Aktori britanik Ben Daniels ka folur hapur për vështirësitë me të cilat, sipas tij, vazhdojnë të përballen aktorët homoseksualë në industrinë e filmit dhe televizionit, duke thënë se një aktor i komunitetit “queer” “nuk do të përzgjidhet kurrë” për rolin e James Bondit.
61-vjeçari, i njohur për serialin “Cutting It”, ka treguar se megjithëse do ta pranonte pa hezitim të luante rolin e një heteroseksuali, si ai që luan në komedinë e BBC-së, Hollywoodi ende e ka të vështirë të ofrojë role të mëdha për aktorët homoseksualë.
“Ishte jashtëzakonisht argëtuese. Por mundësitë për aktorët homoseksualë nuk janë aq të shumta sa pretendohet… Për shembull, një person ‘queer’ nuk do të përzgjidhet kurrë si James Bond”, ka thënë ai për Daily Telegraph.
Amazon MGM ende nuk e ka konfirmuar se kush do të jetë aktori i radhës që do të luajë agjentin 007, pas largimit të aktorit Daniel Craig nga roli në vitin 2021 me filmin “No Time To Die”.
Daniels ka shtuar se aktorët homoseksualë shpesh as nuk merren në konsideratë për role të tilla.
“Si aktor homoseksual, as nuk të shohin për ato role. Dhe shpesh ende nuk punësojnë aktorë ‘queer’ as për role ‘queer’”, ka thënë ai.
Ai ka theksuar gjithashtu se për shumë aktorë mbetet e vështirë të flasin hapur për seksualitetin e tyre, duke përmendur se aktori i filmit “Wicked”, Jonathan Bailey, është një nga të paktët që e ka bërë këtë publikisht.
“Ka ende njerëz që, çuditërisht, jetojnë në fshehtësi. Po, ka emra të mëdhenj si Jonathan Bailey që është hapur plotësisht… por janë shumë pak. Shpesh jam i vetmi aktor homoseksual në një ambient. Edhe në “Interview with the Vampire” isha një nga shumë pak aktorë homoseksualë, gjë interesante duke qenë se ishte një serial shumë ‘queer’”, u shpreh ai.
Duke folur për arsyen pse shumë aktorë nuk dalin publikisht, Daniels ka sugjeruar se frika për karrierën është faktori kryesor.
“Të gjithë e dimë se cilët aktorë janë ‘queer’, dhe e kuptoj pse nuk dalin hapur, sepse do të punonin më pak. Nuk i gjykoj aspak, por për mua personalisht do të ishte e pamundur të mos isha i hapur”, ka theksuar ai.