Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Queen Latifah reperja e parë që nderohet nga “Kennedy Center Honors”

Aktorja dhe rep artistja, Queen Latifah, është e lumtur që është në mesin e emrave të përfshirë në listë për t’u nderuar nga, “The Kennedy Center Honors”.

Ylli 53-vjeçar e ka ndërtuar një karrierë të suksesshme si repere, aktore dhe këngëtare, dhe tani ka arritur të futet në listën e përvitshme, e cila i nderon interpretuesit që kanë pasur ndikim në kulturën amerikane. Ceremonia nderuese do të mbahet më 4 dhjetor dhe do ta përfshijë një kontribut special për 50 vjetorin e muzikës hip hop.

Latifah e pranoi se ndihet e shokuar që po vlerësohet për talentin dhe kontributin prej disa dekadash në showbiz, sidomos kur në fillimet e karrierës i ishte thënë se nuk do t’ia dilte kurrë të depërtoj në këtë industri.

“Jam e lumtur të përfshihem në këtë listë të pabesueshme artistësh të nderuar nga ‘Kennedy Center Honors’. Kur e filluam këtë rrugëtim dekada më parë, shpesh e dëgjonim fjalën ‘jo’. Jo, nuk do të mund të largohesh nga New Jesey. Jo, nëse bën muzikë rep atëherë nuk mund të këndosh. Jo, këngëtaret nuk mund të bëhen aktore. Jo, aktoret nuk mund të jenë producente gjithashtu. Prandaj, të nderohesh sot për të gjitha arritjet dhe kontributin në fushën e artit dhe kulturës, është një ndjenjë vërtetë e pabesueshme. Jo vetëm për mua dhe ekipin tim, por për gjithë komunitetin tonë”.

Personalitetet e tjera që i bashkohen yllit amerikan në këtë listë janë, Billy Crystal, legjenda e grupit “Bee Gees”, Barry Gibb, ylli i operës Renée Fleming dhe këngëtarja e hitit “I’ll Never Fall In Love Again”, Dionne Warwick.

Përgatiti: Edona Binaku