Showbiz

Sarah Jessica Parker refuzon të bëjë “selfie” me adhuruesit

Sarah Jessica Parker

Sarah Jessica Parker

Foto: Associated Press

Aktorja e serialit “And Just Like That”, Sarah Jessica Parker, ka një arsye shumë të veçantë pse nuk dëshiron të bëjë fotografi me adhuruesit.

Ylli i “Sex and the City” së fundmi u ndalua në aeroport nga një adhuruese që kërkoi të bënte një fotografi me të, por Parker ka shpjeguar se e refuzoi këtë kërkesë për një arsye shumë të thjeshtë dhe njerëzore.

“Ja çfarë po përpiqem të bëj kohët e fundit, sepse isha në aeroport të premten.
Një grua erdhi tek unë dhe as nuk më përshëndeti. Më tha direkt: ‘Mund të të bëj një fotografi?’
Dhe unë i thashë: ‘As nuk u njohëm. As nuk u prezantuam. Si quhesh?’”, ka thënë ajo në emisionin The Howard Stern Show, ka raportuar FemaleFirst.

Kur gruaja i tha se quhej Julie, Sarah, 60 vjeçe, i ka sugjeruar që të kishin një bisedë në vend të një fotografie të shpejtë “selfie”.

“Ta garantoj që do të jetë shumë më kuptimplotë”, ka treguar Parker që i ka thënë adhurueses.

Më vonë, ajo e ka takuar përsëri Julien pas bisedës së parë, pasi familja e saj ishte ulur për të ngrënë.

Moderatori Howard Stern e krahasoi këtë sjellje me “një mësuese që po mëson njerëzit si të sillen,” duke thënë se kjo situatë duhet të jetë bezdisëse, por Parker nuk ishte dakord.

“E shihni si është puna: më pëlqen më shumë kështu sesa kur dikush afrohet me kamerën gati dhe më pyet ndërsa po klikojnë. Gjithmonë më befasojnë situata të tilla. Më pëlqen shumë më tepër të kem një bisedë, që dikush të më afrohet dhe të më thotë: ‘Ndoshta nuk është momenti yt më i mirë, unë quhem Veronica dhe jam shumë e lumtur që po të takoj’”, ka shpjeguar ajo.

Ndërkohë, Parker së fundmi ka folur edhe për mënyrën si e shohin të tjerët si ikonë mode, por ajo ka theksuar se mendimet e të tjerëve nuk kanë ndikuar kurrë në zgjedhjet e saj personale.

“Është diçka që të bën qejfin, por nuk është diçka për të cilën mendoj shumë. E dua modën dhe veshjet, por nuk dal me qëllimin për të qenë ndonjë gjë tjetër përveç vetes”, ka thënë ajo në një intervistë për revistën Hello!.