Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

HBO lanson trailerin e parë të serialit “ Harry Potter”

Fotografi nga Aidan Monaghan

Fotografi nga Aidan Monaghan

Foto: Associated Press

 

 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Pas një procesi të gjatë përzgjedhjeje dhe një produksioni të mbajtur pothuajse sekret, personazhet e njohur Harry, Ron dhe Hermione po rikthehen në Hogwarts. Platforma HBO ka publikuar trailerin e parë për serialin e ri “Harry Potter”, duke zbuluar edhe një datë premiere që nuk ishte bërë e ditur më parë: Krishtlindjet e vitit 2026, ka raportuar The Guardian.

Traileri: 

 

Pamjet e para nga sezoni “Harry Potter and the Philosopher’s Stone”, i bazuar në librin e parë nga autorja J. K. Rowling, prezantojnë tre personazhet kryesore: Harry (rolin e të cilit e luan Dominic McLaughlin), Hermione Granger (rolin e së cilës e luan Arabella Stanton) dhe Ron Weasley (rolin e të cilit e luan Alastair Stout), të cilët takohen si 11-vjeçarë në trenin drejt vitit të parë në shkollën e magjisë.

Traileri, i prezantuar fillimisht në një ngjarje për shtyp në Londër, sjell disa nga momentet ikonike të librit dhe filmit të vitit 2001 nga Chris Columbus, përfshirë takimin e parë të Harryt me Hagrid (Nick Frost), provën e Kapelës së Përzgjedhjes dhe ndeshjen e tij të parë në Quidditch si kërkues i Gryffindorit.

Tre aktorët e rinj janë zgjedhur pas një kërkimi të gjerë dhe audicionesh të hapura për fëmijë britanikë të moshës 9 deri në 11 vjeç, dhe pritet të rriten bashkë me personazhet gjatë disa sezoneve. Në kastin e të rriturve përfshihen John Lithgow në rolin e Albus Dumbledore, Janet McTeer si Minerva McGonagall dhe Paapa Essiedu si Severus Snape.

Skenaristja Francesca Gardiner është figura kryesore apo “showrunner” e projektit, ndërsa Mark Mylod, i njohur nga “Game of Thrones” dhe “Succession”, do të drejtojë disa episode. Xhirimet po zhvillohen në Leavesden Studios në Angli.

Sipas drejtuesit të platformës transmetuese të Warner Bros Discovery, JB Perrette, ky projekt pritet të jetë një nga më të mëdhenjtë ndonjëherë.

“Kjo do të jetë ngjarja më e madhe në historinë e HBO Max dhe ndoshta në gjithë historinë e platformave transmetuese. Në shumë mënyra, është numri një, dy dhe tre njëkohësisht”, ka thënë ai.

Ndërkohë, aktori që e bëri të famshëm rolin e Harry Potterit në filma, Daniel Radcliffe, ka befasuar me një deklaratë modeste për pasardhësin e tij.

“Jam i sigurt që Dominic do të jetë më i mirë se unë. Unë kam mësuar duke ecur përpara. Kur e shoh sot performancën time, jam më i butë ndaj vetes dhe nuk më vjen më aq turp sa më vinte më parë. Por për një kohë të gjatë, thjesht po mësoja si të luaja”, ka thënë ai.

Megjithatë, seriali nuk ka shpëtuar pa polemika.

Përzgjedhja e Paapa Essiedu në rolin e Snape, i cili më parë ishte luajtur nga Alan Rickman, ka sjellë reagime të forta nga një pjesë e fansave.

Aktori ka treguar se ka marrë edhe kërcënime me vdekje.

“Më kanë thënë: ‘Largohu nga roli, ose do të të vras.’ Kjo është shumë serioze. Nëse hyj në Instagram, shoh njerëz që më shkruajnë se do të vijnë në shtëpinë time për të më vrarë. Shpresoj të jem mirë, por askush nuk duhet të përballet me këtë për shkak të punës së tij. Ka njerëz që rrezikojnë jetën në profesione të ndryshme. Unë po luaj një magjistar në ‘Harry Potter’. Dhe do të gënjeja nëse do të thosha që nuk më prek emocionalisht. Temat e ‘Harry Potter’ flasin për dashurinë që triumfon mbi urrejtjen dhe për pranimin, dhe kjo është arsyeja pse po e bëj këtë rol”, ka thënë ai.

Në të njëjtën kohë, vazhdojnë kritikat ndaj deklaratave publike të J. K. Rowling për çështjet transgjinore. Autorja, e cila është gjithashtu producente ekzekutive e serialit, mbetet një figurë e diskutueshme.

Aktori John Lithgow ka reaguar ndaj kritikave.

“Jam ndjerë i sulmuar nga reagimet për përfshirjen e saj, sepse librat e saj janë qartësisht në anën e së mirës, kundër intolerancës dhe paragjykimit”, ka thënë ai.

Edhe drejtori i përmbajtjes në platformën HBO, Casey Bloys, ka mbrojtur projektin.

“Është e qartë që këto janë pikëpamjet e saj personale dhe politike. Ajo ka të drejtë t’i ketë. Harry Potter nuk po përdoret për të përçuar ndonjë agjendë të fshehtë. Nëse dikush do të debatojë me të, mund ta bëjë në Twitter”, ka thënë ai.

Sipas trailerit, seriali “Harry Potter and the Philosopher’s Stone” do të shfaqet në HBO Max gjatë krishtlindjeve këtë vit, disa muaj më herët se sa ishte planifikuar fillimisht për vitin 2027, dhe pothuajse 30 vjet pas publikimit të librit të parë që nisi fenomenin global.