Aleksandër Lumezi ka refuzuar propozimin për përzgjedhjen në pozitën e zëvendëskryeprokurorit të Shtetit.
Përmes një e-maili dërguar ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, Lumezi ka theksuar se për shkak të angazhimeve si prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe në Komisionin për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve, e ka të pamundur ushtrimin edhe të pozitës së zëvendëskryeprokurorit të Shtetit, raporton "Betimi për Drejtësi".
“Pas një shqyrtimi të kujdesshëm të përgjegjësive dhe angazhimeve që kjo pozitë kërkon, kam arritur në përfundim se në këtë moment nuk do të jem në gjendje të pranoj këtë detyrë, për shkak të angazhimeve të mia profesionale si prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe në Komisionin për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve të të gjitha niveleve. Për këto arsye me keqardhje kam vendos të refuzoj këtë propozim”, thuhet në emailin e Lumezit.
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka caktuar takimin e radhës për sot (29 dhjetor 2025) në orën 14:00, ku pikë e rendit të ditës është edhe përzgjedhja e zëvendëskryeprokurorit të Shtetit.
Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, për këtë pozitë e ka propozuar Aleksandër Lumezin.
Ndërkaq, në letrën që Qalaj ia ka drejtuar KPK-së më 24 dhjetor, propozon Lumezin për këtë pozitë.
“ … me qëllim që të garantohet vazhdimësia institucionale, ushtrimi i plotë i kompetencave dhe përmbushja e të gjitha detyrave dhe përgjegjësive në përputhje me legjislacionin në fuqi, propozoj caktimin e prokurorit të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z.Aleksandër Lumezi, në pozitën e zëvendëskyreprokurorit të Shtetit”, thuhet në këtë shkresë.
Agron Qalaj është caktuar nga KPK në pozitën e U.D. Kryeprokurorit të Shtetit në mbledhjen e 22 dhjetorit, pas miratimit të kërkesës së Besim Kelmendit për dorëheqje nga kjo pozitë.