LAJMET E MBRËMJES

Pranohet kërkesa e Lumezit për të mos u votuar si u.d. zëvendëskryeprokuror

Ish-kryeprokurori Aleksandër Lumezi është tërhequr nga ideja për t’u bërë u.d. i zëvendëskryeprokurorit të shtetit. Ai është propozuar për këtë pozitë nga u.d. i kryeprokurorit Agon Qalaj. Anëtari Visar Krasniqi në prag të miratimit të rendit të ditës të Këshillit Prokurorial ka ngritur pikëpyetje për propozimin dhe tërheqjen e Lumezit

Ish-kryeprokurori Aleksandër Lumezi i ka kërkuar Këshillit Prokurorial të mos e votojnë për pozitën e ushtruesit të detyrës së zëvendëskryeprokurorit.

Lumezi, i cili aktualisht është prokuror në zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, i ka thënë Këshillit se e ka të pamundur ushtrimin edhe të një pozite. 

“Pas një shqyrtimi të kujdesshëm të përgjegjësive dhe angazhimeve që kjo pozitë kërkon, kam arritur në përfundim se në këtë moment nuk do të jem në gjendje të pranoj këtë detyrë, për shkak të angazhimeve të mia profesionale si prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe në Komisionin për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve të të gjitha niveleve. Për këto arsye me keqardhje kam vendosur të refuzoj këtë propozim”, thuhet në kërkesën e Lumezit.

Lumezin për pozitën numër dy në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit e ka propozuar ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit Agron Qalaj, i cili më pas e ka tërhequr kërkesën.

Anëtari i KPK-së, Visar Krasniqi, ka ngritur pikëpyetje mbi ligjshmërinë e propozimit të Lumezit e edhe për tërheqjen e këtij propozimi.

Krasniqi ka kërkuar sqarime nga u.d. i kryeprokurorit Agon Qalaj, por kryesuesi Ardian Hajdaraj ka thënë se diskutimi duhet të bëhet vetëm lidhur me propozime për rendin e ditës.

“Është pak e çuditshme mënyra se si është hartuar shkresa, ku është baza ligjore për t’u propozuar zëvendësushtruesi i detyrës domethënë asnjë dispozitë ligjore nuk përcakton se cila është baza ligjore që të caktohet ushtruesi i detyrës. Neni 17 i Ligjit për Këshillin Prokurorial thotë se Këshilli e emëron zëvendëskryeprokurin e shtetit pas konsultimit me kryeprokurorin e shtetit për një mandat katërvjeçar dhe publiku e meriton një sqarim pasi të premten ne e kemi pasur rendin e ditës dhe jo kështu me një email të z. Lumezi me u tërheqë kjo çështje sikur nuk ka ndodhur asgjë, është shumë me rëndësi që publiku ta dijë se ku u shpi ky propozim dhe pse u tërhoq në fund”, ka thënë Krasniqi.

Lumezi i njohur si “Leka” ka qenë kryeprokuror nga viti 2015 deri në vitin 2022.

Ai është përfolur disa herë gjatë kësaj periudhe për anim politik. Emri i tij është përmendur në përgjimet e skandalit “Pronto”.

Atëkohë Adem Grabovci e pati konfirmuar se diskutimet kanë qenë për ta bërë pjesë të partisë, pa e përjashtuar mundësinë që ai të kandidohej për kryetar të Prishtinës me siglën e PDK-së.