Kompani teknologjike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Astronomer, ka vendosur ta pezullojë shefin ekzekutiv të saj, Andy Byron, pasi videoja nga një koncert i Coldplay – ku shihet përqafimi i tij me një punonjëse në ekranin gjigant – u bë virale.
Pamjet, të cilat fillimisht u transmetuan në ekranin e madh gjatë koncertit në Boston, tregojnë Byronin tek e mban me duar gruan dhe përqafohen. Por sapo fytyrat e tyre u shfaqën para mijëra spektatorëve, të dy u përkulën dhe u përpoqën të fshiheshin nga kamera.
Pasi i pa në kamera duke u fshehur, këngëtari i Coldplay, Chris Martin, u shpreh: “Ose kanë një aferë, ose janë shumë të turpshëm”. Duke marrë shkas nga kjo, nisën spekulimet për lidhje të fshehtë – që më pas doli e vërtetë.
Videoja u publikua fillimisht në TikTok dhe mori miliona shikime, për t’u shpërndarë më pas në rrjetet sociale, ku u kthye në meme dhe u komentua edhe në emisione televizive.
Dy ditë pas shpërthimit të videos në internete, kompania Astronomer publikoi një deklaratë ku njoftoi fillimin e një hetimi të brendshëm, pa përmendur drejtpërdrejt videon.
“Astronomer mbetet e përkushtuar ndaj vlerave dhe kulturës që na ka udhëhequr që nga themelimi. Liderët tanë pritet të jenë shembull në sjellje dhe përgjegjësi. Bordi Drejtues ka nisur një hetim zyrtar dhe do të ndajmë më shumë detaje së shpejti”, thuhet në reagimin e tyre.