Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

U ndanë çmimet “American Music Awards”, Dua Lipa në mesin e fituesve

Edicioni i 50-të i ceremonisë shpërblyese “American Music Awards” zuri vend të dielën mbrëma në teatrin “Microsoft” në Los Angeles.

Shou i organizuar nga produksioni “Dick Clark” dhe kanali televiziv ABC, u drejtua nga komediani Wayne Brady, shkruan CNN.

Ngjarja e mbushur me yje të muzikës i nderoi disa prej projekteve, performancave dhe artistëve të preferuar, sipas votave të publikut.

Artisti nga Puerto Rico, Bad Bunny, e kryesonte listën e të nominuarve sivjet me tetë nominime gjithsej. Por, ai përfundoi duke u shpërblyer në vetëm dy kategori, “Artisti i preferuar latin” dhe “Albumi më i mirë i muzikës latine”, për incizimin e tij të fundit, “Un Verano Sin Ti”.

Sidoqoftë, mbrëmja i takoi këngëtares amerikane, Taylor Swift, e cila triumfoi të gjashtë kategoritë ku ishte nominuar, përfshirë këtu çmimin kryesor të natës, “Artisti i vitit”. Këto fitore ia vulosën titullin e artistes më të dekoruar në historinë e ceremonisë “AMA”, me 40 shpërblime gjithsej në karrierën e saj muzikore.

Ndër yjet e tjerë të shpërblyer gjatë së dielës ishin, Harry Styles, i cili u nderua në kategorinë “Kënga e preferuar pop”, Dove Cameron e rrëmbeu çmimin “Artistja më e mirë e re”, Kendrick Lamar dhe Nicki Minaj u shpallën “Artisti dhe artistja e preferuar e muzikës hip-hop”, Chris Brown dhe Beyonce u nderuan në kategoritë “Artisti dhe artistja më e mirë R&B”, Machine Gun Kelly u nderua me çmimin “Artisti i preferuar i muzikës rok”, grupi italian “Maneskin” e rrëmbeu shpërblimin “Kënga më e mirë rok” për hitin e tyre “Beggin”, grupi nga Korea Jugore “BTS” triumfoi në dy kategori, “Grupi më i mirë pop” dhe “Grupi më i mirë K-pop”, Anita u shpall “Artistja e preferuar latine” dhe Elton John dhe Dua Lipa u nderuan me çmimin “Bashkëpunimi më i mirë”, për këngën e tyre shumë të pëlqyer nga publiku “Cold Heart”. Ky ishte shpërblimi i parë “AMA” për Elton Johnin, nga viti 1998.

Edhe Dua Lipa triumfoi në dy kategori të ceremonisë “Billboard Music Awards” Showbiz Dua Lipa triumfoi në dy kategori të ceremonisë “Billboard Music Awards”

Ceremonia u pasurua me performancat e yjeve në skenë të tillë si: Pink, e cila e hapi shoun, Dove Cameron, Lil Baby, Bebe Rexha, Cardi B, Carrie Underwood, grupi “Imagine Dragons” dhe të tjerë.

Lionel Richie, fitues i 17-të çmimeve “AMA” gjatë karrierës së tij disa dekadëshe, u nderua me shpërblimin special “Icone Aëard” për kontributin e jashtëzakonshëm në muzikë.