Këngëtari i njohur, Chris Martin, ka paralajmëruar publikun se mund të shfaqen në ekranin gjigant të koncertit, duke iu referuar me humor videos që është bërë virale, ka raportuar The Hollywood Reporter.
Gjatë koncertit të parë të grupit Coldplay pas incidentit të famshëm me “kiss-cam”, këngëtari Chris Martin nuk e la pa komentuar. Të shtunën mbrëma, në stadiumin “Camp Randall” në Madison të Wisconsin-it, ai u drejtua me humor fansave.
“Do të donim t’ju përshëndesim disa prej jush në publik. Si do ta bëjmë këtë? Duke përdorur kamerat tona për t’ju vendosur në ekranin e madh. Prandaj, nëse s’e keni bërë grimin, bëjeni tani”, ka thënë Martin, duke shkaktuar të qeshura në publik (videoja u postua në rrjetin X, ish-Twitter).
HE’S SO UNSERIOUS pic.twitter.com/8HpHPr0REU
— monica 🌙 (@weeklycoldplay) July 20, 2025
Kjo ishte një referencë për skandalin e ditëve të fundit, i cili ndodhi gjatë koncertit të Coldplay në Boston, ku kamera e “kiss-cam” kapi drejtorin ekzekutiv (CEO) të kompanisë teknologjike Astronomer, Andy Byron, duke përqafuar shefen e burimeve njerëzore të kompanisë, Kristin Cabot. Pasi e kuptuan se ishin në ekran, Byron u përpoq të fshihej duke u ulur, ndërsa Cabot u kthye me shpinë dhe mbuloi fytyrën. Që të dy janë të martuar me partnerë të tjerë.
“Ose janë duke pasur një aferë, ose janë thjesht shumë të turpshëm”, dëgjohet të thotë Martin në video.
Koncerti në Madison ishte i pari që kur videoja u bë virale. Pas publikimit të saj, të dy punonjësit u pezulluan dhe më pas Andy Byron dha dorëheqjen nga posti i CEO-së.
“Astronomer është e përkushtuar ndaj vlerave dhe kulturës që na ka udhëhequr që nga themelimi. Liderët tanë priten të jenë shembull në sjellje dhe përgjegjësi, dhe së fundmi, ky standard nuk është përmbushur. Andy Byron ka dhënë dorëheqjen dhe Bordi e ka pranuar. Ne do të fillojmë kërkimin për CEO-n e ri, ndërsa bashkëthemeluesi dhe drejtori i produktit Pete DeJoy do të vazhdojë të shërbejë si CEO i përkohshëm”, thuhej në deklaratën zyrtare të kompanisë