Showbiz

Vdiq aktori Ned Eisenberg në moshën 65-vjeçare

Aktori i serialit “Law & Order”, Ned Eisenberg, vdiq të dielën në shtëpinë e tij në New York, pas një beteje të ashpër me kancerin. Ai ishte vetëm 65-vjeçar.

Lajmin e vdekjes së aktorit e konfirmoi gruaja e tij Patricia, për uebfaqen “TMZ”.

“Ned vdiq gjatë fundjavës. Siç do të thoshte edhe vet, ai u sulmua nga dy vrasës shumë të rrallë që janë, kolengiokarcinoma dhe melanoma okulare”.

Tutje, Patricia shpjegoi se bashkëshorti i saj, i cili së fundmi luajti krahas yllit hollywoodian Kate Winslet në serialin e suksesshëm, “The Mare of Easttown”, e ka luftuar me shumë guxim kancerin nga viti 2020, por kishte vazhduar të punojë përgjatë kësaj sëmundjeje në mënyrë që ta ruajë sigurinë financiare.

“Përgjatë dy vjetëve të fundit, ai me shumë guxim luftoi me kancerin në mënyrë private derisa vazhdoi të punojë në projekte të ndryshme, në mënyrë që të siguronte mjete të mjaftueshme për mbulimin e shpenzimeve mjekësore për veten dhe familjen e tij”.

Pas debutimit në ekran të madh në vitet ’80 me filmin “The Exterminator”, Ned Eisenberg vazhdoi të paraqitej me role të vogla në filma të tillë si, “Moving Violations”, “Walter Hill’s”, “Last Man Standing” dhe “Million Dollar Baby”.

Përgjatë një periudhe 20-vjeçare, ai e portretizoi avokatin mbrojtës, Kressler, në gjithsej 24 episode të serialit të famshëm “Law & Order: SVU” si dhe në vitin 2019 u përfshi në një episod të hitit televiziv, “The Marvelous Mrs. Maisel”.

Ned i cili e la prapa gruan Patricia dhe djalin e tyre Leo, shquhej si person i dashur dhe një aktorë mjaft i talentuar.