Ka vdekur aktori i filmit dhe teatrit, Philip Baker Hall, i cili ka luajtur në filmat e parë të Paul Thomas Andersonit dhe e shënoi një performancë fantastike në serialin hit “Seinfeld”. Ai ishte 90-vjeçar.
Holly Wolfle, gruaja e aktorit për pothuajse 40 vjet, deklaroi të hënën (13 qershor) se Hall vdiq në shtëpinë e tij në Glendale i rrethuar nga personat më të dashur. Ajo po ashtu bëri të ditur se aktori ishte mirë me shëndet deri para pak javësh, dhe ditët e fundit i kaloi në qetësi duke reflektuar mbi jetën e tij.
Me një karrierë që daton më shumë se 5 dekada, Hall shquhet kryesisht për role dytësore në projekte të ndryshme, raporton agjencia e lajmeve “AP”. I lindur në Toledo të Ohios, Hall aktrimin e filloi në skenën teatrore të Los Angelesit, para se të kalonte në filma dhe seriale televizive.
Disa prej projekteve të tija më të njohura mbesin, serialet “Good Times”, “Seinfeld”, “Curb Your Enthusiasm”, “Modern Family” dhe filmat “The Insider”, “60 Minutes”, “Dogville”, “The Truman Show”, “The Talented Mr. Ripley”, “Zodiac”, “Argo” dhe “Rush Hour."
Roli i tij i fundit ishte në serialin e vitit 2020, “Messiah”.
Philip Baker Hall la pas vetes gruan dhe katër vajza. Ai ishte shumë i dashur nga komuniteti i Hollywoodit, të cilët menjëherë pas lajmi për vdekjen e aktorit i pushtuan rrjetet sociale me mesazhe ngushëlluese.