Aktori i njohur amerikan, Terrence Howard, ka zbuluar në podcastin Club Random të Bill Maher, se ka refuzuar të luajë rolin e këngëtarit Marvin Gaye në një film biografik, sepse nuk pranonte të puthte një burrë në ekran. Ai tha se ky rol do të përfshinte një moment të tillë, për shkak të thashethemeve mbi seksualitetin e këngëtarit, ka raportuar FemaleFirst.
“Po flisja me Quincy Jones dhe i thashë: ‘Po dëgjoj thashetheme se Marvin ka qenë homoseksual.’ Ai më tha: ‘Po’. Nëse do të kërkonin që kjo të përfshihej në film, nuk do ta bëja dot. Nuk shtirem. Nëse do të puthja një burrë, do t’i prisja buzët vetes”, ka thënë Howard.
Aktori ka thënë se kjo nuk e bën homofob, por ai nuk mund të luajë një rol që nuk e ndien plotësisht.
“Nuk më bën homofob fakti që s’dua ta puth një burrë. Por nuk mund të hyj 100% në një karakter nëse nuk e kuptoj atë botë”, ka shpjeguar ylli.
Ai gjithashtu ka zbuluar se kishte refuzuar më parë edhe një kërkesë personale nga Smokey Robinson për ta luajtur atë, për shkak të përfshirjes së mundshme me projektin e Marvin Gaye.
Këto deklarata vijnë disa vjet pasi Quincy Jones – i cili ndërroi jetë më 2024 – deklaroi në një intervistë për Vulture se Marvin Gaye, Richard Pryor dhe James Baldwin kishin pasur marrëdhënie me Marlon Brandon, për të cilin ka thënë se “do të flinte me gjithçka, edhe me një kuti postare”.