Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Yjet e “Friends” reagojnë për vdekjen e Perryt

Ekipi i serialit të famshëm “Friends” ka thënë se i duhet kohë ta pranojë vdekjen e ish-kolegut Matthew Perry. Në një deklaratë të përbashkët për CNN-in, Jennifer Aniston, Courteney Cox, Lisa Kudrow, David Schwimmer dhe Matt LeBlanc kanë shkruar se “janë të shkatërruar nga humbja e Matthewit”.

“Ishim më shumë se veç shokë. Jemi një familje”, thuhet në letrën e tyre. “Kemi shumë për të thënë, por tani do të shfrytëzojmë kohën për të pranuar këtë humbje të pamatshme. Do të flasim më shumë, sapo që të jemi në gjendje që ta bëjmë këtë. Tash për tash, mendimet dhe dashuria jonë janë me familjen e Mattyt, miqtë e tij dhe të gjithë që e donin”.

Perry vdiq të shtunën në shtëpinë e tij në Los Angeles. Ai vdiq në moshën 54-vjeçare.

Ylli ishte pjesë e serialit të famshëm amerikan “Friends” nga viti 1994 deri më 2004 në rolin e Chandler Bingut, anëtarit të njohur për sarkazëm në mesin e grupit të miqve që jetonin në New York. Seriali është ndër më të famshmit e të gjitha kohërave dhe vazhdon të tërheqë edhe audienca të reja në platforma të ndryshme.

Në rolin e tij, Perry ishte nominuar për “Emmy” më 2002 për Aktorin më të mirë në seri komike dhe u nominua më 2021 si producent ekzekutiv i “Friends: The Reunion (Ribashkimi)”.

Ai u gjet pa shenja jete në banjë, sipas një deklarate të Policisë të lëshuar të hënën në mëngjes.

Artikuj të ngjashëm