Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

U ndanë çmimet “American Music Awards” me një ceremoni glamuroze

Ceremonia e ndarjes së çmimeve “American Music Awards” zuri vend të dielën mbrëma në Los Angeles, dhe mbrëmja u dominua nga yje të tillë si, “BTS”, Megan Thee Stallion dhe Doja Cat.

Artistja më e nominuar e ngjarjes ishte këngëtarja e re, Olivia Rodrigo, e cila kryesonte me gjithsej shtatë nominime, derisa pas saj gjendej ylli kanadez i muzikës pop, The Weeknd, me pesë nominime.

Çmimin kryesor të mbrëmjes atë “Artisti i vitit” e fitoi grupi i përbërë nga shtatë djelmosha, “BTS”, të cilët gjithashtu triumfuan në kategoritë, “Grupi i preferuar i muzikës pop” dhe “Kënga e preferuar pop”, çmim ky i cili shkoi për hitin e tyre “Butter”.

Me nga tri shpërblime gjatë mbrëmjes po ashtu u nderuan artistet, Megan Thee Stallion dhe Doja Cat.

Megan triumfoi në kategoritë, “Artistja e preferuar hip-hop”, “Albumi i preferuar hip-hop” dhe “Kënga e preferuar e publikut”, çmim ky i cili shkoi për hitin e saj “Body”. Kurse, Doja Cat i rrëmbeu çmimet “Bashkëpunimi i vitit” për hitin “Kiss Me More” të cilin e ka në bashkëpunim me këngëtaren SZA, “Artistja e preferuar e zhanrit R&B” dhe “Albumi i preferuar R&B”.

Ylli amerikan i muzikës, Taylor Swift, triumfoi në dy kategori, “Artistja e preferuar pop” dhe “Albumi më i mirë pop”, duke ia rrëmbyer te dyja çmimet këngëtares me prejardhje kosovare, Dua Lipa, e cila ishte nominuar në po këto kategori. Kurse, The Weeknd u nderua me një shpërblim gjatë mbrëmjes, atë “Artisti i preferuar i zhanrit R&B”.

Edhe U ndanë çmimet “American Music Awards”, Dua Lipa në mesin e fituesve Showbiz U ndanë çmimet “American Music Awards”, Dua Lipa në mesin e fituesve

Ndër fituesit tjerë të mbrëmjes ishin: Drake i cili u shpall “Artisti i preferuar i muzikës hip-hop”, Kanye West që e rrëmbeu çmimin “Aritsti i preferuar i muzikës kishtare”, grupi “Silk Sonic” triumfoi në kategorinë “Kënga e preferuar R&B” për hitin e padiskutueshëm “Leave The Door Open”, Ed Sheeran u shpall “Artisti i preferuar i muzikës pop”, Lil Nas X e fitoi çmimin “Videklipi më i mirë” për këngën “Montero (Call Me By Your Name)”, Olivia Rodrigo triumfoi në kategorinë “Artistja më e mirë e re” dhe të tjerë.

Ceremonia e ndarjes së shpërblimeve “American Music Awards” gjithashtu u karakterizua me performancat e disa prej emrave më të mëdhenj të muzikës, si “BTS” dhe “Coldplay” të cilët për herë të parë e interpretuan live bashkëpunimin e tyre të suksesshëm, “My Universe”, Olivia Rodrigo e performoi hitin e saj “Traitor”, Bad Bunny i cili gjatë mbrëmjes i fitoi dy çmime, e performoi hitin “Lo Siento”, në bashkëpunim me artistët Tainy dhe Julieta Venegas, dhe yje të tjerë që e hijeshuan skenën me interpretime të mrekullueshme.