Showbiz

Reese Witherspoon bën thirrje që gratë ta përdorin AI-në

Reese Witherspoon

Reese Witherspoon

Foto: Associated Press

Reese Witherspoon, aktore dhe producente e njohur në Hollywood, ka bërë thirrje që gratë në industrinë e filmit të përqafojnë inteligjencën artificiale (AI), pasi sipas saj ajo “është e ardhmja”.

Aktorja e filmit “Legally Blonde”, e cila është themeluese e kompanisë së produksionit “Hello Sunshine”, ka thënë për revistën Glamour se AI-ja tashmë është pjesë e pandashme e jetës dhe grave u duhet ta mësojnë dhe ta përdorin në dobi të tyre.

“Jam punëtore shumë e palodhshme dhe më pëlqen të përshtatem me struktura të reja dhe mjedise të reja. Gjithmonë mendoj përpara, për mënyrën se si po zhvillohet media dhe si mund të ndihmoj që gratë të ecin bashkë me këto industri të reja. Dhe tani po e bëjmë këtë me AI. Është kaq, kaq e rëndësishme që gratë të përfshihen në AI… sepse kjo do të jetë e ardhmja e kinemasë. Mund të jesh i mërzitur e të ankohesh sa të duash, por ndryshimi ka ardhur”, ka thënë Witherspoon.

Sipas saj, përdorimi i inteligjencës artificiale nuk do ta zëvendësojë kreativitetin dhe punën manuale, por do të ndikojë në mënyrën se si realizohet arti.
“Nuk do të ketë kurrë mungesë të kreativitetit, imagjinatës dhe ndërtimit manual të gjërave. Mund të zvogëlohet, por gjithmonë do të mbetet me rëndësi të lartë në art dhe në shprehjen personale”, ka shtuar ajo.

Witherspoon, 49 vjeçe, ka theksuar se AI-ja tashmë është pjesë e jetës së saj të përditshme dhe se është e natyrshme që së shpejti të hyjë edhe në punën e saj.

“Unë e përdor AI-në çdo ditë. Përdor mjete kërkimi si 'Perplexity', përdor 'Vetted AI', p.sh. nëse po blen një mikser, të tregon gjashtë modele të ndryshme dhe rekomandon produktin më të mirë. Përdor 'AI Assistant'. 'Simple AI' është një asistent që mund të jetë shumë i dobishëm për këdo që nuk dëshiron të bëjë termine mjekësore, sepse nuk do të presë në telefon apo të përballet me sistemet e ndërlikuara të spitaleve. Është një mjet i jashtëzakonshëm për të kursyer kohë”, ka shpjeguar ajo.

Aktorja zbuloi gjithashtu se shpesh diskuton për këto ndryshime me koleget e saj të njohura në Hollywood.

“Këto janë gra me të cilat flas gjithë kohës për mënyrën se si po e përballojmë dinamikën e re në industrinë tonë: Kerry Washington, Tracee Ellis Ross, Eva Longoria, America Ferrera, Natalie Portman, Lena Waithe”, ka thënë ndër të tjera Witherspoon.