Këngëtari i njohur, Stevie Wonder, u ka bërë thirrje liderëve botërore që të sjellin paqe për të gjithë.
Muzikanti ka insistuar se të gjithë njerëzit që kanë pozita të fuqishme duhet t’i përdorin platformat e tyre për të sjellë paqe në mbarë botën, ka raportuar FemaleFirst.
Ai këtë e ka thënë ndërkohë që po performonte në një koncert në Birmingham të Britanisë ditë më parë.
“Besoj se liderët botërorë duhet ta shfrytëzojnë fuqinë që kanë për të sjellë paqe në mbarë botën. Nuk më intereson se kush jeni, mund të jeni president apo kryeministër, s’ka rëndësi. Thirrini mendjes!”, ka thënë Wonder.
Në muajin janar, krijuesit i hitit “Isn’t She lovely” është pyetur se çfarë mendimi ka rreth rikthimit të presidentit Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë.
“A dini çka? Nuk e ndjek më politikë. Ka shumë dokrra. A dini çka ndjek unë? Të vërtetën”, ka thënë 74-vjeçari.
Në muajin gusht të vitit të kaluar, gjatë paraqitjes në Democratic National Convention, ai pati treguar qartë se kë përkrahte në mes të Trumpit dhe zv.presidentes Kamala Harris.
“Tani është koha që të kuptojmë se ku jemi dhe çfarë duhet të bëjmë që të fitojmë. Ky është momenti që të na kujtohet kur u tregojmë fëmijëve se ku kemi qenë e çfarë kemi bërë. Ndërkohë që qëndrojmë në mes të dhimbjes së historisë dhe premtimit të së nesërmes duhet ta zgjedhim kurajën. Është koha që të çohemi e të votojmë”, pati thënë ai.
Muaj më vonë, gjatë turneut në muajin nëntor, Wonder bëri thirrje për bashkim.
“Amerika në tërësi duhet të bashkohet, sepse gjithnjë është dikush, apo ndonjë shtet diku, që do ta heqë konceptin e demokracisë dhe kuptimin e tij”, ka thënë ai.
Këngëtari tutje pati thënë se të famshmit mund të mos duan të flasin rreth disa çështjeve të caktuara, por që ai gjithnjë i përgjigjet Zotit.
“Mendoj se njerëzit po frikësohen se mos po mbesin pa punë, që puna e tyre të anulohet, apo që të flitet për ta, të gjitha këto budallallëqe që vazhdojnë. Zoti është menaxheri im, pra më është dhënë mundësi që ta menaxhojë vetveten. Unë i lejoj të më vlerësojnë njerëzit që u besoj. I dëgjoj. Por së fundmi po dua t’i marrë vet vendimet”, pati thënë ndër të tjera Wonder.