Showbiz

Seriali “Dune: Prophecy” lansohet për publikun gjatë nëntorit

“Dune: Prophecy”

Seriali i bazuar në historinë e filmave “Dune” dhe i cili kthehet prapa në kohë, “Dune: Prophecy”, më në fund është bërë me datë të lansimit. Sezoni debutues i këtij projekti të realizuar nga HBO dhe “Legendary Television”, i përmban 6 episode.

Historia në serial zë vend 10 mijë vjet para ngjarjeve të filmave të regjisorit Denis Villeneuve, “Dune”, dhe fokusohet në origjinën e grave të njohura si Bene Gesserit, rendi i fshehtë i shtrigave të fuqishme që nga prapaskena ndikojnë në politikën e botës fantastiko-shkencore.

Në “Dune: Prophecy”, dy motrat Harkonnen luftojnë forcat që kërcënojnë të ardhmen e njerëzimit dhe krijojnë sektin legjendar i cili bëhet i njohur si “Bene Gesserit”. Seriali është frymëzuar nga romani “Sisterhood of Dune”, i autorëve Brian Herbert dhe Kevin J. Anderson. Emily Watson e luan rolin e Valya Harkonnen ndërsa, Olivia Williams vjen në rolin e motrës së saj, Tula Harkonnen. Të dyja janë paraardhëse të familjes së ligë, Harkonnen, e cila tradhton Paul Atreides dhe babanë e tij në filmat “Dune”.

“Dune: Prophecy”, fillon transmetimin në platformën “HBO Max” nga 17 nëntori.