Showbiz

Mariah Carey nuk e quan veten “legjendë”

Mariah Carey

Mariah Carey

Foto: Associated Press

Këngëtarja e hitit “All I Want For Christmas Is You”, Mirah Carey, e cila ndër vite ka pasur 19 këngë në vendin e parë në toplistën e Billboard në SHBA dhe që do të nderohet si “Personi i Vitit 2026” nga “MusiCares”, ka folur për Billboard rreth mënyrës se si e sheh veten.

“Secili ka kuptimin e vet për fjalët që përdor. Por unë nuk e quaj veten legjendë. Ende jam duke punuar, ende po përpiqem fort”, ka thënë ajo.

Ylli 56-vjeçar ka theksuar se gjithmonë ka pasur një etikë të fortë pune dhe se mësimi më i madh që ka nxjerrë nga karriera është të qëndrojë besnike ndaj vetes.

“Gjithmonë kam punuar shumë, sepse që në fillim e dija se doja të isha këtu për një kohë të gjatë. Mësimi kryesor është të jesh i vërtetë me veten. Kam pasur fatin ta bëj këtë. Ka pasur gjëra që nuk kanë qenë ideale, por ja ku jam sot”, ka thënë ajo.

Carey do të nderohet nga “MusiCares” përkrah emrave të mëdhenj të muzikës si Dolly Parton, Billy Joel, Joni Mitchell, Gloria Estefan dhe Smokey Robinson.

Përveç muzikës, ajo është vlerësuar edhe për angazhimin e saj humanitar, duke mbështetur ndihmën në raste fatkeqësish, fondacionin Make-A-Wish, si dhe kauza që lidhen me arsimin dhe virusin HIV/AIDS.

“Të gjithë duhet të bëjmë çfarë mundemi për t’i kthyer diçka shoqërisë. Ndonjëherë angazhohem shumë me orarin tim, por kjo mbetet një pjesë e rëndësishme e jetës sime”, ka thënë ylli.

Drejtoresha ekzekutive e “MusiCares”, Theresa Wolters, vlerësoi ndikimin e këngëtares.

“Ndikimi i Mariah Careyt shkon shumë përtej artit të saj. Ajo e ka përdorur vazhdimisht platformën e saj për të ndihmuar komunitetet dhe për të krijuar sisteme kujdesi që i fuqizojnë njerëzit”, ka thënë Wolters.