Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

30 vjet pas krimit, i akuzuari për vrasjen e Tupac Shakurit del para gjykatës

Tupac Shakur dhe Duane “Keffe D” Davis

Tupac Shakur dhe Duane “Keffe D” Davis

Foto: Associated Press

Pas afro 30 vjetësh nga vrasja e legjendës së repit Tupac Shakur, në Las Vegas pritet të nisë të hënën  gjyqi ndaj Duane “Keffe D” Davis, i akuzuar se organizoi sulmin fatal në vitin 1996, ka shkruar agjencia e lajmeve “Associated Press”.

63-vjeçari akuzohet për vrasje me armë zjarri dhe për veprim në mbështetje të një grupi kriminal. Ai është arrestuar në vitin 2023 dhe është deklaruar i pafajshëm.

Prokuroria pretendon se Davis ishte organizatori i sulmit dhe siguroi armën e përdorur në atentat, edhe pse nuk pritet të zbulohet gjatë gjyqit se kush e qëlloi Tupacun. Sipas autoriteteve, çështja u rihap pasi vetë Davis foli publikisht për ngjarjen në intervista dhe në librin e tij autobiografik, të botuar në vitin 2019.

Duane “Keffe D” Davis dhe avokati i tij

Tupac u qëllua më 7 shtator 1996, teksa ndodhej në një BMW që vozitej nga Marion “Suge” Knight, pak pasi kishin ndjekur një meç boksi të Mike Tysonit. Ai vdiq gjashtë ditë më vonë.

Sipas prokurorëve, motivi i vrasjes ishte hakmarrja, pasi vetëm pak orë më parë Tupac dhe shoqëruesit e tij kishin rrahur Orlando “Baby Lane” Andersonin, nipin e Davis, në hotelin MGM Grand. Ngjarja lidhet gjithashtu me rivalitetin e ashpër mes shtëpive diskografike “Death Row Records” dhe “Bad Boy Records”, si edhe mes bandave rivale të Los Angelesit.

Edhe Ish-gangsteri shpallet fajtor për vrasjen e Tupac Shakurit Showbiz Ish-gangsteri shpallet fajtor për vrasjen e Tupac Shakurit

Avokatët e Davisit kundërshtojnë akuzat, duke thënë se nuk ka prova që ai e urdhëroi sulmin dhe se prokuroria mbështetet kryesisht në deklaratat e tij publike dhe në librin, të cilin mbrojtja e konsideron pjesërisht të trilluar.

Për familjen e Tupacut, gjyqi është emocionalisht i vështirë, por edhe një mundësi për të marrë përgjigje pas kaq shumë vitesh.

“Shpresoj që gjyqi të jetë i drejtë dhe më në fund të zbulohet e vërteta”, ka shkruar njerku i reperit, Maurice “Mopreme” Shakur.

Ai ka shtuar se asgjë nuk mund ta rikthejë Tupacun.

Edhe Nis gjyqi për vrasjen e Tupac Shakur Showbiz Nis gjyqi për vrasjen e Tupac Shakur

“Kjo do të ishte drejtësi për mua, por të gjithë e dimë se kjo është e pamundur”, ka thënë ai.

Tupac Shakur mbetet një nga artistët më me ndikim në historinë e hip-hopit. Ai shiti mbi 75 milionë albume në mbarë botën dhe këngët e tij, si “California Love”, “Changes” dhe “Dear Mama”, vazhdojnë të dëgjohen dhe të frymëzojnë breza të tërë.