Showbiz

Suge Knight thotë se të afërmit e Tupacut tymosën hirin e tij “si marihuanë”

Suge Knight & Tupac

Suge Knight & Tupac

Në një kthesë tjetër të historive që ende rrethojnë vdekjen e reperit Tupac Shakur, drejtuesi i shtëpisë diskografike “Death Row Records”, Marion ‘Suge’ Knight, ka pohuar se një grup i miqve dhe familjarëve më të afërt të Tupacut kanë tymosur hirin e tij në një ‘cigare marihuanë’ (blunt).

Duke folur për revistën PEOPLE nga burgu në Kaliforni, ku po vuan dënim prej 28 vjetësh për një aksident me vdekje të shkaktuar në vitin 2015, Knight ka rrëfyer ngjarjet që rrethojnë vdekjen e Tupacut dhe homazhin e pazakontë që pasoi.

Tupac Amaru Shakur, 25 vjeç, u qëllua për vdekje më 7 shtator 1996 në Las Vegas, pasi ndoqi një ndeshje boksi të Mike Tysonit me Knightin. Tupac dhe Knight u zunë në pritë në një semafor, pasi kishin lënë arenën MGM Grand, kur të shtënat shpërthyen mbi veturën e tyre BMW të zezë.

Knighti u plagos lehtë në kokë, ndërsa Tupacu u qëllua katër herë.

“Zbrita nga vetura dhe u përpoqa t’u tregoja oficerëve se çfarë kishte ndodhur, ndërkohë që po rridhte gjak gjithandej. Pastaj shkova ta nxirrja Tupacun nga vetura, edhe pse dera ishte hapur. Duhej të shkoja atje, për t’ia hequr rripin e sigurimit”, rrëfen ai.

Knighti zbuloi se nëna e reperit, Afeni Shakur, kishte kërkuar që ai të digjej menjëherë, pa ceremoni mortore dhe pa vonesa.

“Pagova një milion dollarë në para të gatshme për ta bërë të mundur”, u shpreh Knight.

Atë natë, një grup i vogël, përfshirë edhe Afenin, u mblodh për të nderuar Tupacun.

“Një qese me hirin e tij u kalua për dore. Djemtë e tij e rrotulluan, e futën në cigare. E tymosën. Duhet ta kuptoni, kjo kishte kuptim për ta. Ishte simbolike. Ishte si… ta mbaje një pjesë të tij me vete”, vijoi 61-vjeçari, i cili ka thënë se nuk mundi të merrte pjesë në këtë ritual pasi ishte i zënë me punë.