Sipas burimeve të shumta, marrëdhënia në mes të këngëtares, Katy Perry, dhe aktorit, Orlando Bloom, është në krizë dhe dyshja mund të ndahet së shpejti.
“Ka mbaruar. Ata po presin të përfundojë turneu i saj përpara se të ndahen”, ka thënë një burim për Page Six.
Këngëtarja aktualisht është në turneun “Lifetimes”, që nisi më 23 prill dhe do të zgjasë deri më 7 dhjetor.
Çifti u fejua në ditën e Shën Valentinit të vitit 2019 dhe më pas u bënë prindër të vajzës Daisy Dove, më 26 gusht 2020.
Por së fundmi, burime për revistën People kanë thënë se pritja jo e mirë e albumit të ri të Perryt, “143”, ka sjellë shumë tension mes tyre.
“Katy ishte thellësisht e zhgënjyer nga pritja që mori albumi i saj i ri. Kjo e stresoi shumë. Orlando e kuptoi, por sërish solli tension mes tyre”, ka thënë një burim.
Një tjetër burim shtoi: “Ajo u zhgënjye edhe nga disa kritika për turneun. Kjo ka krijuar stres në marrëdhënie”.
Ndërkohë, Page Six raporton se aktori i filmit “Pirates of the Caribbean” ka kaluar kohë në Miami muajin e kaluar, gjë që ka shtuar spekulimet.
Perry dhe Bloom janë ndarë edhe më parë për një vit në 2017. Këngëtarja foli për këtë ndarje në podcastin “Call Her Daddy” në vitin 2024.
“Nuk ishim në të vërtetë të përfshirë që nga dita e parë. Ai ishte, sepse sapo kishte kaluar një periudhë të gjatë celibati (periudhë që kalohet pa pasur marrëdhënie intime) dhe kishte vendosur qëllime të qarta. Ndërsa unë sapo isha ndarë nga një lidhje tjetër dhe ndjehesha sikur nuk mund ta përballoja. Kisha nevojë të ndryshoja rrjedhë, por kjo më detyroi të bëja shumë punë me veten”, pati thënë këngëtarja.
Në të njëjtin muaj, ajo pati thënë për People, se kurdo që debaton me Bloomin e bëjnë me shpejtësi e pastaj qetësohen po aq shpejt.
“Është si: ‘La la la la la, të dua. Hajde të vazhdojmë përpara. Jemi zjarr, zjarr, zjarr dhe vajza jonë Daisy i sheh të gjitha këto”, ka thënë ajo.
Perry e ka përshkruar Bloomin si një njeri shumë të mençur.
“Ai është si një dijetar i vërtetë. Të dy kemi dy anë: anën më të mirë të vetes dhe anën materiale, egon”.
Çifti ka pranuar publikisht se ka ndjekur edhe terapi psikologjike për çiftet.
Në vitin 2023, Bloom pati treguar për sfidat në lidhjen e tyre për revistën Flaunt.
“Ne jemi në dy ‘pishina’ shumë të ndryshme për sa i përket punës. Puna e saj nuk është një pishinë që unë e kuptoj, dhe besoj se as ajo nuk e kupton timen”, ka thënë ai.
Aktori ka shtuar se të dy janë të vetëdijshëm sa me fat janë që u lidhën në kohën e duhur.
Pavarësisht thashethemeve për ndarje, Bloom dhe vajza e tyre morën pjesë në momentin historik kur Perry udhëtoi në hapësirë në një mision vetëm për gra me raketën “Blue Origin”, një përvojë që e bëri këngëtaren të ulej në gjunjë dhe të puthte tokën sapo zbriti.