Çifti mbretëror, Harry dhe Meghan kanë nënshkruar një marrëveshje të re shumëvjeçare me Netflixin.
Ata e kanë përshkruar këtë si një “marrëveshje shumëvjeçare, që i jep Netflixit të drejtën e parë për të shqyrtuar projektet e kompanisë së tyre prodhuese, Archewell”. Kjo marrëveshje është më e lirshme se ajo e mëparshmja, por hedh poshtë thashethemet se Princi Harry dhe bashkëshortja e tij, Meghan Markle do të ndërprisnin bashkëpunimin me platformën, ka raportuar BBC.
Markle ka thënë se ajo dhe Harry janë të frymëzuar nga ky partneritet për të “krijuar përmbajtje mendimtare në zhanre të ndryshme, që të prekë publikun në mbarë botën dhe të festojë vizionin tonë të përbashkët”.
Nuk dihet sa vite do të zgjasë marrëveshja e re apo shuma financiare e përfshirë, por marrëveshja e parë, e nënshkruar në vitin 2020, besohej të vlente rreth 100 milionë dollarë (75 milionë paund).
Lajmi vjen pak para publikimit të sezonit të dytë të emisionit të gatimit “With Love, Meghan”, që do të shfaqet këtë muaj. Sipas të dhënave të Netflixit, sezoni i parë nuk ishte as në top 300 programet më të shikuara në gjysmën e parë të vitit 2025, duke arritur vetëm 5.3 milionë shikime. Për krahasim, drama më e ndjekur “Adolescence” pati 145 milionë shikime. Ndërkohë, dokumentari “Harry & Meghan” në vitin 2022 arriti 23.4 milionë shikime pas publikimit.
Archewell ka njoftuar gjithashtu një edicion special për festat e fundvitit të “With Love, Meghan”, ku sipas përshkrimit, shikuesit ftohen të “bashkohen me Meghan në Montecito për një festë magjike të Krishtlindjes”.
Emisioni është shoqëruar me linjën e produkteve ushqimore e pijesh “As Ever”, që përfshin verë rozë dhe reçelra.
Më vonë gjatë vitit pritet edhe një tjetër projekt në Netflix, “Masaka Kids, A Rhythm Within”, i prodhuar nga Harry dhe Meghan, për një jetimore në Ugandë që shërben si një simbol shprese në një realitet ku “hijet e krizës HIV/AIDS ende ndihen”.
“Harry dhe Meghan janë zëra me ndikim, historitë e të cilëve prekin audiencën kudo. Reagimi ndaj punës së tyre flet vetë – ‘Harry & Meghan’ u ofroi shikuesve një vështrim intim në jetën e tyre dhe u bë shpejt një nga dokumentarët tanë më të shikuar”, ka thënë Bela Bajaria, shefja e përmbajtjes në Netflix.