Në një intervistë për revistën italiane IO Donna, aktorja dhe producentja Salma Hayek ka zbuluar se arritja që e bën më krenare nuk është ndonjë film, çmim apo sukses në Hollywood, por mënyra si i ka rritur fëmijët, ka raportuar FemaleFirst.
Në moshën 58-vjeçare, Hayek është nënë e Valentinës, 18 vjeçe, dhe njerkë e Francois, Mathilde dhe Augustin, fëmijët e bashkëshortit të saj, miliarderit dhe shefit ekzekutiv të kompanisë “Kering”, François-Henri Pinault, nga marrëdhëniet e mëparshme me Dorothée Lepère dhe supermodelen Linda Evangelista.
“Të gjithë fëmijët e mi janë tani të pavarur dhe kjo më bën të lumtur. Kam investuar shumë kohë në ta. Familja ka qenë gjithmonë prioriteti im. E shihni në karrierën time: në 18 vjetët e fundit kam zgjedhur vetëm role që xhiroheshin në verë dhe në Evropë,” u shpreh ajo.
Për Hayek, përkujdesja për familjen nuk ka qenë sakrificë, por çështje organizimi.
“Nuk kam sakrifikuar asgjë, vetëm jam organizuar më mire”, ka thënë aktorja.
Tani që Valentina është rritur, Hayek është gati të fokusoet më shumë në pasionin e saj të dytë, prodhimin e projekteve për audiencat latine përmes kompanisë së saj “Ventanarosa”, e cila i solli publikut serialin e famshëm “Ugly Betty”.
Ajo është aktualisht në finalizimin e adaptimit televiziv të romanit të njohur meksikan të vitit 1989 “Like Water for Chocolate”, projekt që ka kërkuar gjashtë vjet punë.
“E di që ka ende shumë për të bërë. Çdo histori që tregoj, çdo projekt që realizoj, mund të bëjë ndryshim për dikë tjetër. Nuk më intereson të tregoj se çfarë bëj për të tjerët, më intereson ta bëj. Ndryshimi nuk ka nevojë për reklamë, ka nevojë për veprim. Kjo më ka udhëhequr gjithmonë”, ka thënë ylli.
Ajo tutje ka treguar se gjatë ditës jep intervista, bën fotosesione ose ka takime me fondacionet që bashkëpunon.
“Natën jam mbyllur në zyrë me kompaninë time të prodhimit, sepse në anën tjetër të oqeanit është ditë”, ka thënë ajo.