Shtojca për Kulturë

Driton Selmani në zbërthim urgjencash të së tashmes aterron në Vjenë

“Geisters or Vice Versa”, Driton Selmani, 2019 - 2023
 

“Everything we do is really, really brilliant” titullohet ekspozita e Driton Selmanit, e cila do të hapet në Vjenë. Është e para ekspozitë e Selmanit në hapësirat gjermanofolëse, por ai ka kohë që “komunikon” me audiencë të huaj njashtu siç kaherë është çmuar për artin e tij. Kur pyetet për peshën që ka për të kjo ekspozitë, përgjigjja u ngjan disi edhe maksimave që ai përthekon në vepra arti, shpesh edhe si deklarata politike, por larg atyre të politikanëve e të përditshmërisë. “Sfidë e re, për një publik që e njoh nga e kaluara. Por e tashmja duket më shumë si urgjencë sesa si komoditet”, ka thënë ai

Ai është në gjendje të kapë secilën audiencë. Tek e thotë këtë për artistin nga Kosova, Driton Selmani, kuratorja Hana Ostan Ožbolt i jep varg disa dëshmi. Njëra prej tyre, e para ekspozitë e tij në Austri e cila është iniciuar dhe kuruar prej saj. Pritet të hapet në Vjenë, javën që vjen. Ka një titull që ndahet me tis të hollë midis filozofikes e poetikes, tipik për Selmanin dhe artin e tij. Titullohet: “Everything we do is really, really brilliant”. Vendi: “Kahán Art Space Vienna”. Data e hapjes 7 qershor. Është e para ekspozitë e Selmanit në hapësirat gjermanofolëse, por ai ka kohë që “komunikon” me audiencë të huaj njashtu siç kaherë është çmuar për artin e tij. Më saktë për thellësinë e artit.

Kur pyetet për peshën që ka për të kjo ekspozitë, përgjigjja u ngjan disi edhe maksimave që ai përthekon në vepra arti, shpesh edhe si deklarata politike, por larg atyre të politikanëve e të përditshmërisë.