Prej një rasti në vitin 2008, kur në Teatrin Kombëtar të Kosovës do të inskenohej “Tartufi” i Molierit, shfaqja “Të bardhët” e aktualizon si temë edhe në skenën vendore. Ngjarja është e zhvendosur në një teatër në Oklahoma, por i flet shoqërisë në Kosovë teksa e alarmon për një temë të pashmangshme me të cilën do të përballet. “Shfaqja është një lloj paralajmërimi për atë se çfarë e pret shoqërinë tonë. Jo një paralajmërim ogurzi, por që thjesht paralajmëron që diçka interesante do të jetë pjesë e diskurseve publike”, ka thënë regjisori Besim Ugzmajli që ka inskenuar dramën e Steven Leigh Morrisit i pranishëm në premierë në Prishtinë
“Të bardhët” prek dy çështje kryesore brenda shfaqjes: ato racore dhe gjinore. Reflekton në dinamikat e shoqërisë që shkojnë nga ky drejtim. Niset nga konteksti aktual në Oklahoma të Shteteve të Bashkuara të Amerikës prej nga vjen autori i shfaqjes, Steven Leigh Morris dhe zgjerohet në atë global. Të pashmangshme janë këto çështje edhe në institucionin teatror. Elementet dramaturgjike e ato regjisoriale të Besim Ugzmajlit kthejnë pas në kohën kur një regjisor rom kishte sjellë dramën e Molierit në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Ishte viti 2008 kur regjisori nga Maqedonia e Veriut, Rahim Burhan, do të angazhohej për shfaqjen “Tartufi”. Pas shfaqjes, në shkurt të atij viti, nëpërmjet një artikulli, akademiku Mehmet Kraja do ta quante si “njëra nga shfaqjet më idiote, të cilat ka mundur t’i shohë ndonjëherë publiku i Prishtinës, me mesazhe jashtëzakonisht kontroverse, madje fyese për auditorin, për Teatrin Kombëtar, për komunitetin artistik, për ambientin kulturor të Kosovës, për të gjithë”.
Skenat e shfaqjes “Të bardhët” që vendosen në një teatër në Oklahoma prekin këtë pjesë si një mostër të racizmit në vend. Në teatrin “Oda” kanë ardhur si një lloj ironie me ngjarjen.
Skena teatrore është veç një rast. Ishte konsideruar e arsyeshme që teksti të përshtatej për shfaqjen e autorit amerikan, Steven Leigh Morris në kryeqytet.
Teatri në Oklahoma është gjysmë-profesional. Drejtori artistik i kahmoshëm i teatrit, Luisi, aktron dhe e bën regjinë në të njëjtën kohë me shfaqjen “Mbreti Lir” të Shekespeareit. Rolin e sjell aktori Shpëtim Selmani, i cili pret publikun në skenë duke lexuar tekstin. Ndjekja nga një fantazmë është introja. Qysh aty publiku njoftohet për gjendjen e rëndë shëndetësore të Luisit. Edhe vetë qëllimi i tij: t’i lërë mesazhe botës me një shfaqje të fundit.
Ngjarjet dramatike zhvillohen kur nisin provat. Regjisori zgjedh aktore me ngjyrë në rolet e dy motrave dinake të Kordelias, ndërkohë që vetë Kordelia si rol pozitiv është e bardhë. Shfaqja trajton aspektin racor e gjinor edhe në pozita udhëheqëse. Derisa shfaqja inskenohet, vazhdimisht zhvillohen konflikte. Priscila thotë se ofendohet nga shfaqja, se ajo i përçmon gratë.
Luis jep direktiva regjisoriale derisa vetë luan. Aty shpalos përvojat e tij prej regjisori. Thotë se mëshira është arsyeja pse shfaqja kthehet në këtë kohë.
Aktori Shpëtim Selmani, ka thënë se shoqëria në Kosovë mund ta gjejë lirshëm veten në temën e shfaqjes.
“Luisi është regjisor i një teatri gjysmë-amator. Është një temë në të cilën mundet lirisht të gjendet edhe shoqëria jonë, dhe gjendet. Është problematike çështja e racizmit në të gjitha shoqëritë. Luisi është pak para vdekjes, mundohet ta bëjë edhe një shfaqje të Shakespeareit – ‘Mbretin Lir’ - dhe të lë një mesazh sesi është bota sipas tij. Në të njëjtën kohë ai akuzohet për përzgjedhje të roleve, akuzohet për racizëm nga dy krahë fondamentalë ekstremë në Amerikë”, ka thënë Selmani.
Aktori Bujar Ahmeti ka thënë se roli i tij është i mbështetësit të regjisorit që mundohet të lërë testamentin e tij.
“Dagu është një aktor, naiv. Edhe pse nganjëherë ofendohet e kushtëzohet në punën e tij si aktor, prapëseprapë mundohet ta mbështesë dhe ndihmojë regjisorin Luis, rol që e luan Shpëtimin, që në prag të vdekjes ka një ëndërr: ta bëjë shfaqjen ‘Mbreti Lir’”, ka thënë Ahmeti.
Shfaqja “Të bardhët” vlerëson se në kohë digjitale jo gjithçka quhet premierë. Derisa bëhen provat e aktit të katërt të shfaqjes, informacionet rrjedhin në rrjete sociale nga vetë aktorët: Priscilia, që luhet nga Verona Koxha dhe Daugh që e luan aktori Bujar Ahmeti.
Autori i shfaqjes, Steven Leigh Morris, ka thënë se shfaqja është përshtatur me kontekstin vendor që vjen nga ai global.
“Është një shfaqje amerikane, e shkruar në theksin amerikan, konkretisht në Oklahoma, që ka të bëjë me atë se si transformimi nis nga aty dhe sesi zhvillohen tema universale. E kemi përshtatur pasi nëse do të bëhej shfaqja siç e kisha shkruar për shfaqjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk mendoj se do të zinte vend njësoj. Regjisori Besimi ka bërë punë të mrekullueshme me koreografinë, me skenat fantastike. Ata thjesht e sollën tematikën globale në mënyrën se si e ndjenë dhe kjo ishte vërtetë një lloj lirie”, ka thënë dramaturgu, shkrimtari e gazetari amerikan Morris pas shfaqjes.
Dramat e tij janë botuar nga në New York, dhe gjithashtu në Evropën Juglindore, në Maqedoni, ndërsa janë shfaqur në New York, Los Angeles dhe janë zhvilluar në teatro të tjera. Vepra e fundit e tij, “Të bardhët” është porositur nga qendra “Multimedia”.
Romani i tij debutues “Fowl Play” ka fituar çmimin e artë të “Indie Book Awards”. Ndërkohë si gazetar, Morris ka shkruar për “New York Times”, “LA Times”, “American Theatre Magazine” dhe ka qenë redaktor për më shumë se një dekadë në “LA Weekly”. Ai ka shërbyer si jurist dhe kryetar i jurisë së çmimit për dramë “Pulitzer”.
Regjisori i shfaqjes “Të bardhët”, Besim Ugzmajli, ka thënë se shfaqja është një lloj preludi i diskurseve sociale që janë rrugës për në shoqërinë në Kosovë.
“Janë diskutime që lidhen me dinamikat racore e gjinore në shumë vende të Perëndimit, por te ne janë të pakonsumuara ende, të patrajtuara. Jo krejtësisht, por shumë pak. Mendoj se brenda pak kohësh do të jenë pjesë e diskutimeve në shoqërinë tonë. Shfaqja është një lloj paralajmërimi për atë se çfarë e pret shoqërinë tonë. Jo një paralajmërim ogurzi, por që thjesht paralajmëron që diçka interesante do të jetë pjesë e diskurseve publike”, ka thënë regjisori Ugzmajli.
Ka bërë të ditur se shfaqja do të jetë pjesë e repertorit të teatrit “Oda”. Një ditë pas premierës, të shtunën, u dha repriza e parë e shfaqjes.
Shfaqja sjell copëzat e një shfaqjeje klasike të cilën publiku në kryeqytet ka vjet që s’e ka përjetuar. Vjen si një lloj ironie, për paragjykimet se ato janë jashtë mode.
Ugzmajli ka thënë se pjesët e ‘Mbretit Lir’ brenda shfaqjes është dashur të punohen me shumë kujdes.
“Teatri klasik dhe forma se si interpretohet në shumë vende, normalisht edhe në Kosovë është një pe i hollë që e ndan tragjedinë me komedinë. Është teatër shumë i vështirë dhe duhet të bëhet më shumë kujdes. Dhe kur bëhet kësisoj, në vend se të na bëjë të qajmë, na bën të qeshim. Ky është një lloj riinterpretimi i ‘Mbretit Lir’ në këtë formë”, ka thënë ai.
Ka përmendur edhe ndërlidhjen më shfaqje të çështjeve racore në shoqërinë në vend derisa ka folur për skenën në shfaqje ku flitet për “Tartufin” nën regji të regjisorit Rahim Burhan.
“Është ndërhyrje e jona. Për shkak të përmbajtjes së shfaqjes kemi vendosur të bëjmë disa korrelacione. Ndërhyrja që është bërë është reale, është e botuar, ekziston. Ka qenë diskutim i gjatë, në vitin 2008, për shkaqe krejt racore, jo për shkak të kualitetit të shfaqjes, por për shkak të nacionalitetit të regjisorit të shfaqjes. E kemi parë më të duhur sipas nesh që ta vendosim më qartë si një lloj rikapitullimi të asaj që e kanë parë, ta vendosim më qartë në mendjen e tyre dhe të lidhet ambienti ynë me dinamikat racore”, ka thënë Ugzmajli, i cili e drejton teatrin “Adriana” në Ferizaj.
Drejtor artistik i produksionit është Mentor Berisha, kostumografe: Njomza Luci, kompozitor: Memli Kelmendi, kurse dramën e ka përkthyer: Qerim Ondozi.