Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

R. Kelly rrezikon burgim disa dekada për abuzim seksual

Seanca gjyqësore ndaj këngëtarit të famshëm amerikan të muzikës R&B, R.Kelly ka nisur sot në një gjykatë në Brooklyn të New Yorkut, raporton BBC.

Ylli akuzohet për shantazh, abuzim seksual, ryshfet; akuza të cilat ai i ka mohuar vazhdimisht.

Disa nga akuzat e bëra ndaj këngëtarit – emri i plotë i të cilit është Robert Sylvester Kelly – datojnë më tepër se 20 vjet më parë.

Nëse shpallet fajtor në të gjitha pikat e aktakuzës, ai përballet me disa dekada burgim.

Kelly 54-vjeçar përballet me akuza se ai kishte qenë lider i një rrjeti të një skeme dydekadësh ku janë rekrutuar gra dhe vajza të mitura për seks.

“Rasti ka të bëjë me një grabitqar”, ka thënë ndihmës-prokurorja Maria Melendez në fjalimin hapës. “Nuk ka të bëjë me një personazh të famshëm që pëlqen të festojë shumë”.