Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka folur rreth rrugëtimit si fëmijë refugjate nga Kosova dhe ndikimit që kjo përvojë ka pasur në jetën dhe karrierën e saj. Me rrëfimin, ajo ka vendosur ta mbështesë nismën “Apeli Dimëror” të Evening Standard, që synon të ndihmojë refugjatët dhe personat që përballen me mungesë strehimi e pasiguri ushqimore në Londër.
Ajo tregon se vendimi i prindërve për t’u larguar nga Kosova në kërkim të sigurisë në Mbretërinë e Bashkuar ka qenë themeli i gjithë asaj që ajo është sot. Ora në intervistë thotë se prindërit u detyruan të largoheshin për t’i shpëtuar persekutimit të shqiptarëve.
“Rritja si fëmijë refugjate formësoi gjithçka në lidhje me atë që jam unë. Prindërit e mi ikën nga Kosova për t’i shpëtuar persekutimit të shqiptarëve, duke hequr dorë nga gjithçka për një fillim të ri. Nëna ime, që ishte psikiatre në Kosovë, duhej të mësonte anglisht dhe të rikualifikohej nga e para. Babai im punoi netë të gjata për të siguruar një të ardhme për ne. Guximi i tyre ndërtoi themelet e gjithë jetës time dhe muzika u bë streha ime”, shprehet ajo për “Evening Standard”.
Rita, edhe pse sot është një figurë e njohur dhe e suksesshme, nuk e harron periudhën e vështirë të mbërritjes në Britani, kur familja e saj ishte e cenueshme dhe e pasigurt.
“Njerëzit që na pritën na bënë të ndiheshim të pranuar dhe pjesë e diçkaje më të madhe, dhe kjo mirësi mbetet me mua. Kjo më mësoi se përkatësia nuk është diçka që të jepet — është diçka që e krijojmë së bashku, përmes dhembshurisë dhe hapjes”, ka shtuar këngëtarja.