Ish-udhëheqësi i bandës, Duane “Keffe D” Davis, është dënuar me 40 vjet burgim për organizimin e vrasjes së reperit Tupac Shakur.
Dënimi i Davisit ishte i pari në këtë çështje të pazbardhur për shumë vite, e cila i ka intriguar adhuruesit e hip-hopit për gati 30 vjet, raporton CNN.
Prokurorët argumentuan se, megjithëse Davisi nuk e kishte qëlluar vetë armën, ai ishte udhëheqësi i grupit që kreu vrasjen. Në librin e tij autobiografik, ai kishte pranuar se e kishte siguruar armën e përdorur në krim.
Gjatë seancës së dënimit të së martës, prokurori Marc DiGiacomo argumentoi se Davisi kishte kaluar vite duke u mburrur publikisht dhe duke folur për rolin e tij në vdekjen e Shakurit. Ai tha se kjo vrasje “pati pasoja të gjera në mbarë botën”.
Motra e Shakurit, Sekyiwa Shakur, i tha gjykatës: “Humbja e Tupacit, për një kohë të gjatë, e paralizoi familjen time.”
Edhe
Ish-gangsteri shpallet fajtor për vrasjen e Tupac Shakurit
“Ai kishte kaq shumë potencial dhe synonte ta bënte botën një vend më të mirë”, tha ajo, duke shtuar se vëllai i saj kishte shpresuar të ndihmonte komunitetin e tij lokal.
Sekyiwa Shakur i kërkoi gjykatësit t’i jepte Davisit dënimin maksimal.
Edhe vëllai i Shakurit, Maurice Shakur, iu drejtua gjykatës, duke i kërkuar gjykatësit “dënimin më të gjatë të mundshëm”.
Kur gjykatësja Carli Kierny e pyeti Davisin nëse kishte diçka për të thënë, ai u përgjigj: “Jam në rregull. Patjetër që do ta apeloj këtë çështje.”
Para se të shpallte dënimin, gjykatësja Kierny i tha se nuk mund t’ia marrësh jetën dikujt dhe pastaj ta vazhdosh jetën.
Edhe
Zgjidhet juria për gjyqin e vrasjes së Tupac Shakur
“Ti nuk mund t’ia marrësh një njeri familjes së tij.Nuk mund t’ia marrësh jetën, të ardhmen e tij të tërë dhe pastaj thjesht të vazhdosh jetën sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Sidomos kur ai njeri është Tupac Shakur. Bota nuk e harroi kurrë atë dhe vdekjen e tij.”
Prova kryesore në këtë çështje ishin vetë deklaratat e Davisit, në të cilat ai kishte pranuar vazhdimisht dhe publikisht se ndodhej brenda një automjeti Cadillac të bardhë, nga i cili u qëlluan plumbat vdekjeprurës.
Shakur ishte vetëm 25 vjeç dhe ndodhej në kulmin e karrierës së tij, si një nga zërat më me ndikim në historinë e muzikës rep, kur u vra. Ai ka shitur më shumë se 75 milionë disqe në mbarë botën.
Për gati tri dekada, hetimi për vrasjen e tij mbeti një nga çështjet e pazbardhura më të njohura në Amerikë, duke nxitur teori të panumërta konspirative.
Gjatë gjithë gjyqit, ekipi mbrojtës i Davisit u përpoq t’i bindte anëtarët e jurisë se deklaratat e tij ishin trillime, mburrje dhe ekzagjerime të bëra me qëllim shitjen e librave dhe fitimin e parave.
Edhe
30 vjet pas krimit, i akuzuari për vrasjen e Tupac Shakurit del para gjykatës
Prokurorët argumentuan se Davisi, ish-udhëheqës i bandës së rrugës South Side Compton Crips, megjithëse nuk e qëlloi vetë armën, urdhëroi sulmin dhe siguroi armën që nipi i tij, Orlando Anderson, përdori për të hapur zjarr.
Anderson vdiq në një të shtënë me armë në vitin 1998, në një ngjarje tjetër që nuk kishte lidhje me këtë çështje. Ai e kishte mohuar përfshirjen në vrasjen e Shakurit.