Prime Video ka publikuar trailerin e parë të serialit “Elle”, një projekt që rikthen historinë e famshme të Elle Woods shumë vite para ngjarjeve të filmit “Legally Blonde”, ka raportuar Variety.
Seriali është një projekt që do t’u tregojë fansave jetën e Elle Woods gjatë shkollës së mesme dhe eksperiencat që e formësuan në vajzën ikonike që publiku njohu në filmin origjinal.
“Seriali ndjek Elle Woods në shkollë të mesme, ku mësojmë për përvojat jetësore që e formësuan atë në gruan e re ikonike që njohëm dhe dashuruam në filmin e parë ‘Legally Blonde’”, thuhet ne përshkrimin zyrtar.
Sezoni i parë do të publikohet më 1 korrik dhe seriali është rinovuar tashmë edhe për sezonin e dytë.
Aktorja e re, Lexi Minetree, do të interpretojë versionin e ri të Elle Woods, në rolin e saj të parë kryesor. Ajo më herët ka pasur role më të vogla në projekte si “Law & Order: Special Victims Unit”.
Ndërkohë, June Diane Raphael do të luajë rolin e nënës së Elle, ndërsa Tom Everett Scott do të interpretojë babain e saj.
Në kastin e serialit do të shfaqen edhe emra si David Burtka, Kayla Maisonet dhe Lisa Yamada. Pjesë e projektit është edhe aktori i ndjerë James Van Der Beek.
Edhe
“Elle”, seriali i bazuar në historinë e filmave “Legally Blonde”
Xhirimet e serialit nisën në prill të vitit 2025. Lajmin e konfirmoi vetë aktorja Reese Witherspoon përmes Instagramit, ku publikoi një fotografi me Lexi Minetree.
“Harvardi ishte i vështirë. Shkolla e mesme ishte edhe më e vështirë. Seriali ynë i ri, ‘Elle’, tashmë ka nisur produksionin!”, ka shkruar ajo.
Seriali është krijuar nga Laura Kittrell, e cila shërben edhe si producente ekzekutive dhe bashkë-drejtuese e projektit së bashku me Caroline Dries.