Këngëtarja e njohur amerikane Connie Francis ka ndërruar jetë në moshën 87-vjeçare, vetëm disa ditë pasi ishte shtruar në spital për shkak të dhimbjeve ekstreme. Lajmin e hidhur e konfirmoi miku i saj, Ron Roberts, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

“Me zemër të rënduar dhe me pikëllim të madh ju njoftoj për ndarjen nga jeta të mikes sime të dashur, Connie Francis, mbrëmë. E di që Connie do të donte që fansat e saj të ishin ndër të parët që e mësojnë këtë lajm të trishtë. Detaje të tjera do të publikohen më vonë”, ka shkruar ai, raporton Poeple.
Francis ishte shtruar në spital më 2 korrik dhe kishte anuluar një paraqitje për Ditën e Pavarësisë së SHBA-së. Në atë kohë, ajo njoftoi ndjekësit se po kryente teste për të zbuluar shkakun e dhimbjeve të mëdha që, siç dyshohej, mund të lidhen me një trajtim të mëhershëm në ije.

“Jam sërish në spital, ku po kryej teste për të përcaktuar shkakun e dhimbjeve ekstreme që po përjetoj,” kishte shkruar Connie më herët. “Fatkeqësisht, nuk munda të marr pjesë në emisionin e Brucie për Ditën e Pavarësisë.”
Pas qëndrimit në kujdes intensiv, ajo u transferua në një dhomë private.
“Sot ndihem shumë më mirë pas një nate të qetë dhe dua t’ju uroj një Ditë të Pavarësisë të lumtur. Faleminderit për mendimet dhe lutjet tuaja të vazhdueshme”, ka shkruar ajo me 4 korrik, nw postimin e fundit në Facebook.
Vdekja e saj ndodhi vetëm pak javë pasi kënga e saj e vitit 1962 “Pretty Little Baby” u bë virale në TikTok, duke prekur një brez të ri dëgjuesish. Në një intervistë për revistën PEOPLE, Francis kishte pranuar me humor se nuk e mbante mend mirë këngën.

“Për të qenë e sinqertë, nuk e mbaja mend fare këngën. Duhej ta dëgjoja që ta kujtoja. Është vërtet e mahnitshme që një këngë që kam incizuar 63 vite më parë po prek zemrat e miliona njerëzve. Një ndjenjë e pabesueshme”, kishte thënë ajo.
Connie Francis u bë e famshme në vitet '50 me hite të mëdha si “Stupid Cupid”, “Lipstick on Your Collar”, “Who's Sorry Now” dhe “Where the Boys Ar”e. Kënga “Who's Sorry Now” u bë një sukses i menjëhershëm, duke shitur mbi një milion kopje dhe duke u renditur në vendin e parë në Mbretërinë e Bashkuar.
Ajo vazhdoi të incizojë dhe të performojë ndër vite, ndërsa botoi autobiografinë “Who's Sorry Now?” më 1984 dhe një libër të dytë me kujtime “Among My Souvenirs” më 2017. Në vitin 2018, Francis u tërhoq nga jeta publike.

Kënga: Pretty Little Baby [AUDIO]: