Showbiz

Zoe Saldana bëhet aktorja më e paguar, ia kalon Scarlett Johanssonit

Zoe Saldana

Zoe Saldana

Foto: Associated Press

Zoe Saldana është bërë aktorja me fitimet më të mëdha në historinë e kinemasë, duke kaluar aktoren Scarlett Johansson në renditjen globale të arkëtimeve.

Aktorja 47-vjeçare, fituese e çmimit “Oscar”, e arriti këtë rekord pas suksesit të filmit të tretë të sagës Avatar, “Avatar: Fire and Ash”, i cili i shtoi mbi 1.2 miliardë dollarë totalit të saj. Sipas të dhënave të platformës The Numbers, filmat ku ka luajtur Saldana kanë gjeneruar më shumë se 15.46 miliardë dollarë në mbarë botën, ka raportuar The Guardian.

Kjo shifër e jashtëzakonshme lidhet kryesisht me rolet e saj në filmat Avatar, si dhe me personazhin e Gamoras në trilogjinë “Guardians of the Galaxy” dhe filmat “Avengers” të Marvelit.

Ajo ka pasur sukses edhe me filmat “Star Trek”, si dhe me filmin e parë “Pirates of the Caribbean”.

Vitin e kaluar, Scarlett Johansson kishte kaluar në vendin e parë pas suksesit të “Jurassic World Rebirth”, i cili arkëtoi 869 milionë dollarë globalisht. Johansson gjithashtu ka qenë pjesë e disa filmave të Marvelit.

Edhe pse “Avatar: Fire and Ash” ka pasur një ecuri më të ngadaltë krahasuar me filmat e mëparshëm të sagës, ai ka qëndruar në vendin e parë në box officein amerikan që nga publikimi në dhjetor. Ndërkohë, Saldana huazoi zërin edhe për filmin e animuar “Elio” të gjigandit Pixar, verën e kaluar, por filmi nuk pati suksesin e pritur.

Në vitin 2025, Saldana fitoi çmimin “Oscar” për aktoren më të mirë në rol dytësor për interpretimin e saj në mjuzikëllin kriminal të Netflixit, “Emilia Pérez”.

Aktualisht, ajo është duke punuar në sezonin e ri të serialit aksion-dramë “Lioness”.

Regjisori i “Avatarit”, James Cameron, ka bërë të ditur se ka plane për dy filma të tjerë, por ende nuk ka konfirmim zyrtar.

“Nëse nuk arrijmë t’i realizojmë filmat 4 dhe 5, për çfarëdo arsye, do të mbaj një konferencë për shtyp dhe do të tregoj se çfarë kishim planifikuar,” ka thënë ai së fundmi.

Sipas renditjes së The Numbers, pas Saldanas dhe Johanssonit vijnë aktorët Samuel L. Jackson, Robert Downey Jr. dhe Chris Pratt, të gjithë të njohur për rolet e tyre në filmat e Marvelit.

Aktorët me fitimet më të mëdha që nuk kanë luajtur në filma të Marvelit janë Tom Cruise, Dwayne Johnson dhe Tom Hanks.

Ndërsa pas dy aktoreve kryesuese, aktoret gra më të renditura janë Emma Watson në vendin e 16-të, Karen Gillan në vendin e 23-të dhe Elizabeth Olsen në vendin e 25-të.