Seria e dokumentarëve të shumëpritur të Princit Harry dhe dukeshës Meghan Markle për platformën Netflix, planifikohet të lansohet për publikun gjatë këtij viti, më saktësisht në muajin dhjetor. Kështu bënë të ditur disa burime për “Page Six”.
Një raport në portalin “Deadline” pohoi se ky projekt ishte shtyrë për vitin 2023, pas një reagimi të ashpër për sezonin e ardhshëm të hitit të Netflixit, “The Crown”.
Por pavarësisht gjithçkaje, bëhet e ditur se lansimi i dokumentarëve të çiftit mbretëror vazhdon sipas planit, dhe çdo çështje që lidhet me këto projekte nuk ka fare të bëjë me sezonin e pestë të serialit “The Crown”.
Siç u zbulua më parë, burime nga Netflixi deklaruan se kishte probleme midis dukës dhe dukeshës së Sussexit dhe platformës gjigante, pasi ata donin ta fshinin çdo koment inkriminues që kishin bërë për Mbretin Charles III, bashkëshorten e tij Camilla Parker-Bowles, Princin William dhe princeshën Kate Middleton. Në fakt, ishin pikërisht Harry dhe Meghan ata që donin ta shtynin transmetimin e dokumentarëve deri në vitin e ardhshëm.
Netflixi ende nuk e ka paralajmëruar datën e saktë të lansimit të këtij projekti.
Ndërkaq, sezoni i ri i serialit “The Crown”, i cili e sjell një histori të imagjinuar rreth familjes mbretërore, ka marrë kritika të shumta nga publiku, pak javë pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeta e Dytë.
Thuhet se disa skena të këtij projekti e shfaqin mbretin e ri Charles, të luajtur nga aktori Dominic West, duke tentuar ta krijojë një grusht shtet kundër nënës së tij, të portretizuar nga Imedla Staunton. Po ashtu besohet se seriali i ardhshëm do t’i përfshijë shumë skena që çojnë në vdekjen tragjike të princeshës Diana, të luajtur nga Elizabeth Debicki, si pasojë e aksidentit me veturë në një tunel të Parisit.