Showbiz

Sydney Sweeney mund të përballet me ligjin pasi vendosi sytjena në shenjën e Hollwoodit

Sydney Sweeney

Sydney Sweeney

Foto: Associated Press

Aktorja amerikane, Sydney Sweeney, mund të përballet me pasoja ligjore pasi ajo dhe ekipi i saj vendosën sytjena mbi tabelën ikonike të Hollywoodit, në kuadër të promovimit të brendit të saj të ri të veshjeve të brendshme, “SYRN”.

28-vjeçarja dhe bashkëpunëtorët e saj thuhet se janë ngjitur fshehurazi drejt monumentit të famshëm në Hollywood Hills, duke kaluar një gardh rreth tetë metra të lartë dhe duke u ngjitur në kodër me çanta të mbushura me të brendshme,  ka raportuar ABC News.

Në një video të publikuar në Instagram, ata shihen duke varur sytjena mbi shkronjat e tabelës së famshme dhe duke pozuar para saj, përpara se t’i largonin ato. Megjithatë, pretendohet se disa prej tyre janë lënë ende në shpatin e kodrës.

Ani pse është raportuar se ekipi kishte një leje xhirimi, autoritetet kanë sqaruar se kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht autorizim për t’u ngjitur, për ta prekur apo për ta ndryshuar fizikisht tabelën.

Institucioni, The Hollywood Chamber of Commerce, që zotëron të drejtat e pronësisë intelektuale mbi imazhin e tabelës, ka bërë të ditur se nevojitet një licencë ose leje e posaçme për çdo përdorim komercial apo qasje fizike në këtë monument, i cili menaxhohet nga Hollywood Sign Trust.

Presidenti dhe drejtori ekzekutiv i The Hollywood Chamber of Commerce, Steve Nissen, ka thënë për ABC News se veprimi nuk ishte i autorizuar.

“Produksioni që përfshinte Sydney Sweeney dhe tabelën e Hollywoodit nuk ishte i autorizuar nga The Hollywood Chamber of Commerce dhe ne nuk kishim dijeni paraprake për të”, ka thënë ai.

Nissen ka shtuar se çdo përdorim komercial i imazhit të tabelës kërkon domosdoshmërisht miratim zyrtar.

“The Hollywood Chamber of Commerce zotëron të drejtat e pronësisë intelektuale mbi imazhin e tabelës së Hollywoodit, ndaj kushdo që synon ta përdorë ose të ketë qasje në të për qëllime komerciale duhet të marrë licencë ose leje. Asnjë leje e tillë nuk është dhënë për këtë produksion”, ka theksuar ai.

Sipas TMZ, ekipi kishte marrë leje nga “FilmLA” për të xhiruar në zonë, por nuk kishte autorizim për t’u ngjitur në tabelë, për ta prekur apo për të ndërhyrë fizikisht në të.

Ani pse tabela ndodhet në tokë publike, zona konsiderohet e kufizuar dhe ligji ndalon ngjitjen në strukturë. Hyrja e paautorizuar mund të përbëjë kundërvajtje penale, e cila dënohet me gjobë deri në 1 mijë dollarë ose me burgim deri në gjashtë muaj.

The Hollywood Chamber of Commerce ende nuk ka depozituar një kallëzim për hyrje të paautorizuar apo vandalizëm, por ka konfirmuar se rasti është në hetim.

“Ne jemi ende duke hetuar se si dhe me çfarë autoriteti, nëse ka pasur ndonjë të tillë, produksioni ka pasur qasje në këtë zonë”, ka shtuar Nissen.

TMZ ka raportuar gjithashtu se The Hollywood Chamber of Commerce i ka dërguar një letër kompanisë së produksionit, ku thuhet se përdorimi i imazhit të tabelës së Hollywoodit për qëllime komerciale është bërë pa leje.