit në komunikacion ku kishte intervenuar Banksy u hoq një orë pasi u shfaq në Peckham, Londër Jugore, më 22 dhjetor të 2023-tës. Dy burra u arrestuan me dyshimin për vjedhje dhe dëmtim në lidhje me tabelën, e cila ishte zbukuruar me tri fluturake ushtarake dhe mund të kapë shifrën deri gjysmë misioni funte.

Megjithatë, rreziku i njëjtë, sipas Peak, nuk shihet te vepra e tij.

“Unë nuk mendoj se dikush do të jetë në gjendje ta vjedhë këtë vepër... si do të mund ta vidhnin një pemë?”, ka thënë Peak për BBC-në.

Dhe qëllimi qendror i pemës në mural e vendos veprën e Banksyt pranë traditës së veprave të artit anamorfik që kërkojnë që shikuesi të qëndrojë në një pikë të caktuar të këndvështrimit – si “Ambasadorët” (rreth vitit 1533) nga Hans Holbein i riu. Ajo që fillimisht duket të jetë një prerje gri e çuditshme në pjesën e poshtme të pikturës, zbulohet se është një kafkë kur shihet nga një kënd i caktuar.

Teknikat e mëvonshme përfshinin murale të stilit barok trompe-l'œil që ndërthurnin arkitekturën reale me iluzione të pikturuara për të krijuar një efekt mbresëlënës nga një këndvështrim specifik, si kupola e rreme e Andrea Pozzos në Kishën e Shën Ignatius në Romë dhe anamorfoza dhe shkurtimi në pikturat e artisti surrealist Salvador Dalí.

Jacques Lacan komentoi në konceptin e tij mbi “Objet Petit A” (1973) se përdorimi i anamorfozës, veçanërisht në veprën “Ambasadorët”, është një nga metodat e pakta me të cilat shikuesit mund të ndërgjegjësohen për këndvështrimin e tyre – ai argumentoi se fillimi i “momentit të të parit”, sikurse kur perceptohet për herë të parë kafka në pikturën e Holbein, është gjëja më e përafërt e ndërgjegjësimit të njeriut në aktin e të shikuarit.

Pavarësisht nëse është një shabllon i vogël ose një mural katërkatësh (i pikturuar në hijen e veçantë të gjelbër të përdorur nga këshilli i Islington në shenjat lokale), arti i rrugës i Banksyt ka aftësinë të ndryshojë këndvështrimin e shikuesit – element shënjues në këtë vepër.

Duke krijuar një imazh abstrakt që është e vështirë të vidhet dhe që mbështetet në një pemë të tharë për të marrë kuptimin, artisti i pakapshëm ka transformuar një peizazh urban. Në një qosh pa gjethe të Londrës Veriore zënë vend spërkatjet e gjelbra në mur. Mund të mos bindë nga afër, por e parë nga fundi i kompleksit të banesave dhe mbi kokat e atyre që bëjnë selfie, murali ofron diçka tjetër – i jep një ndjenjë shprese pemës së qershisë të vendosur në atë kthinë pa perspektivë. Dhe atyre që ecin përpara saj, ditë pas dite, u dhuron një ndjenjë se çfarë mund të ishte ajo vepër, varësisht nga këndvështrimin ynë.

Marrë nga BBC. Përktheu: Enis Bytyqi

Image
“Ambasadorët”, Hans Holbein i riu, 1833 fsheh një iluzion optik i cili nuk vërehet në shikim të parë