“Njerëzit gjithmonë duan të të vendosin në një kornizë: ‘Je këngëtare’ apo ‘Je aktore’. Por unë kurrë nuk jam ndier rehat me këtë ide. Jeta ime në Portobello ka qenë gjithmonë një përzierje e gjithçkaje – kulturave, stileve, ideve. Pse duhet të ndalem tani, vetëm sepse jam në qendër të vëmendjes?”
Këto janë fjalët e shqiptares me famë botërore Rita Ora, ylli i ballinës së revistës prestigjioze "Hunger" për edicionin "Fight Back".

Revista ka shkruar se këngëtarja me origjinë nga Kosova, e rritur në Londër, vazhdon t’i sfidojë kufijtë e artit dhe të modës, duke mos iu përmbajtur rregullave të zakonshme të industrisë.
Në një rikthim simbolik në Rankin Studios, aty ku realizoi një nga ballinat e saj të para, Ora shfaqet si një artiste që nuk ndalet.
Ajo po balancon njëkohësisht bashkëpunimin e saj të ri me brendin e veshjeve te përditshme Primark, turneun me këngëtaren Kylie Minogue, si dhe xhirimet e një projekti kinematografik me aktorin Henry Cavill.
E lindur në Notting Hill të Londrës dhe e rritur mes energjisë së një lagjeje dinamike, Ora e ka ruajtur shpirtin e saj të lirë dhe të guximshëm. Evolucioni i saj muzikor reflektohet në albumin e fundit "You & I", i cili përshkruan marrëdhënien e saj me regjisorin Taika Waititi. Pavarësisht projekteve në muzikë, film dhe modë, ajo vazhdon të mbetet po e njëjta vajzë energjike që theu kufijtë me hitin e saj të parë "Hot Right Now".
Edhe
Rita Ora: Rritja si refugjate më bëri kjo që jam

"Kjo jam unë", ka thënë ajo me vetëbesim, duke treguar se nuk ka më nevojë të shpjegojë veten.
Ora shfaqet në këtë ballinë e veshur me koleksionin më të ri të Primark, duke shpërfaqur stilin e saj si rebele dhe autentike.