Showbiz

Stevie Wonder u jep fund thashethemeve për shikimin

Stevie Wonder

Stevie Wonder

Foto: Associated Press

Stevie Wonder, legjenda e muzikës soul, ka reaguar ndaj thashethemeve të vjetra që pretendojnë se ai nuk është vërtetë i verbër. Gjatë një koncerti në Cardiff të Uellsit javën e kaluar, ai u foli drejtpërdrejt fansave për këtë teori konspirative, ka raportuar HuffPost.

“Ju e dini të vërtetën”, dëgjohet të thotë ai nga skena, në një video që është bërë virale në rrjetet sociale.

Ai tregoi se kishte menduar gjatë për momentin kur do ta ndante këtë mesazh me botën.

“Duhet t’ju them diçka që po e mendoja: ‘Kur doja t’ia thosha botës këtë?’ Dhe vendosa ta them tani”, u dëgjua të thoshte këngëtari në mes të performancës.

Më pas, ai u ndal te zërat që për vite kanë qarkulluar.

“E dini që ka pasur thashetheme se unë mund të shoh? Por seriozisht, ju e dini të vërtetën”, ka shtuar ai.

Duke konfirmuar përfundimisht realitetin, ai tha se ka mbetur i verbër menjëherë pas lindjes.

“Ishte një bekim, sepse më lejoi të shoh botën me vizionin e së vërtetës, të shoh njerëzit për shpirtin e tyre, jo për pamjen e tyre. Jo për ngjyrën e lëkurës, por për ngjyrën e shpirtit të tyre,” tha ai, duke marrë duartrokitje nga turma.

Prej vitesh, autori i hiteve si “Superstition” ka thënë se mungesa e shikimit ka qenë një nga forcat kryesore që ka nxitur krijimtarinë e tij artistike.

“Kjo ka ndikuar në faktin që unë jam në gjendje të përdor imagjinatën për të shkuar në vende, për të shkruar fjalë për gjëra që i kam dëgjuar nga njerëzit. Në muzikë dhe në verbëri, unë jam në gjendje të lidh atë që njerëzit thonë me atë që kam brenda vetes”, ka thënë ai në një intervistë për The New York Times në vitin 1975.