LAJMET E MBRËMJES

Asambleja Parlamentare e KiE-së vlerëson procesin, por gjen edhe ngecje

Vëzhguesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kanë mirëpritur zhvillimin e qetë të zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë. Ata u kanë bërë thirrje të gjithë akterëve të kontribuojnë në krijimin e shpejtë të institucioneve. Përveç lëvdatave, kanë ngritur edhe disa shqetësime lidhur me procesin e 28 dhjetorit

Mungesa e materialeve zgjedhore në gjuhë të tjera përveç asaj shqipe e mungesa e qasjes në vendvotime për personat me aftësi të kufizuara, janë disa nga ngecjet që i kanë konstatuar vëzhguesit e delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në ditën e zgjedhjeve.

Kryetari i këtij delegacioni, Yunus Emre, në një konferencë për media të hënën, ka thënë se këto probleme janë evidentuar në disa qendra të votimit.

“Disa qendra të votimit nuk kishin materiale zgjedhore në gjuhë të tjera përveç asaj shqipe. Qasja për personat me aftësi të kufizuara mbeti sfidë në shumë qendra të votimit. Asistenca për votuesit që kishin nevojë për ndihmë gjatë votimit, duke përfshirë personat analfabetë, ishte gjithashtu një problem në disa qendra të votimit. Këto rregullore duhet të rishikohen për të lehtësuar një qasje më gjithëpërfshirëse”, ka thënë Emre.

E në një qendër votimi vëzhguesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës nuk janë lejuar të jenë prezentë gjatë numërimit të votave.

Si shqetësim kryetari i këtij delegacioni ka ngritur edhe moscertifikimin e Listës Serbe nga ana e KQZ-së.

“Për herë të katërt këtë vit Komisioni Qendror i Zgjedhjeve refuzoi certifikimin e partisë kryesore serbe në Kosovë, Lista Serbe dhe listës së saj të kandidatëve – një vendim që më pas u shfuqizua nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe nga Gjykata Supreme. Ky model i përsëritur ngriti shqetësime për qëndrueshmërinë dhe paanshmërinë e administratës zgjedhore në procesin e certifikimit”, ka thënë ai.

Por delegacioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka mirëpritur zhvillimin e qetë të zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë. U ka bërë thirrje të gjithë akterëve të kontribuojnë në krijimin e shpejtë të institucioneve funksionale.

“Këto zgjedhje të parakohshme kishin për qëllim të vendosnin fundin e ngërçit politik. Delegacioni bën thirrje që të gjithë akterët të tregojnë përgjegjësi në krijimin e institucioneve funksionale para zgjedhjes së presidentit të Kosovës në pranverën e vitit 2026 nga Kuvendi i Kosovës dhe të mbështesin aspiratat demokratike dhe euroatlantike të votuesve”, ka deklaruar Emre.

Delegacioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës pati 12 anëtarë në përbërje të shpërndarë në disa komuna në ditën e zgjedhjeve të dielën.