Akademik Rexhep Qosja është personalitet poliedrik i studimeve letrare me famë kombëtare dhe ndërkombëtare. Opusi i veprave të tij është i gjerë dhe ka vlerë të madhe, duke u përfshirë kështu në thesarin e trashëgimisë e çmuar të artit letrar, të shkencës së letërsisë, të mendimit shqiptar të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar dhe të fillimit shekullit të ri. Shquhet posaçërisht me veprimtarinë universitare, me krijimtarinë letrare (autor i romaneve dhe dramave), si studiues i mirëfilltë i shkencave filologjike, është historian i letërsisë, kritik letrar, publicist
Me Rexhepin jemi bashkë plot shtatëdhjetë vjet. Në vitin 1954 jemi regjistruar në Shkollën Normale të Prishtinës dhe jemi diplomuar në vitin 1959. Në vitin 1960 jemi regjistruar në Fakultetin Filozofik në Prishtinë, në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe, ndërsa diplomën universitare e kemi marrë në vitin 1964. Kemi studiuar në shkallën e tretë të studimeve magjistraturës në vitin 1968. Ai është pranuar në punë në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ndërsa unë asistent në Fakultetin Filozofik, në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe. Kemi qenë profesorë të Universitetit të Prishtinës dhe së bashku kemi përgatitur shumë breza të studentëve dhe të albanologëve të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare. Vepra e tij letrare dhe shkencore ka zënë vend të merituar në thesarin e letërsisë, kulturës dhe të shkencës së letërsisë. Është personalitet poliedrik i studimeve letrare me famë kombëtare dhe ndërkombëtare. Opusi i veprave të tij është i gjerë dhe ka vlerë të madhe, duke u përfshirë kështu në thesarin e trashëgimisë e çmuar të artit letrar, të shkencës së letërsisë, të mendimi shqiptar të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar dhe të fillimit shekullit të ri.
Shquhet posaçërisht me veprimtarinë universitare, me krijimtarinë letrare (autor i romaneve dhe dramave), si studiues i mirëfilltë i shkencave filologjike, është historian i letërsisë, kritik letrar, publicist etj. Ka botuar shumë vëllime të Ditarit. Bibliografia e punimeve dhe veprave të botuara është jashtëzakonisht e pasur. Botimi i veprave të plota përfshin 29 vëllime. Veprat e zgjedhura të Qosjes janë botuar në disa gjuhë të huaja.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAkademik Rexhep Qosjes për veprimtarinë e gjithanshme shumëvjeçare, i janë dhënë shumë mirënjohje dhe dekorata. Është dekoruar me Urdhrin Nderi i Kombit. Rexhep Qosja ka hartuar dhe publikuar disa antologji të letërsisë shqipe, siç janë: “Antologjia e lirikës shqipe”, “Rilindja”, 1970 (Tirazhi 2000 copë) “Antologjia e lirikës shqipe”, botim i dytë i plotësuar dhe i përmirësuar, Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore i Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, Prishtinë, 1979, “Antologjia historike e letërsisë shqipe I, Poezia dhe Proza” (Doracak për nxënës të arsimit të mesëm të orientuar), Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore i Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, Prishtinë, 1986, “Antologji historike e kritikës letrare (Dorëshkrim)”.
Pas botimit të veprave të para: “Episode letrare”, Prishtinë 1967, “Dialogë me shkrimtarët”, Prishtinë 1968, dhe “Kritika letrare”, Prishtinë 1969, Qosja botoi “Antologjinë e lirikës shqipe”. Kjo është antologjia e parë gjithëpërfshirëse e lirikës shqipe, e hartuar pas studimit të gjithanshëm të krijimtarisë poetike të shkrimtarëve shqiptarë që nga fillimet e letërsisë së vjetër shqipe deri te ajo letërsia bashkëkohorë. Me lirikat e zgjedhura, që nga Jeronim de Rada e këndej, deri te Ali Podrimja, pra deri në vitin 1970 përfshihen 31 poetë, prej 1 deri 31 poezi. Më shumë poezi në antologji ka Asdreni, ndërsa një poezi Musa Vyshka.
Në parathënien e antologjisë (35 faqe tekst) përmblidhen rezultatet e deriatëhershme të studimit të lirikës dhe përgjithësisht të letërsisë shqipe, metodologjia e hartimit të antologjisë dhe shqiptohet vlerësimi artistik, stilistik dhe gjuhësor, i shprehjes së figurshme të lirikës shqipe. Autori jep shpjegimin për aspekte të poezisë së vjetër shqipe dhe të poezisë së re të epokës së Rilindjes shqiptare. Ai shkruan se “me termat e vjetër dhe e re nuk duhet të nënkuptojmë edhe vlerësimin apo diferencimin kualitativ, artistik të poezisë së krijuar para Rilindjes Kombëtare prej asaj që krijohet gjatë dhe pas saj”.
Qosja vlerëson se “me poezi të re shqipe, për herë të parë shënohet dukshëm inkuadrimi ynë në kulturën evropiane dhe, ndonëse me një vonesë të përligjur historikisht, prej kësaj kohe në letërsinë tonë do të shfaqen, kur më qartë e kur më zbetë, përpjekjet, idetë dhe rrymat kryesore të letërsive të popujve të mëdhenj evropianë”. Në studimin që e shquan erudicioni jashtëzakonshëm dhe përvoja e spikatur vlerësues e letërsisë shqipe, që do të dëshmohet sidomos me studimet historike letrare dhe të botimit të “Historisë së letërsisë shqipe” në tri vëllime, analizon dhe vlerëson lirikën shqipe të gjithë autorëve të zgjedhur, të merituar, sipas, tij, për t’u përfshirë në “Antologjinë e lirikës shqipe”. Ai ka dhënë shënimet se cilat kanë qenë kriteret e përpilimit të antologjisë. Ai shkruan se “përpiluesi i antologjisë nuk është qëmtues i një numri çfarëdo qoftë vjen prej fondit të poezisë kombëtare, por zgjedhës i vjershave më të bukura të këtij fondi.
Në botimin e parë Qosja zgjedh poezitë e këtyre poetëve: Jermonim de Rada, Gavril Dara i Riu, Zë Seromë, Nami Frashërti, Zë Smiroi, Anon Zakon- Çajupi, Nder Mjeda, Aleks Stavre Drenova, Fan Noli, Ali Asllani, Lasgush Poradeci, Millosh Gjergj Nikolla, Petro Marko, Andrea Varfi, Dhimitër S. Shuteriqi, Esad Mekuli,, Mark Gurakuqi, Llazar Siliqi, Enver Gjerqeku, Vehbi Skënderi, Fatos Arapi, Dritëro Agolli, Dhori Qirjazi, Din Mehmeti, Muhamed Kërveshi, Ismail Kadare, Fahredin Gunga, Azem Shkreli, Rrahman Dedaj, Musa Vyshka dhe Ali Podrimja.
Botimi i dytë i plotësuar dhe i përmirësua i Antologjisë së lirikës shqipe (1979) ka disa ndryshime sa i përket përfaqësimit të disa autorëve dhe të poezive të zgjedhua. Janë hequr autorët: Gavril Dara i Riu, Llazar Siliqi, Musa Vyshka dhe Ali Podrimja. Janë shtuar poetët të cilët nuk ishin përfshirë në botimin e parë, siç janë: Adem Gajtani, Qerim Ujkani, Beqir Musliu dhe Miokom Zeqo. Po ashtu, disa herë është zvogëluar apo është shtuar numri i poezive të zgjedhura. Lexuesit dhe studiuesit sigurisht kanë vlerësimet e tyre, jo vetëm për zgjedhjen e autorëve dhe të lirikave të bukura. Lidhur me kriteret e zgjedhjes së poezive, Qosja ka paraqitur disa kritere të tij të qëndrueshme. Ai ka shkruar në vijim: “...jam përpjekur ta përpiloj këtë antologji prej vjershash që përmbajnë një përjetim sa më të thellë, më të fuqishëm – që ishte kriteri i parë; që këtë përjetim ta kenë sa është e mundur më të rëndësishëm – që ishte kriteri i dytë; që këtë përjetim ta realizoj brenda një strukture sa më të pasur poetike – që ishte kriteri i tretë; dhe që këtë përjetim ta kenë të shprehur teknikisht në një mënyrë sa më të përsosur – që ishte kriteri i katërt, ndonëse jo edhe i fundit.”
“Antologjia historike e letërsisë shqipe I, Poezia dhe Proza” (Doracak për nxënës të arsimit të mesëm të orientuar) është libër për nxënësit e arsimit të mesëm. Në Parafjalën e këtij vëllimi autori shkruan: “Mbështetja në kriterin e parë, historiko-letrar, kushtëzon kujdesin e domosdoshëm për vazhdimësinë e letërsisë shqipe prej fillimit të shkrimit të saj e deri në ditët tona...Mbështetja në kriterin e dytë, artistiko letrar, kushtëzon kujdesin për cilësinë artistike të shkrimeve... dhe t’u takojnë atyre periudhave letrare kur botohen...Është e qartë se vlera letrare artistike a letrare shkencore e shkrimeve të këtilla vetvetiu, është edhe vlerë e tyre historiko-letrare”. Libri ka dy pjesë: Pjesa e parë POEZIA dhe Pjesa e dytë PROZA. Në ballë të Pasqyrës së lëndës kanë zënë vend dëshmitë e para të shqipes së shkruar. Në Pjesën e parë zgjedhën krijimet letrare të Poezisë së vjetër (5 autorë), të bejtexhinjve (4 autorë), të Romantizmit (9 shkrimtarë), të periudhës prej romantizmit deri te realizmi (7 poetë), Poezia sociale (6 shkrimtarë) dhe Poezia e sotme (18 autorë). Në kuadër të pjesës së dytë PROZA përfshihet Proza e vjetër (8 autorë) , Romantizmi (3 autorë), Prej romantizmit deri te realizmi (3 autorë), Proza sociale (9 përfaqësues), Proza e sotme (12 prozatorë). Për të gjithë autorët e zgjedhur dhe për shkrimet e tyre janë dhënë shënime të duhura shumë interesante për lexuesit dhe studiuesit e letërsisë.
“Antologji historike e kritikës letrare” (Dorëshkrim) nuk është e njohur nga studiuesit e kritikës letrare. Si dorëshkrim është dorëzuar për botim në Entin e Teksteve dhe të Mjeteve Mësimore të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës. Si anëtar i jashtëm i Pleqësisë Programore të këtij botuesi e kam lexuar dhe vlerësuar edhe këtë dorëshkrimin. Meqë antologjia nuk është botuar, japim këtë vlerësim shkencor të atëhershëm. Vepra “Antologjia historike e kritikës letrare”, e përgatitur për botim nga akademik Rexhep Qosja, përfshin lëndë interesante, të zgjedhur nga gjithë kritika letrare e traditës dhe nga ajo bashkëkohore. Në këtë antologji janë paraqitur rrjedhat e zhvillimit të kritikës letrare në kuptimin e gjerë të fjalës, me shtrirje në të gjitha periudhat dhe etapat e zhvillimit të letërsisë. Qëndrimi kritik ndaj krijimtarisë letrare dhe ndaj kritikës së saj në tërësi, studimi dhe vlerësimi i gjithanshëm i problemeve, i dukurive të letërsisë dhe të kritikës letrare, si edhe aftësia e përkushtimi i studiuesit të afirmuar, kanë bërë që në këtë antologji mjaft voluminoze në mënyrë kronologjike të përmblidhen: kritika, vështrime, ese, trajtesa dhe studime të zgjedhura për letërsinë

Në “Parafjalën” e këtij vëllimi të antologjisë autori ka dhënë sqarimet e duhura lidhur me çështjet më të rëndësishme të sajimit të “Antologjisë historike të kritikës letrare”. Ky tekst i hyrjes ofron njohuri, pikëpamje dhe vlerësime të sintetizuara lidhur me problematikën mjaft komplekse të antologjisë së këtij lloji. Në vazhdim janë dhënë edhe kriteret, në bazë të të cilave janë përfshirë autorët më të njohur të kritikës dhe të mendimit estetik shqiptar. Me përkushtim të posaçëm janë hetuar prirjet dhe veçoritë karakteristike, por edhe ato të përgjithshme, të mendimit kritik letrar të brezave të ndryshëm.
Antologjia hapet me një tekst të zgjedhur të humanistit shqiptar, Marin Barletit, “Shkrimtari dhe historia” dhe mbyllet me vështrimin e Bajram Krasniqit ”Kritika dhe vetëdija historike”. Janë përfaqësuar gjithsej 27 autorë, me 56 tekste të kritikës letrare. Zakonisht çdo autor është prezantuar me një, dy ose tri njësi të kritikës letrare në kuptimin e gjerë të fjalës. Këta autorë janë: Marin Barleti, Frano Bardhi, Pjetër Bogdani, Jeronim de Rada, Jani Vreto, Vinçenc Dorsa, Naim Frashëri, Mikel Markiano, Albert Stratigoi, Faik Konica, Luigj Gurakuqi, Fan S. Noli, Nonda Bulka, Mitrush Kuteli, Dhimitër S. Shuteriqi, Vehap Shita, Kudret Velça, Hasan Mekuli, Gjergj Zheji, Razi Brahimi, Ali Aliu, Mensur Raifi, Jorgo Bulo, Italo Konstantin Fortino, Agim Vinca, Sabri Hamiti dhe Bajram Krasniqi.
Jemi të bindur se në këtë antologji duhej të përfshiheshin edhe disa autorë të tjerë. Në këtë mënyrë mendimi kritik letrar dhe estetik do të përfaqësohej në gjerësi më të madhe...Përpiluesi i “Antologjisë historike të kritikës letrare” kritikat, vështrimet, esetë, trajtesat, studimet e zgjedhura etj. i ka marrë nga veprat e veçanta të autorëve të shënuar më lartë, ose nga periodiku në gjuhën shqipe. Është e arsyeshme të shënohen burimet përkatëse të literaturës kritike, sepse në këtë mënyrë lexuesit i ofrohet informacion më i gjerë lidhur me kritikën letrare shqiptare. Antologjia e kritikës letrare, e përgatitur për botim nga Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore të Kosovës, kështu e kompletuar, do të plotësonte kërkesat e lexuesve të shumtë, dhe sidomos ato të nxënësve dhe të studiuesve. Ajo do të zgjonte interesimin e tyre, që me përkushtim edhe më të madh, të përcjellin kritikën letrare dhe studimet historike letrare në përgjithësi.
Antologjitë e letërsisë shqipe të Rexhep Qosjes janë vepra të rëndësishme të studiuesit më të shquar të mbarë letërsisë dhe të kulturës shqiptare.
Nderim dhe përkujtim i përjetshëm për Akademik Rexhep Qosjen! Në Graz (Austri) më pikëlloi thellë lajmi se sot (23 prill 2026) ndërroi jetë shoku ynë i Shkollës Normale të Prishtinës (1954-1959), Rexhep Qosja. Që atëherë, deri më sot, 72 vjet kemi kaluar së bashku, në studime dhe në veprimtarnë arsimore, kulturore dhe shkencore. Ai është krijues letrar dhe studiues i jashtëzakonshëm i historisë së letërsisë shqipe. Lavdi jetës dhe veprës së Akademik Rexhep Qosjes!
Në 88-vjetorin e lindjes së akademik Rexhep Qosjes Seminari XVIII Ndërkombëtar i Albanologjisë i Universitetit të Tetovës, me përkushtim të veçantë studimor në programin e vitit 2024 kishte përfshirë temën “Kontributi i Rexhep Qosjes për letërsinë dhe kulturën shqiptare”. Duke vlerësuar lart studimet për jetën dhe krijimtarinë letrare dhe shkencore, kam përgatitur kumtesën kushtuar botimit të antologjive të letërsisë shqipe të Rexhep Qosjes. Kumtesa botohet në version të shkurtuar nga Redaksia.